Pikëpamje të ndryshme në Tiranë rreth idesë për korrigjim të kufirit

Aktuale

Pikëpamje të ndryshme në Tiranë rreth idesë për korrigjim të kufirit

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 13:49
Tiranë, foto nga arkivi.

Ideja e proklamuar nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq për korrigjim të kufirit, në Tiranë po shihet në mënyra të ndryshme. Politikanë dhe ish-diplomatë të atjeshëm, nuk e përjashtojnë mundësinë e hapjes së kësaj teme, por edhe ritheksojnë rreziqet që mund të bartë jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për rajonin hapja e negociatave rreth çështjes së kufijve.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Mimi Kodheli thotë se “për çdo gjë duhet ulur dhe diskutuar hapur në tryezën e bisedimeve”.

Duke komentuar idenë e presidentëve Thaçi e Vuçiq, që në marrëveshjen e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshihet dhe marrëveshja për “korrigjimin e kufirit”, mes këtyre dy vendeve, Kodheli thotë se është ithtare e shtrimit në tavolinë të të gjitha çështjeve pa përjashtim, sado të vështira dhe të ndjeshme të jenë ato, sepse ky është detyrim i politikanëve.

“I madhi Shekspir, mes shumë gjërave gjeniale që ka thënë, ka thënë dhe diçka ‘Nuk ka gjëra të pamundura, ka vetëm njerëz të pazotë’. Nëse ne do të jemi të pazotë, nuk do t’i zgjidhim dot gjërat. Nëse jemi ne këtu për të zgjidhur, për t’u dalë zot vendeve tona po jo vetëm vendeve tona, por edhe rajonit dhe më gjerë po edhe historisë, ne duhet t’i zgjidhim gjërat me kosto sa më të ulët, në mënyrë që në fund të ditës, situata të jetë, siç quhet në gjuhën e biznesit, 'win win situation'- pra, një situatë ku të gjithë mund të dalin të fituar nga kjo gjë”.

"A duhet që kur ulesh në bisedime të lëshosh pe për diçka në mënyrë që të fitosh diçka tjetër? Patjetër, përndryshe nëse gjithkush do të rrinte në istikamin e tij, nuk do të kishte negociata, nuk do të kishim se pse të uleshim në tryezë...Unë jam për një diskutim pafund dhe shpresëplotë se gjërat mund dhe duhet të mbërrihen”, thotë për Radion Evropa e Lirë Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes së Shqipërisë.

Përderisa Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkaura, konsideron se ideja e hedhur në opinionin publik për debat mbi ndryshimin apo korrigjimin e kufijve, apo shkëmbimet territoriale nuk është një ide realiste, veçanërisht për faktin sepse Ballkani, thotë ai, është një rajon ende shumë delikat për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.

“Ende ka shtete të dobëta, ende ka shtete të reja, shtete në tranzicion, akoma ka probleme bilaterale midis shteteve, si dhe ka edhe aspekte të mungesës së vullnetit të plotë të bashkëpunimit rajonal, sikundërse ka faktorë gjeopolitik jashtë BE-së dhe NATO-s, të cilët intervenojnë në mënyra të ndryshme për influencën dhe interesat e tyre në këtë rajon”.

“Në këtë aspekt, ideja për këmbimin, ndryshimin apo shkëmbimin e territoreve nuk është realiste, nuk është e drejtë dhe e kërcënon seriozisht rajonin. Ajo ide tani është vetëm si fillim, por askush nuk mund të parashikojë fundin e saj, pasojat që mund të sjellë në të ardhmen e rajonit. Kjo ide nuk është e dobishme, sepse vendet e rajonit kanë nevojë për të konsoliduar paqen dhe paqen nuk e konsolidon prekja e kufijve”, thotë Bashkurti për Radion Evropa e Lirë.

Ideja për “korrigjimit të kufijve” ,thekson Bashkurti, paraqet një ide jashtë kushtetuese përkatësisht një ide të personalizuar, e cila nuk është mbështetur në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes institucionale të Kosovës ku përfshihet Parlamenti, Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe opozita.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat