Haradinaj “kapet” me Thaçin: Ridizajnimi i kufijve, ftesë për tragjedi të reja në Ballkan

Aktuale

Haradinaj “kapet” me Thaçin: Ridizajnimi i kufijve, ftesë për tragjedi të reja në Ballkan

Nga: P.R Më: 31 gusht 2018 Në ora: 09:44

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në facebook, ka dalë kundër idesë së prezantuar nga presidenti Hashim Thaçi, i cili ka thënë se në bisedimet në Bruksel do ta paraqesë planin për kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”, ka shkruar Haradinaj, përcjellë “Bota sot”.

Ky është postimi i plotë:

Populli i Kosovës është falënderues për angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve tjera mike të bashkësisë ndërkombëtare në vendin tonë. Ne jemi gjithmonë mirënjohës për rolin, mbështetjen dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, forcimit të institucioneve tona dhe avancimit të paqes dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Për më shumë se dy dekada, populli i Kosovës është përkushtuar të përballet me trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës shkatërruese dhe të kaloi në frymën e pajtimit dhe faljes dhe është jetësisht i vendosur për mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e diversitetit në vendin tonë.

Të shtyrë nga objektivi ynë strategjik për t'u integruar plotësisht në familjen euroatlantike, ne kontribuojmë në vazhdimësi për një pajtim të qëndrueshëm që lejon rajonin tonë të lëvizë përtej konflikteve të së kaluarës sonë dhe të krijojë lidhje të reja të bashkëpunimit rajonal.

Kemi qenë të vendosur dhe kemi punuar pandalshëm, në veçanti, për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, duke përfshirë Republikën e Serbisë. Kemi paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s.

Marrëveshja Përfundimtare Ligjërisht e Obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një hap vendimtar për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë. Njohja reciproke dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibil nga kjo marrëveshje.

Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes.

RH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat