Kurti: Thaçi është gjysmë president i Kosovës, gjysmë i Serbisë

Aktuale

Kurti: Thaçi është gjysmë president i Kosovës, gjysmë i Serbisë

Nga: D.RR Më: 30 gusht 2018 Në ora: 21:53
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Thaçi po i nevojitet Serbisë për një kapitull të radhës, i cili sipas Kurtit, shënon varësinë e Serbisë nga Kosova.

“Më 28 qershor 2013, Këshilli Evropian pat vendosur t'i hap negociatat me Serbinë për anëtarësimin e saj në BE. Ishte kjao vetëm dy ditë pas ratifikimit të dhunshëm në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013. Tash Serbisë po i nevojitet Thaçi për ta kaluar kapitullin 35 drejt BE-së e i cili shënon varësinë e Serbisë nga Kosova”, ka shkruar Kurti, përcjell “Bota sot”.

Ai thotë se Thaçi gjithmonë i ka lënë punët përgjysmë, si para dy dekadave, ashtu edhe para një dekade, e tash po e bënë të njëjtën.

“Mund t'i ketë lënë punët përgjysmë në Kosovë ky President: para dy dekadave kishim gjysëm çlirimi sepse u nda Mitrovica dhe u çarmatos UÇK-ja; para një dekade kishim gjysëm pavarësie sepse as s'u bashkua Mitrovica dhe as s'u bë ushtria. Kështu e ka në Kosovë ky. Ndërkaq Serbia nuk e lejon t'i ngelet në gjysëm të rrugës: marrëveshja Thaçi-Daçiq ajo kërkon që të vazhdohet me marrëveshjen Thaçi-Vuçiq”, shprehet tutje Kurti.

Në shkrimin e tij, Kurti e quan Thaçin gjysmë president i Kosovës dhe gjysmë president për Serbinë.

“Prandaj Presidenti Thaçi është veçse gjysmë President i Kosovës. Gjysma tjetër e tij është president për Serbinë (sa më thellë në Kosovë e sa më shpejt drejt BE-së). Duket që gjysëm Presidenti nuk ka tavan për dëmet që mund t'ia bëjë Kosovës drejt ndihmës që ai don t'ia japë Serbisë. Teksa ai nuk sprapset, ne duhet t'ia heqim atij dyshemenë, si në Kuvend të Kosovës ashtu edhe në Shesh të Republikës”, ka përfunduar Kurti, përcjell "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat