Thaçi: Vështirësitë për arritje të marrëveshjes veç po rriten

Aktuale

Thaçi: Vështirësitë për arritje të marrëveshjes veç po rriten

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 14:06
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe një herë i ka quajtur takime të rënda ato me delegacionin serb në Kosovë. Ani pse nuk u takua me presidentin serb, por vetëm me përfaqësuesen Federica Mogherini, Thaçi nuk pranoi se Aleksandër Vuçiq ka bojkotuar takimin, por tha që sot kanë negociuar përmes Mogherinit.

Pas takimit me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, para gazetarëve, presidenti i Kosovës tha se kanë konstatuar që dallimet janë shumë të thella dhe se vazhdojnë të jenë në pozicione shumë të largëta me palën serbe.

Thaçi: nuk vlerësoj që ka ndodh bojkot nga ana Vuçiqit

“Unë nuk vlerësoj që ka ndodh bojkot por e di që dallimet, zakonisht ne këtu takohemi në Bruksel fillimisht në rrafshin bilateral Kosova me zonjën Mogherini, gjithashtu Serbia me zonjën Mogherini, me ekipën e saj, prandaj ka ndodh edhe tash, e pastaj ndodhin takimet në rrafshin trilateral. Ne sot kemi dialoguar dhe negociuar përmes zonjën Mogherini që ka qenë edhe më herët procedurë dhe praktikë, por kemi konstatuar se dallimet janë shumë të thella dhe jemi në pozicione shumë të largëta, për këtë arsye ka mbet që të punohet në substancën e angazhimeve ideve tona në mënyrë që të kemi një rrethanë në ditët e ardhshme, pra në të ardhmen e afërt të takimeve që të kemi progres më të prekshëm”, ka thënë ai.

Presidenti i Kosovës tha se gjërat po bëhen edhe më të vështira dhe vështirësitë për arritjen e marrëveshjes veç po rriten meqë mospajtimet veç po thellohen.

Thaçi: Vështirësitë janë të mëdha e dallimet shumë të thella

“Ajo që mund të them është kjo se çdo takim që po ndodh po kupton gjithnjë më tepër që vështirësitë veç sa po rriten për arritjen e marrëveshjes mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Gjërat po bëhen edhe më të vështira për arsye se mospajtimet po thellohen dhe dallimet po shfaqen, edhe pse sot kemi diskutuar vetëm përmes zonjës Moghreni, kuptohet dhe ato shfaqje të dallimeve të mëdha kanë ndikuar që të jemi në këtë fazë të reflektimit për vazhdimin e mëtutjeshëm. Këto takime janë shumë të rënda, shumë të vështira, pothuajse, me gjasa teorike për arritjen e ndonjë marrëveshje, por konstatojmë se dialogu dhe negociatat duhet të vazhdojnë dhe të ketë takime në të ardhmen. Vështirësitë janë shumë të mëdha, pengesat janë shumë të mëdha, dallimet janë shumë të thella, por rrugëtimi dhe dialogu për paqe, stabilitet, dhe fqinjësi të mirë nuk ka alternativë”, tha ai.

Thaçi tha se çështja e Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet brenda ditësh, javësh apo muajsh, meqë siç tha ai, është konflikt më tepër se një shekullor.

Ndërsa për vizitën e presidentit serb të paralajmëruar se mund të bëhet në fundjavë, Thaçi tha se respektojnë vizitën e secilit, por nuk lejojnë cenimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Thaçi: Nuk e poshtërojmë askënd por nuk lejojmë cenimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës

“Sa i përket vizitës, Kosova i ka institucionet e veta kredibile, jemi vend i pavarur dhe sovran, do të respektohet në përpikmëri intinerari  i lejuar për vizitën e presidentit të Serbisë, në Republikën e Kosovës, as më pak e as më shumë. Ne respektojmë secilin, nuk dëshirojmë të poshtërojmë askënd por nuk lejojmë cenimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Zyrtarët serb, duke përfshi edhe presidentin Vuqiq, kanë vizituar Kosovën edhe më herët, me lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës, e kemi dhënë lejen edhe për vizitën gjatë vikendin, dhe çdo herë që kërkohet ndonjë leje për të vizituar komunitetin serb do të ketë mirëkuptim sepse shohim se është e nevojshme një komunikim i tillë për dërgimin e mesazheve të paqes, shpresës dhe optimizmit”, tha ai.

Thaçi shtoi se nuk ka hapësirë për kërcënime, tragjedi, luftë e zhvendosje të popujve, sipas tij, marrëveshja Kosovë-Serbi mund të vonohet por do të arrihet, dhe se të dy presidentët janë pajtuar të vazhdojnë projektin, që ai e quajti madhor, të paqes dhe stabilitetit për fqinjësi të mirë.

Presidenti i Kosovës tha se ka filluar debatin e brendshëm në Kosovë dhe shpreson që në fund do të ketë reflektim nga të gjithë për arritje të marrëveshjes definitive, që siç tha ai, nënkupton njohjen reciproke dhe demarkimin e 430 kilometrave të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Thaçit, marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të aprovohet përmes referendumit në Kosovë dhe vullnetit të tyre dhe Parlamentit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat