Rrëfimi i familjes për vrasjen në AKI: Nuk e dimë pse u vra djali ynë

Aktuale

Rrëfimi i familjes për vrasjen në AKI: Nuk e dimë pse u vra djali ynë

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 17:51
Objekti i AKI ku u krye vrasja

Ende nuk e dinë se si u vdiq familjari i tyre. Gjithçka duket e paqartë për familjen e punëtorit të AKI’së, Isa Sejdiun, i cili dje me dy plumba u vra në vendin e tij të punës, nga kolegu Valon Ibërdemaj. Media ka qëndruar sot në familjen e viktimës. Ata thonë se nuk dinë asgjë se si ndodhi ky rast dhe se i ndjeri asnjëherë nuk u kishte thënë atyre se ka ndonjë problem me ndonjë person. I ndjeri u varros sot në varrezat e qytetit të Vushtrrisë. Ndërkohë nga ana e institucioneve të sigurisë në vend, motivet e kësaj ngjarjeje ende mbeten të pa qarta

Dhjetëra persona ia kishin mënyrë në pasditen e sotme shtëpisë së Isa Sejdiut nga Vushtrria. Ata po shkonin për kryeshnosh tek familja e Sejdiut i cili gjatë ditës së djeshme u vra në vendin e tij të punës, në institucionin më të lartë të sigurisë në vend, në AKI.

Familja e Isa Sejdiut thonë se nuk i dinë arsyet që quan në këtë vrasje. Ata kanë treguar se familjari i tyre asnjëherë nuk ua ka shprehur ndonjë shqetësim.
“Ne ende nuk i dimë arsyet e kësaj vrasjeje. Isa si çdo ditë tjetër edhe dje shkoi në punë. Nuk e dimë se si e vrau apo pse e vranë Isanë”, deklarohen familjarët.

Ata kanë hapur të pamën për personat të cilët po shkojnë për t’i ngushëlluar ata. I ndjeri ishte i martuar dhe ka lënë pas 3 fëmijë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarit Valon Ibërdemaj, në lidhje me vrasjen që ndodhi mëngjesin e kaluar në ndërtesën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. 

Lajmin për kërkimin e paraburgimit e ka bërë të ditur, zëvendës kryeprokurori në Prishtinë, Ibrahim Berisha.

“Ne në bazë të detyrave tona kemi kërkuar një muaj paraburgim për të dyshuarin V.I. Kërkesa nga ana e prokurorisë tashmë është dorëzuar në Gjykatë”, ka deklaruar Berisha.

E ndërkohë, viktima dhe i dyshuari për vrasjen kishin qenë shokë me njëri-tjetrin. Një përleshje mes tyre mëngjesin e së martës përfundoi me vrasje. Isa Sejdiu mbeti i vdekur pas plagëve që mori nga dy plumbat që u gjuajtën në drejtim të tij. Pjesëtari i sigurimit në AKI-së, Valon Ibërdemaj dyshohet se gjuajti me armë drejt kryekuzhinierit Sejdiu, duke e lënë këtë të fundit pa shenja jete. 

Në Prokurorinë e Themelore të Prishtinës dje thanë se në trupin e viktimës janë gjetur dy plumba. Ndërkohë që në AKI kanë deklaruar se rasti nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e saj. Pjesëtari i sigurimit në këtë institucion, Valon Ibërdemaj kishte shkuar dhe ishte përleshur me Sejdiun, ku më pas kishte gjuajtur me dy plumba drejt tij dhe e kishte lënë pa shenja jete.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë thënë se menjëherë pasi që Sejdiu kishte ardhur në vendin e tij të punës, Ibërdemaj kishte shkuar dhe ishte përleshur me kryekuzhinierin.

Ata tregojnë se fillimisht i dyshuari e kishte goditur Sejdiun në vende të ndjeshme duke e lënë të shtrirë në tokë. Por, nuk kishte vonuar shumë e kishte shtënë edhe me armë ndaj tij duke e lënë të vdekur. Dëshmitarët tregojnë se në trupin e viktimës u drejtuan dy plumba

Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendësprokurori në Prokurorinë Themelore, Ibrahim Berisha.

Berisha ka thënë se në trupin e viktimës kanë qenë dy plumba. Por, nuk e mohon se ka pasur edhe të shtëna të tjera. Ndërsa, tregon edhe për moshën e të dyshuarit dhe viktimës.

Për vrasjen që ka ndodhur dje brenda ndërtesës së Agjencisë së Inteligjencës Kosovare kanë folur këta të fundit. Në këtë institucion mohojnë që rasti të ketë pasur të bëjë me ndonjë çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së. Por, e konfirmojnë se mbi viktimën shtiu një zyrtar i sigurimit të brendshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat