Tragjedia e familjes Bajraktari, dy gra dhe vajza 7 vjeçe vdiqën në aksidentin me tren

Aktuale

Tragjedia e familjes Bajraktari, dy gra dhe vajza 7 vjeçe vdiqën në aksidentin me tren

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 21:38
Pamje nga aksidenti

Mungesa e një laurë e cila sinjalizon kalimin e një treni ka rezultuar me tragjedi në Bajraktari të Shipolit të Mitrovicës

Motra kunata dhe mbesa shtatë vjeçare e Fadil Bajraktarit vdiqën pas aksidentit që ndodhi në mes veturës dhe trenit dy net më parë në Dush të Klinës. 

“ Faji është për ata që duhet të vendosin shenjat e komunikacionit. Shenja “STOP” nuk është e mjaftueshme, nëse nuk është laura aty” thotë Bajraktari.

Familja e cila është viktimë e tragjedisë ende nuk ka marrë asnjë shpjegim për mungesën e shenjave e po ashtu ndonjë vizitë nga institucionet.

“Hala askush nuk ka ardhur prej institucioneve me na dhanë një ngushëllim apo një ndihmë” thotë Bajraktari.
Ai shtoi se pas përfundimit të pamës në familjen e tyre do të merren me rastin.
“Mendojmë të merremi me rastin. Aty dikush duhet të jap përgjegjësi” thotë Bajraktari.
Ndërsa Fatmir Bajraktari, familjar i personave të aksidentuar thotë se ende nuk e ka të qartë se kush e merr përgjegjësin për këtë rast.

“Në bazë të ligjit nuk e di saktësisht a është “Infrakos” përgjegjës apo Komuna. Por në këtë rast, Ministria e Infrastrukturës është dashtë me marrë seriozisht këtë çështje dhe të na njoftoj neve si familjarë se kush e merr përgjegjësin” thotë Bajraktari.
Ai thotë se vendosja e një semafori në këtë hekurudhë nuk mund të kushtoj shumë për qeveritarët tanë.

“Një semafor nuk ma merr mendja që mundet të kushtoj më shtrenjtë se sa një drekë e një zyrtari tonë të qeverisë” shprehet Bajraktari.

Gjatë kohës sa ekipi po qëndronte në shtëpinë e familjarëve të aksidentuar, autoambulanca e mori personin 79 vjeçar i cili vazhdon ta ketë gjendjen e rëndë shëndetësore si pasojë e aksidentit.

Bajraktari  tregoi se në gjendje të rëndë vazhdojnë të jenë edhe shoferi i automjetit dhe djali i tij pesë vjeçar.

“Ju garantoj që do të marrim çdo masë të mundshme si familje që të sensibilizohen për sigurinë e njerëzve në Kosovë e  cila është nën zero” shprehet Bajraktari.

Kallxo ka kontaktuar edhe me drejtorin e shërbimeve publike në komunën e Klinës, Iber Elezaj, i cili thotë se vendosja e laurës në këtë pjesë të hekurudhës është e domosdoshme.

“Është shumë vend i rrezikshëm. Aty duhet të vendoset një laurë pasi që dukshmëria nuk është e mirë në asnjërën anë” tha Elezaj.

Ai shtoi se përgjegjësia për vendosjen e laurës në hekurudhë i takon Hekurudhave të Kosovës.
“Hekurudhat e Kosovës do të duhej patjetër të vendosnin një laurë aty. Vendosja e saj është përgjegjësi e tyre dhe jo e komunës sepse ne nuk kemi të drejtë të intervenojmë aty. Ne e kemi bërë pastrimin e asaj pjese të qytetit pasi ka shumë shkurre. Shenja paralajmëruese “ STOP” është e vendosur por nuk është e mjaftueshme” tha Elezaj.

Ka kontaktuar edhe zëdhënësin e “Infrakos”, Refet Çitaku,i cili thotë se ky vendkalim është zyrtarë dhe ka shenja paralajmëruese.

“Duke pasur parasysh qe ky vendkalim është zyrtar dhe ka shenjat paralajmëruese dhe shenjën “STOP” si dhe dukshmëria ka qenë e mirë nënkupton që aksidenti ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së ngasësit të automjetit” tha Çitaku.

Ai shtoi se në bazë të ligjeve investitori apo komuna në ndërtimin e një rruge ku e kryqëzon hekurudhën, paraprakisht duhet të marr leje në kryqëzime në nivel dhe pas marrjes së pëlqimit atëherë investitori është përgjegjës për ndërtimin e kryqëzimit, shënjimin dhe vendosjen e pajisjeve të tjera përgjegjëse.

“Sa i përket vendosjes së shenjave paralajmëruese dhe mbrojtjen e vendkalimeve ku kryqëzohet hekurudha nëse është rrugë lokale për obligim ka komuna përkatëse, por nëse është rrugë regjionale përgjegjësinë do ta ketë Ministria e Infrastrukturës respektivisht drejtoria e rrugëve” thuhet në përgjigjen e Çitakut.

Çitaku tha për KALLXO se Ligji për Hekurudhat e Kosovës thotë se përgjegjësinë për sigurimin e vendkalimeve në nivel rrugë – hekurudhë si dhe për vendosjen e shenjëzimeve rrugore e mban pronari i vendkalimit, respektivisht institucioni përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës e cila kryqëzohet me hekurudhën”.

Kallxo ka raportuar për aksidentin në fshatin Dush të Klinës ku mbetën të vdekur tre persona, njëri prej tyre fëmijë i moshës shtatë vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat