Lista serbe kthehet në Kuvend, seanca shtyhet për nesër në ora 14:00

Aktuale

Lista serbe kthehet në Kuvend, seanca shtyhet për nesër në ora 14:00

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 09:24
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se seanca e jashtëzakonshme do të vazhdojë nesër në ora 14.00, pasi bojkoti dhe mungesa e gatishmërisë së opozitës ka krijuar edhe një situatë të mungesë së konsensusit të marrjes së vendimit për ekipin negociator në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Ai në një konferencë për media pas dështimit të seancës së sotme për miratimin e delegacionit qeveritar për dialogun me Serbinë,  foli edhe sa i përket deklaratës së shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kishte thënë se do ta pamundësojnë ndarjen e Kosovës.

Veseli: S’ka mbet Kosova ta mbrojë Avdullah Hoti

“S’ka mbet Kosova ta mbrojë Avdullah Hoti e për ta copëtuar ne. Kosova është strehë ku jetojmë bashkërisht. Sot është dashur që LDK dhe Avdullah Hoti të jetë në sallë që ne bashkërisht të marrim vendim që opozita dhe opozita të ishin në ballafaqim me Serbinë. Nuk është serioze, ndoshta është një lojë e fitimit të pushtetit përmes manipulimit të tillë, por hairin nuk ka me ia pa Kosova. Nëse vjen Kosova ka ardhur në një moment që bijat dhe bijtë e vetë ta copëzojnë si plakë dhe nëse ka ardhur në situatë që Avdullah Hoti me e mbrojt, atëherë s’paskemi pasur të djeshme, as të ardhshme, por të ardhshme, por do të kemi të ardhme pasi jemi të vendosur që asnjë copë e tokës as mos të ndahet as mos me lejuar Serbinë e Avdullahu shpresoj se do ta tregoj veten”, ka thënë ai.

Kreu i Kuvendit tha se duhet të ishin partitë shqiptare në Kuvend për të marrë vendim për Kosovën, por mos pjesëmarrja e opozitës ishte ajo që ndikoi që seanca e sotme të mos vazhdojë punimet.  

Veseli: Mos pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë sallë po shkakton këtë ndarje

“Mos pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë sallë po shkakton këtë ndarje, e cila dëmton shtetin tonë dhe do të duhej të ishim bashkërisht të mos çonim mesazh të përçarjes te qytetarët”, ka thënë Veseli.

I pyetur se a ka pasur vota për vazhdim të seancës për shkak të kushtëzimit të deputetëve të Listës Serbe, kryeparlamentari Veseli ka hedhur poshtë një gjë të tillë, duke thënë se asnjëherë nuk do t’i nënshtrohen asnjë kushtëzimi.

Veseli: Kurrë nuk do të ketë në Kosovë kushtëzime nga Lista Serbe

“Kurrë nuk do të ketë në Kosovë kushtëzime nga Lista Serbe, sepse s’na ka bërë përshtypje kurrë Serbia, por i respektojmë kolegët e Listës Serbe, i thërrasim të marrin në vendimmarrje, por më shumë se të tjerët, sot është dashur që shqiptarët të jenë bashkë dhe nuk do t’i nënshtrohemi asnjë kushtëzimi”, tha Veseli.

Ai ka kërkuar që shqiptarët të jenë më të bashkuar, për një vendimmarrje në interes të qytetarëve, ndërsa premtoi se nëse bëhen 61 deputetë do të kthehet në seancë.

Shtyhet edhe një herë seanca

Është shtyrë edhe njëherë seanca e Kuvendit të Kosovës, e paraparë të niste në orën 18:30.

Deputetë Haxhi Shala dhe Donika Kadaj-Bujupi kanë thënë shkurt se seanca është shtyrë, teksa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka deklaruar se “sonte s’do të mbahet seanca”.

Ata s’kanë bërë të ditur kur do të vazhdojë ajo.

Deputetët largohen nga salla

Një numër i vogël i deputetëve që pritën për më shumë se një orë, kanë lëshuar sallën e Kuvendit.

Seanca e jashtëzakonshme që ishte thirrur sot me kërkesë të qeverisë, ishte paraparë që të vazhdojë punimet në ora 18:30.

Përkundër insistimit të mediave, asnjëri nga ta nuk ka pranuar të prononcohet. Krejt çka thanë ata, ishte “përshëndetja për natë të mirë”.

Ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë punimet seanca për miratimin e ekipit qeveritar për negociatat me Serbinë, të cilin do ta udhëheq zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

Ende nuk nis seanca

Seanca e jashtëzakonshme që ishte paralajmëruar të mbahet në ora 18:00 ende nuk ka nisur.

Në sallën e seancave plenare gjenden disa nga deputetët e AAK-së si dhe deputetët e Listës Serbe.

Në sallë po ashtu është edhe ministri nga komuniteti turk, Mahir Jagxhillar, i cili është edhe pjesë e ekipit negociator për dialog me Serbinë, që është propozuar nga Qeveria e Kosovës e që pritet të votohet në seancën e sotme. 

Prej orës 12 e 30 kur u tha se do të ketë pauzë prej 20 minutash, më nuk ka pasur vazhdim të seancës. 

Më pas u lajmërua se seanca do të vazhdonte në 16 e 30, por si duket pozita nuk ishte gati për votim, pasi mungojnë të gjitha votat, dhe u vendos që seanca të vazhdonte në orën 18:30. 

Image

Deputetët e Listës Serbe të parët në Kuvend

Tre deputetë të Listës serbe janë në sallë për seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga qeveria e Kosovës.

Seanca e filluar nga ora 9:00 e mëngjesit është shtyrë dy herë dhe pritej të fillonte nga ora 18:30.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme pritet të votohet ekipi negociator i qeverisë, i propozuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Po vazhdon seanca e thirrur nga Qeveria me propozimin për miratimin e një delegacioni qeveritar për dialogun me Serbinë.

Në pjesën e parë nuk mori pjesë opozita.

Seanca e Kuvendit shtyhet përsëri, vazhdon në 18:30

Seanca e jashtëzakonshme e cila ishte paraparë të fillojë në orën 16 e 30 është shtyrë për në orën 18 e 30.

Sipas një njoftimi nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës kjo është bërë me kërkesë të iniciuesit.

Seancën e jashtëzakonshme për të votuar emrat e propozuar për ekip negociator në bisedime me Serbinë është kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Seanca e jashtëzakonshme ka filluar në orën 9 në mëngjes por që është ndërprerë pasi që partitë në opozitë kanë bojkotuar seancën.

Edhe një seancë e jashtëzakonshme ka pasur të mbahet po sot por kjo me kërkesë të opozitës për të nxjerrë një rezolutë me të cilën kërkohet ndërprerja e bisedimeve me Serbinë nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Seanca e Kuvendit vazhdon në 16:30

Zyra për media në Kuvendin e Kosovës, ka bërë të ditur se me kërkesën e iniciuesit të seancës se sotme të jashtëzakonshme, Kuvendit shkon në pauzë deri në orën 16:30.

Kjo seancë është thirrur me kërkesën e Qeverisë së Kosovës për të votuar për ekipin negociator në dialog me Serbinë.

Kuvendi është në pauzë që prej orës 11:00. 

Vazhdon seanca për ekipin negociator (Drejtpërdrejt)

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me shqyrtimin e propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e ekipit negociator për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, po vazhdon pas konsultimeve të pozitës.

Seanca për ekipin negociator ndërprehet për konsultime

Edhe Grupi Parlamentar i Nisma Socialdemokrate i ka dhënë mbështetje ekipit negociator të Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, por me të vetmin kushtë, që të jetë një platformë e përbashkët në mes ekipit, presidentin Hashim Thaçi dhe opozitës.

Shefi i GP të Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se nëse nuk arrihet një platformë e përbashkët edhe me opozitën, me presidentin dhe qeverinë, ka frikë se krejt ky proces për dialogun do të kthehet në bumerang.

Sherifi: Kërkohet platformë e përbashkët

“Nëse nuk arrihet një platformë e përbashkët edhe me opozitën, edhe me presidentin dhe qeveria-delegacioni, unë kam frikë se krejt ky proces do të na kthehet në bumerang dhe nuk do të doja këtë. Ne kemi besim, Nisma në delegacionin qeveritar, pa dyshim, për ndryshe nuk do t’ia japim mbështetjen. Ajo edhe që i kemi thënë zotri Limaj, është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe, sepse dialogu me Serbinë ka filluar në vitin 2011 dhe kanë hyrë e kanë dal shumë ministra, zëvendëskryeministra, kryeministra, por një është i pa ndryshueshëm, Hashim Thaçi, i cili tash në cilësinë e presidentit të Republikës do të jetë sërish aty me një agjendë për të cilën edhe Limaj dhe kryeministri me qeveri”, ka thënë Sherifi.

Seanca ndërprehet për konsultime

 Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me shqyrtimin e propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e ekipit negociator për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ka shkuar në pauzë për konsultime.

U tha se do të vazhdojë pas 20 minutave.

Daut Haradinaj: Territori i Kosovës nuk guxon të negociohet

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj tha se do të jap votën pro ekipit negociator. Sipas tij kujdes duhet të kenë me çështjen e territorit të Kosovës, sipas tij nuk duhet të bisedohet për këtë çështje.

“Du me bo të qartë që do ta jap votën për ekipin negociator dhe kusht i vetëm është që me asnjë variantë nuk guxon të jetë në tavolinë pjesë e diskutimeve territori i Republikës së Kosovës që është shpallë me 17 shkurt, e kanë besimin tim dhe e përsërit nëse bëhen lojëra këtu kemi me ardh me marr jo besimin” tha Haradinaj

Kuvendi i Kosovës po mbanë mbledhjen e nëntë si mbledhje të jashtëzakonshme, ku Qeveria thotë se do të diskutojë për ekipin negociator që do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë. Ndërsa sot edhe opozita në Kuvend do të kërkojë miratimin e një rezolute për të kundërshtuar pjesëmarrjen e presidentit Hashim Thaçi në bisedimet në Bruksel.

AAK mbështet ekipin negociuar për dialogun me Serbinë

Edhe grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë ka deklaruar se e mbështesin ekipin negociator të emëruar nga Qeveria e Kosovës për dialogun me Serbinë.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi gjatë kësaj seanca të jashtëzakonshme u shpreh se përkrahin këtë ekip duke pasur parasysh zbatimin e Kushtetutës dhe integritetin e vendit.

Isufi: Ne e përkrahim këtë ekip

“Ne me që është kërkuar edhe më herët që Qeveria të jetë udhëheqëse e këtij dialogu, atëherë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrah duke pasur gjithmonë parasysh zbatimin e kushtetutës, respektimin e integritetit, sovranitetit të vendit”, u shpreh ai.

Ndryshe, në këtë seancë të thirrur nga kryeministri i Kosovë, Ramush Haradinaj nuk janë duke marrë pjesë partitë opozitare.

Image

 Kryeministri i Koosvës, Ramush Haradinaj në seancën e jashtëzakonshme të nisur një orë e gjysmë me vonesë, i ka prezantuar Kuvendit të Kosovës propozim vendimin për ekipin negociator të Kosovës, të përbërë nga Fatmir Limaj kryesues, Enver Hoxhaj zëvendëskryesues, Behgjet Pacolli anëtar, Dardan Gashi anëtar, Mahir Yagcilar anëtar dhe Avni Arifi anëtar.

Haradinaj tha se në këtë ekip rezervohen vendet edhe për përfaqësuesit e opozitës dhe nga shoqëria civile. Njëkohësisht ai tha se Parlamenti i Kosovës, duke i dhënë besimin ekipit negociator, po ashtu mund t’i kërkon edhe platformën për negocim.

Haradinaj: Në këtë ekip rezervohen vendet për opozitën dhe shoqërin civile

“Qeveria e Kosovës sjellë para Kuvendit për aprovim propozim vendimin për ekipin negociator të Kosovës. Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Qeveria e Kosovës do të përfaqësohet me këtë ekip negociator: Fatmir Limaj kryesues, Enver Hoxhaj zëvendëskryesues, Behgjet Pacolli anëtar, Dardan Gashi anëtar, Mahir Yagcilar anëtar dhe Avni Arifi anëtar. Po ashtu, në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës, përfaqësues nga LDK, nga VV, nga PSD, nga Alternativa dhe nga shoqëria civile. Njëkohësisht Parlamenti i Kosovës, duke i dhënë besimin ekipit negociator, po ashtu mund t’i kërkon edhe platformën për negocim”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, opozita në këtë seancë të jashtëzakonshme nuk është duke marrë pjesë.

PDK pro ekipit negociator të propozuar nga Qeveria

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se kjo parti do ta votojë ekipin negociator të caktuar nga Qeveria e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij vendimi i Qeverisë së Kosovës është vendim i drejtë.

Krasniqi:Vendimi i Qeverisë i drejtë

“Pas tryezave dhe takimeve të ndryshme për të tentuar për të arritur një konsensus nacional në lidhje me dialogun në Bruksel ne besojmë që vendimi Qeverisë është vendim i drejtë dhe duhet ta mbështesim të gjithë bashkërisht, kështu që në emër të  Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës ne i japim mbështetje dhe do ta votojmë“, tha Krasniqi.

Ndryshe, seanca e thirrur nga kryeministri e cila pritet të fillojë në ora 09:00, ku pikë e vetme e rendit të ditës është shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e ekipit negociator për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë ka filluar me rreth një orë e gjysmë vonesë.

Këtë seancë e kanë bojkotuar partitë opozitare, ndërsa në orën 10 ishte e paraparë të fillojë seancë e thirrur nga opozita në  të cilën është paralajmëruar debat parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Image

***

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka nisur pas më shumë një orë vonesë. Në këtë seancë lidhur me shqyrtimin e propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e ekipit negociator për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, një nga deputetit iu është përkeqësuar gjendja në sallën e Kuvendit dhe aktualisht është shtruar në emergjencë.

Ai njoftoi se bashkë me të janë edhe dy deputet të tjerë dhe kjo ka bërë që seanca të mos nis në kohën e parparë.

Haradinaj ka cituar edhe njëherë pjesëmarrësit në ekipin negociator, duke filluar me kryesuesin, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj zëvendës-kryesues, dhe anëtarët Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Jagxhilar.

Nis seanca për emërimin e ekipit negociator

Pak para fillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për miratimin e ekipit negociator për dialogun me Serbinë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, para mediave ka deklaruar se Opozita duhet të jetë pjesëmarrëse në seancën për këtë rezolutë. Haradinaj në këtë deklaratë ka thënë se nuk e ka të sigurt nëse i ka votat për ekipin negociator për dialogun me Serbinë.

 “Ata kanë mujt me ardh sot edhe me marrë hisen e vet. Unë jam në komunikim me spektrin politik në vend. Kjo formulë mund të ju duket e padukura, por si të jepet zgjidhja. Si me marrë partitë pushtet në një seancë të opozitës neëse opozita s’merr pjesë në seancë për me i dhënë pikëpamjet e veta. Nuk është kjo rrugë e duhur e opozitës”, ka thënë Haradinaj para mediave.

Tutje ai është shprehur se opozita nuk tregon patriotizëm për mos-pjesëmarrje në këtë seancë.

"Mungesa e kuorumit është mosaftësi e Kosovës për me ecë këtë temë. Ne kemi krizë në Kosovë, gjendje ekonomike joaq të mirë. Kemi probleme të shumta, por po punojmë për me konsolidu Kosovën. Edhe ne jemi Kosovë në këtë rast, jo që jemi patriot më pak se ata”, ka deklaruar Haradinaj.

***

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës tashmë kanë nisur që të futen në seancën e Kuvendit të Kosovës për ta miratuar propozimin e Qeverisë. Përveq tyre, në seancën e Kuvendit deri tani janë parë duke hyrë vetëm dy deputetët të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, opozita ka bojkotuar seancën e Kuvendit të thirrur për në orën 9. 

Lidhja Demokratike e Kosovës do ta bojkotojë seancën e thirrur me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj ku do të shqyrtohet propozim-vendimi i Qeverisë për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka bërë me dije, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti.

“Ne nuk marrim pjesë sepse mendojmë se kjo është një përpjekje e kryeministrit dhe Qeverisë për ta prishur seancën e orës 10:00. Ne Nuk do të lejojmë që askush të luajë me territorin e Kosovës. Ne do të marrim pjesë në seancën e orës 10:00”, ka thënë Hoti pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK’së.

Ndryshe, seanca është thirrur të fillojë në ora 09:00, kurse një tjetër seancë pasuese, po ashtu e jashtëzakonshme, është thirrur nga opozita, në përpjekje të miratimit të një resolute kundër bisedimeve që kanë për qëllim ndryshimin e kufirit të Kosovës.

Seanca për ekipin negociator (Drejtpërdrejt)

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj për ta shqyrtuar propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e ekipit negociator për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

PSD ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancë, pasi vlerësojnë se çdo diskutim duhet të bëhet në seancën e paraparë të mbahej në ora 10:00, që është thirrur me kërkesë të opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat