Këshilltari i Fatmir Limës i reagon ashpër ish-ministrit të kasapit Millosheviq

Aktuale

Këshilltari i Fatmir Limës i reagon ashpër ish-ministrit të kasapit Millosheviq

Nga: N.Sh Më: 7 shtator 2018 Në ora: 23:25
Fatmir Lima

Nisma Socialdemokrate menjëherë i ka reaguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiçit, i cili tha se Serbia nuk e do kreun e Nismës si kryenegociator në bisedimet Kosovë-Serbi.

Endrit Shala, anëtari i Kryesisë së Nismës, njëherësh këshilltar i Fatmir Limajt ka thënë se Serbia nuk e vendos se kush e udhëheq dhe përfaqëson popullin e Kosovës.

Shala ia ka rikujtuar Vuçiqit se qeveria e Kosovës ka vendosur për Limajn si udhëheqës të bisedimeve.

Lexojeni reagimin e plotë:

Reagim i anëtarit të Kryesisë së Nismës, Endrit Shala, ndaj deklaratës së Vuçiqit.

Tash e sa vite Serbia nuk vendos se kush e udhëheq dhe e përfaqëson popullin e Kosovës. As Vuçiq nuk do ta ketë këtë mundësi asnjëherë. Kosova është shtet, i ka institucionet e veta dhe e përcakton vetë kush e udhëheq Kosovën dhe nuk merremi me deklaratat e një ish-ministri të Millosheviqit.

Në fakt, Vuçiq sa ka qenë ministër e zëdhënës i regjimit kriminal të Millosheviqit, e pati krijuar një ekip të ashtuquajtur "shqiptarë të ndershëm", që sipas tij, përfaqësonin shqiptarët, madje edhe në Rambuje i ka pas në delegacionin serb. Ajo kohë ka përfunduar moti.

Sikurse që ne në Kosovë nuk mund të vendosim kush e përfaqëson Serbinë, pavarësisht që në krye të atij shteti është njeriu që ka projektuar e zbatuar spastrimet etnike në Kroaci, Bosnjë e Kosovë.

Sigurisht, jo të gjithë kanë aktgjykime të formës së prerë të dënuar për gjenocid e krime kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

Pavarësisht, kësaj, ne jemi të përkushtuar për dialog, mirëkuptim e paqe me gjithë fqinjët tanë, duke i respektuar interesat e secilit, pa i cenuar interesat e shtetit të Kosovës. Vuçiq duhet ta ketë të qartë se Qeveria e Kosovës ka vendosur zotëri Limajn udhëheqës të negociatave.

Nëse Vuçiq dëshiron të ketë negociata me Kosovën, atëherë ai duhet ta dijë se kryenegociatori i bisedimeve, i caktuar nga Qeveria e Kosovës, është zotëri Limaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat