Betejë fjalësh mes Thaçit e Haradinajt për kufirin

Aktuale

Betejë fjalësh mes Thaçit e Haradinajt për kufirin

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 14:25
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë qëndrime diametralisht të kundërta, sa i përket mundësisë së korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa presidenti Thaçi vazhdon të mos tërhiqet nga ideja e tij se marrëveshja përfundimtare e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, mund të përfshijë edhekorrigjimin e kufirit, në anën tjetër, po aq stoik vazhdon të jetë në idenë e tij, kryeministri Haradinaj, duke kundërshtuar Thaçin dhe idenë e tij me konstatimin se prekja e kufijve mund të sjellë, siç është shprehur ai “tragjedi të reja në Ballkan”.

Beteja politike mes këtyre dy figurave kryesore politike në Kosovë, ka vazhduar edhe sot në rrjetin social Facebook.

Përmes rrjetit social, Facebook, presidenti Thaçi sot ka thënë se ndonëse aleatët e Kosovës po bëjnë përpjekje dhe thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare, “ fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion”.

Por, në anën tjetër, kryeministri Haradinaj u ka bërë thirrje sot partnerëve ndërkombëtarë që të kundërshtojnë, siç ka thënë ai, “idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”.

Haradinaj ka thënë se “diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”.

Por, presidenti Thaçi i është kundërpërgjigjur tërthorazi deklaratës së Haradinajt, duke thënë se “thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”.

Presidenti Thaçi, edhe pas takimeve që kishte zhvilluar të mërkurën me kryeministrin Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe krerë të tjerë institucionalë, nuk është tërhequr nga dëshira e tij, që për korrigjimin e kufijve të flasë në dialogun me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Raundi i ri i bisedimeve në Bruksel, në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq është planifikuar të mbahet më 7 shtator.

Thaçi ka thënë se në dialog do të flasë për mundësinë e bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat