Tubim në përkrahje të të drejtës për identitet gjinor

Aktuale

Tubim në përkrahje të të drejtës për identitet gjinor

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 13:54
Një grup qytetarësh kanë mbajtur sot një tubim të qetë para Gjykatës Kushtetuese

Një grup qytetarësh kanë mbajtur sot një tubim të qetë para Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar që të respektohen të drejtat e njerëzve për ndërruar gjininë.

E gjithë kjo ka ardhur si reagim ndaj refuzimit të kërkesës së Blert Morinës për ndërrim të emrit dhe shënjuesit të gjinisë nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë dhe Agjencisë për Regjistrimin Civil. Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut për privatësi dhe mosrespektim i obligimeve që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi, kanë vlerësuar organizatorët.

Lendi Mustafa, njëri nga organizatorët e tubimit, ka thënë se ky veprim i institucioneve paraqet konflikt administrativ dhe për këtë arsye në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dorëzuar një padi.

Megjithatë, për shkak të zvarritjeve të procedurave gjyqësore, padia është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese.

Mustafa: Lënda është dërguar në Gjykatën Kushtetuese

“Padia për konfliktin administrativ është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mirëpo në rastin konkret kjo padi paraqet mjet joefikas juridik për shkak të zvarritjeve të procedurave gjyqësore dhe rrethanave të posaçme të rastit. Për këtë, është dorëzuar kërkesa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese e cila do të duhet të pranohej për shqyrtim sepse në rastin konkret padia në Gjykatën Themelore nuk paraqet mjet efektiv juridik në kuptimin e nenit 32 të Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, po ashtu nuk e siguron adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut brenda një kohe të arsyeshme.

Mustafa: E përkrahim kërkesën e Blert Morinës

“E përkrahim fuqishëm kërkesën e Blert Morinës për njohjen e identitetit e tij gjinor në dokumentet e identifikimit dhe një herësh e mbështesim kërkesën e tij të deponuar në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Agjencisë për Regjistrim Civil me të cilin është refuzuar kërkesa e tij për ndryshimin e emrit dhe gjinisë“, ka thënë ai.

Qytetarët e mbledhur e kanë mbyllur organizimin me vendosjen e pankartës “Garantoni të drejtën e identitetin gjinor” në rrethojat e objektit të Gjykatës Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat