Kurti thërret për protestë, e quan Thaçin kriminel që po e shet Kosovën

Aktuale

Kurti thërret për protestë, e quan Thaçin kriminel që po e shet Kosovën

Më: 2 shtator 2018 Në ora: 10:00
Drejtpërdrejt nga mbledhja e këshillit të Lëvizjes Vetëvendosjes

(E plotësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka bërë thirrje anëtarëve të saj që të mobilizohen pasi në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosen në krye të protestave qytetare e paqësore për ta ndalur siç tha ai, krimin që po i bëhet Kosovës dhe për ta ndalur presidentin Hashim Thaçi për ta shitur Kosovën.

Kreu i VV-së këto komente i ka bërë gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë që e drejton, ku tha se shitja e Kosovës po bëhet për imunitet politikanësh nga gjykatat ndërkombëtare.

Kurti: Duhet të angazhohemi në protesta për ta ndaluar shitjen e Kosovës

“Ne duhet të angazhohemi në protesta për ta larguar Thaçin, për të ndaluar shitjen e Kosovës që po bëhet për imunitet politikanësh nga gjykatat ndërkombëtare të imponuara prej vet atyre. Jo të na i ndryshojnë kufijtë një kriminel i cili është i shquar për dallavere me Serbinë dhe që na ka larguar edhe më shumë prej Shqipërisë gjatë qeverisjes së vet. Duhet të angazhohemi për largimin e Thaçit, sepse Thaçi sot është më i dëmshëm se kurrë. Prandaj, po bënë edhe marrëveshje më të këqija se kurrë ndonjëherë më parë. Jemi edhe dëshmitarë që prokuroria e Kosovës është bërë vend i kalbur i republikës tonë, e Qeveria është bërë Qeveri e brejtësve që e gërryen buxhetin e shtetit dhe pasurinë e Kosovës. Ne nuk mund ta durojmë një president qyqe ndaj Serbisë dhe as një kryeministër zhvatës të buxhetit. Ne duhet të angazhohemi për Republikën e tretë, e cila do të jetë Republikë për zhvillim e punësi m, për drejtësi që ndalon korrupsionin”, tha Kurti.

Image

Ndërsa, sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve, Kurti ka thënë se sjellë vetëm ndarjen e Kosovës dhe ndarjen e Kosovës lindore.

Kurti: Ideja për shkëmbim territorial sjellë vetëm ndarjen e Kosovës

“Ideja dhe diskutimi për shkëmbim territorial, e që po quhet korrigjim i kufirit, sjellë vetëm ndarjen e Kosovës dhe ndarjen e Kosovës lindore. Ndarjen e Kosovës në lumin Ibër dhe ndarjen e Kosovës lindore, përkatësisht veçimin e Preshevës nga aksi dhe Bujanoci e Medvegja. Nëse pranojmë një logjikë të tillë, çka do të bëjmë kur Maqedonia do të ofrojë shkëputjen e Tetovës, Gostivarit, e Kërqovës, a do të pranojmë spastrimin e Shkupit, Kumanovës, Strugës etj, sikurse që është bërë me Manastirin, por kësaj radhe edhe më shpejt. Kjo logjikë është antishqiptare dhe ne do ta luftojmë atë. Ajo çka i duhet Luginës dhe shqiptarëve atje janë respektimi i të drejtave njerëzore e politike, ndihma institucionale dhe ekonomike e Kosovës dhe e Shqipërisë, si dhe këmbëngulja për reciprocitet që ata të kenë po aq të drejta sa serbët në Kosovë. Ndryshimi në veri është në dëmë të shqiptarëve, falja e territorit në v eri është shkatërrim përfundimtar i shpresave për bashkim të Mitrovicës dhe për kthim të shqiptarëve në shtëpitë e tyre”, është shprehur ai.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se presidenti Thaçi i ka sjellë dy të këqija të mëdha vendit, zajedinciën dhe ndarjen e Kosovës, duke thënë se tash po kërkon ta zgjidhet njëra.

Kurti: Ne e kemi në dorë që ta detyrojmë Serbinë ta ndryshojë vetën

“Se duhet të ketë bisedime me Serbinë ato duhet të jenë parimore dhe t’i shërbejnë përparimit dhe demokratizimit të të dyjave vendeve. Ato duhet të bazohen tek njohja e Kosovës dhe pranimi, tek kërkim falja dhe dëmshpërblimi për krime lufte, sepse bisedime me Serbinë pa njohje të Kosovës, e pa pranim të krimit të luftës e forcon në Serbi faktorin antishqiptarë, e shovinistë. Ne e kemi në dorë ta mbrojmë jo vetëm vetveten nga Serbia, por edhe Evropën nga Serbia, sepse ne  e kemi në dorë që ta detyrojmë Serbinë ta ndryshojë vetën para se të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Me bisedimet e Thaçit është forcuar rryma çetnike në Beograd dhe Serbia e atillë ka avancuar drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.

Kurti tha se ndryshimi i kufijve e dëmton Luginën, pasi sipas tij, Serbia e ka bërë të qartë se nuk do të lejojnë të preket territori matanë autostradës e hekurudhës.

Kurti: Serbia nuk do të lejojë të preket territori matanë autostradës e hekurudhës

“Është bërë e qartë nga Serbia se ata nuk do të lejojnë të preket territori matanë autostradës e hekurudhës, që ata e konsiderojnë të jetë strategjike meqë e lidh Beogradin me Shkupin, Sofjen, Stambollin e Athinën. Kjo do të thotë që një numër i madh i fshatrave në komunat shqiptare të cilat janë në të dyja anët e autostradës nuk do të lejoheshin t’i bashkohen Kosovës. A e dini çka do të thotë kjo, që sipas parimit demografik dhe duke mos lejuar afrimin tek autostrada e hekurudhave, Serbia ka mundësi që të lejojë vetëm qytetin e Preshevës, fshatin e Tërrnocit e Kollqunit që të bashkohen me Kosovën. Dikush mund të thotë se edhe kjo është fitore se të paktën merr diçka, mirëpo kjo është humbje e madhe. Territoret e tjera shqiptare do të detyroheshin të shndërroheshin në minoritet të papërfillshëm dhe të humbnin të drejtat e tyre politike e përfaqësuese dhe shpejt do të spastroheshin prej shqiptarëve”, ka potencuar ai.

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se duhet një angazhim për bashkim me Shqipërinë që kalon nëpërmjet federatës shqiptare, pasi sipas tij vetëm kësisoj do të jenë në gjendje edhe të punojnë për zhvillim më të shpejtë ekonomik, edhe për mirëqenie edhe për të forcuar ushtrinë e kapacitetet mbrojtëse.

Kurti ka bërë thirrje që të ndalet Thaçi, të afrohen më shumë me Shqipërinë.

***

Sot gjatë fjalimit të tij në këshillin e radhës të Vetëvendosjes, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka ftuar qytetarët e Kosovës në protesta, për ta ndalur Hashim Thaçin nga marrëveshjet me Serbinë.

“Ne do ta ndalim Thaçin përmes protestave, andaj duhet të angazhohemi të gjithë që të jemi pjesë e tyre. Mos të harrojmë se edhe Veriu i Mitrovicës ka shumë shqiptarë”, ka thënë Kurti, përcjell “Bota sot”.

Ai më tej ka thënë se Serbia sonte do t’ia jepte Bujanovcin Kosovës sonte, pasi që nuk ka interes nga ajo zonë.

***

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke komentuar korrigjimin e kufirit, u ka bërë thirrje anëtarëve të saj që të mobilizohen pasi në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosen në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur krimin që po i bëhet Kosovës dhe popullit tonë.

Kurti në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të VV-së, ka thënë se fatkeqësisht Kosova po kalon në një moment të vështirë.

“Një udhëheqësi e kapur dhe e kriminalizuar, e udhëhequr nga Thaçi, po e nxjerr në shitje territorin e Kosovës për të fituar paprekshmërinë individuale. Ne këtë nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë këtë pasi e kemi obligim historik dhe moral. Situata politike është ajo që ka nevojë për forcim të organizatës në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosemi në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë”, ka thënë ai.

***

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje po mban mbledhjen e radhës, ku pritet të flas kryetari i VV-së, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat