Beqiri-Veselit: Nëse keni hy në pazare, do të dështoni

Aktuale

Beqiri-Veselit: Nëse keni hy në pazare, do të dështoni

Më: 2 shtator 2018 Në ora: 22:29
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po tenton të manipulojë duke akuzuar të tjerët lidhur me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai në një postim në Facebook shkruan se Veseli vazhdimisht e ka mbrojtur asociacionin e komunave serbe, ndërkohë që tash deklaron se është i rrezikshëm.

Beqiri thotë se për LDK-në është i pranueshëm vetëm ajo që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke implementuar vërejtjet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për një asociacion pa fuqi ekzekutive.

Postimi i plotë:

Paska fol Kadria për Asociacionin, për atë se kush e ka nënshkruar, se mund të “Bosnizohet “Kosova..., shtrohet pyetja vallë mos ka qenë ai jashtë Kosove në atë kohë, mos ka qenë në ilegalitet, apo ka qenë hiq më pak se Kryetar i Kuvendit. Pas shefit të tij, edhe Kadriu po fol kuturu, po tenton të manipuloj dhe po thotë të pavërteta, të akuzoj të tjerët. Asociacioni është përgatit në kohën kur ka qenë Km i vendit shefi i juaj, e është nënshkruar formalisht kur zv.km dhe ministër i punëve të jashtme ka qenë po ashtu shefi i Kadrisë, pra Hashimi.

Edhe tani kur po bëhet Statuti i Asociacionit, më duket apo e kam gabim, ju jeni kryetar i Kuvendit. Ju e keni mbrojt vazhdimisht këtë Asociacion, e tash na thoni se qenka i rrezikshëm! Çka po ndodh me ju? Çka është ky panik? Nga zëdhënës dhe mbrojtës i kësaj pune, të bërë nga bashkëpartiaku juaj, qenkeni bërë kritikues e po kërkoni llogari prej dikujt tjetër, vërtet kj o është shaka e pakripë , kjo është për konsum politik disa orësh, asgjë më tepër. Megjithatë kjo mund të bëhet serioze, kjo mund të nënkupton se ju po i përgatitni ndonjë të keqe Kosovës. Por nëse keni hy në pazare, sigurisht do të dështoni.

Për LDK është i pranueshëm vetëm ajo që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke implementuar vërejtjet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, pra Asociacion pa fuqi ekzekutive. E ju çka po thoni e pëshpëritni tani, janë thjeshtë gjepura. Është Marrëveshja, janë nënshkrimet, datat, kush çka ka thënë, kush çka ka bërë.

Nuk ju shiten këto të pavërteta. Qytetarët e dinë, nuk janë analfabetë politikë. Seanca e 4 shtatorit, ka për qëllim angazhimin tonë për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, kjo është detyra jonë. Tentimi me zhvendos vëmendjen diku tjetër nuk ju kalon. Për Asociacionin pyete shefin tënd, konsultohu me ta, apo mbase edhe ai tash fol ndryshe, nuk do të ishte çudi...fol me të edhe për “korrigjim” kufijsh, adresa e kësaj ideje të papranueshme për ne dihet ku është. Mos i harro edhe miqtë ndërkombëtarë, apo do të kërkoni distancim edhe nga ata. I.Beqiri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat