Veseli: Nuk do të ketë ndarje, ftoj partitë që mos flitet për ndarjene

Aktuale

Veseli: Nuk do të ketë ndarje, ftoj partitë që mos flitet për ndarjene

Më: 2 shtator 2018 Në ora: 15:27
Kadri Veseli

Iniciativë absurde, tragjike dhe manipuluese e ka quajtur kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, kërkesën për seancën e së martës, seancë e cila është thirrur nga partitë opozitare për të miratuar një rezolutë për mbrojtje të territorit të Kosovës

Këto komente kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i ka bërë gjatë një tryeze diskutimi të mbajtur sot në qytetin e Mitrovicës, ku edhe ka premtuar se nuk do të ketë kurrë ndarje të këtij qyteti.

Veseli ka thënë se për herë të parë partitë opozitare në institucionin më të lartë të vendit e vejnë në pyetje tërësinë territoriale të Kosovës. Prandaj, ai u ka bërë thirrje partive opozitare që të mos diskutohet ndarja por vetëm për bashkim të luginës së Preshevës.

Veseli: Për herë të parë e vejnë në pyetje vetë tërësinë territoriale

“Është tragjike sepse këto forca opozitare në institucionin më të lartë të vendit e vejnë, për herë të parë e vejnë në pyetje vetë tërësinë tonë territoriale, do të thotë brenda institucionit më të lartë të Kosovës e vejnë në pyetje ndarjen e Kosovës. Ky është një precedent tepër i rrezikshëm për shtetin tonë. Por, është edhe manipuluese sepse nëse kemi ardhur në ditë që integriteti territorial i Kosovës të mbrohet veç me rezolutë, kur flitet për Preshevën, për bashkimin kombëtar, atëherë kjo është shumë manipuluese dhe jo e sinqertë nga ana e opozitës. Unë ju pyes ju dhe tërë shqiptarët, kush më së shumti ka folur kundër kushtetutës së vendit dhe shtetit të Kosovës për efekte patriotizmi manipulues, popullsitë sesa kjo opozitë që ka iniciuar tani debatin parlamentar që gjoja ruajtjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se kauzat e rreme nuk e mbrojnë shtetin, përkundrazi sipas tij ato e rrezikojnë shtetin. Ai tha se shteti mbrohet gjithmonë duke u respektuar kushtetuta dhe duke u vënë interesi i shtetit përpara interesave partiake.

Nga vendlindja e tij, kreu i Kuvendit të Kosovës u ka bërë thirrje partive politike opozitare që të martën të mos flitet për ndarje, por të flitet për bashkim, për platformë të përbashkët të ballafaqimit me Serbinë.

Veseli: I thërras kolegët e partive opozitare në racionalitetin e tyre

“Nuk i frikësohemi dialogut me Serbinë, nuk i frikësohemi Serbisë, do të dalim faqebardhë edhe më të fortë nga ky proces nëse jemi të bashkuar, nëse ruajmë partnerët tanë ndërkombëtar dhe nëse dimë e jemi të vendosur në këtë proces. I thërras kolegët e partive opozitare në racionalitetin e tyre. Lëvizja Vetëvendosje duhet ta ndal rrënimin e shtetit tonë me mohimit që po i bën shtetit, me manipulime me kauzën e shenjtë të bashkimit kombëtar, se nuk arrihet bashkimi kombëtar duke e shuar shtetin e Kosovës.... Kisha ftuar LDK që të distancohet nga ato nënshkrime, mos të flasim të martën për ndarje, mos t’i futet avazit të VV. Ndryshe, nëse të martën nuk lëviz nga ato qëndrime, qëndrimi i parë i PDK-së, do të jetë që LDK hapin e parë i cili është faktik për Kosovën, që është në dëmë nacional, është që të distancohet nga marrëveshja të cilën e ka nënshkruar për asociacionin me kompetenca ekzekutive . Ky është realisht rreziku i parë nacional që e ka Kosova aktualisht, është asociacioni me kompetenca ekzekutive e cila nënkupton pushtetin e tretë dhe nënkupton bosnjëzimin e Kosovës, pastaj edhe ndarjen”, ka deklaruar Veseli.

Veseli tha se nëse duhet të bisedohet diçka të martën është kjo që LDK të distancohet nga ky nënshkrim që e ka bërë në Bruksel.

Ndërsa, ka thënë se asociacioni me kompetenca ekzekutive është i papranueshëm, madje shtoi se është më i rrezikshëm sesa vet ndarja.

Veseli: Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të jetë i papranueshëm

“Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të jetë i papranueshëm, për këtë të jeni të sigurt edhe për arsye se është më e rrezikshme se vet ndarja. Aktualisht elementi faktik të cilin e ka Republika e Kosovës është veç asociacioni me kompetenca ekzekutive, kjo është ajo e cila duhet të evitohet si rrezik. Nuk është as ndarja, as biseda ndaj Preshevës”, tha Veseli.

I pari i Kuvendit ka garantuar bashkëqytetarët e tij se Mitrovica asnjëherë nuk do të ndahet, madje ai tha se pa Mitrovicë nuk ka Kosovë.

Kurse, zërat se Mitrovica do të ndahet i ka quajtur zëra të qarqeve që nuk ia duan të mirën Mitrovicës dhe Kosovë, zëra pro rus e pro serb.

Veseli: Mitrovica kurrë nuk do të preket

“Këta zëra janë njerëzve të qarqeve që nuk ia duan të mirën as Mitrovicës e as Kosovës. Nuk e njohin Mitrovicën, nuk e duan Mitrovicën, ose aq shumë e njohin e duan vetëm për interesat e tyre të kufizuara, jo në interes të Mitrovicës as të mitrovicasve. Janë zëra që ngritin panik tek qytetarët dhe në këtë mënyrë ju shërbejnë qëllimeve të këqija anti Kosovë. Janë zëra pro rus, janë zëra pro serb të mbushur plotë me patriotizëm të cilët nuk do të kenë sukses dhe do t’i ndalim me çdo formë. Këta zëra armiqësor kanë me u ndesh me vendosmërinë tonë të plotë, Mitrovica kurrë, ama bash kurrë nuk do të preket. Mitrovica ka qenë dhe përgjithmonë do të mbes zemra dhe krenaria e Kosovës, pa Mitrovicë nuk ka Kosovë dhe nuk do të ketë as Kosovë pa Mitrovicën”, ka potencuar Veseli.

Tryeza vazhdoi me deklarata të përfaqësuesve dhe analistëve lokal, derisa Veseli shtoi se është i bindur që ata se po bërtasin për patrotizëm dhe po ua bëjnë me gisht tradhëtavët, askujt më shumë se vetëvetes nuk ua përngjajnë tradhtinë.

Veseli foli edhe për draft platformën e PDK-së, duke porositur se shteti duhet të mbrohet me vepra dhe jo me fjalë, duke tentuar të rrënohet dhe frikësuar popullin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat