Krasniqi: Vuçiq po gënjen, nuk po e thotë të vërtetën!

Aktuale

Krasniqi: Vuçiq po gënjen, nuk po e thotë të vërtetën!

Nga: A.ZH Më: 8 shtator 2018 Në ora: 07:49
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi, i ka reaguar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili dje ka deklaruar se nuk e pranon Fatmir Limajn si kryenegociator të palës së Kosovës.

Ai ka thënë se përkundër presionit, Lista serbe nuk do ta mbështes Limajn për kryenegociator, për shkak “të një dosje ku Limaj akuzohet për krime kundër serbëve”.

Por sipas Krasniqit, Vuçiq po gënjen, pasi siç ka thënë ai, Limaj në të gjitha gjyqet ka dalë i pafajshëm.

Ai më tej ka theksuar se Limaj është i padëshirueshëm nga Vuçiq, pasi nuk mund të shantazhohet, përcjell Bota sot.

Reagimi I plotë:

Vuçiqi po gënjen, nuk po e thotë të vërtetën

Krimineli serb i luftës që sot është President i Serbisë, në kohën e luftës deklaronte: “Për çdo serb të vrarë, ata do të vrisnin 100 boshnjak”! Ai ndryshe nuk ka menduar as për shqiptarët. Ai sot paska deklaruar: “Jam i sigurt se ju nuk e dini se çfarë ka ndodhur në 72 orët e fundit. Gjithçka filloi me presionin e madh dhe të paprecedent mbi deputetët e Listës Serbe e më pas mbi lidershipin serb për ta mbështetur Limajn si kryesues të ekipit negociator të Kosovës. Lista Serbe nuk deshi ta mbështesë Limajn. Këtu kam një dosje të Limajt ku akuzohet për krime serioze kundër njerëzve tanë”. Më ketë ai ka gënjyer, kjo nuk është e vërtetë. Vuçiqi dhe vuçiqet e tjerë edhe përtej Serbisë e dinë se Fatmir Limaj për krimet e pretenduara është përgjigjur tri herë. Një herë në Gjykatën e Hagës dhe sy herë në gjyqet e EULEX-it në Kosovë. Në të tri herët është dalë i pafajshëm. Për akuza të ngjashme është dalë i pafajshëm edhe në dy raste të tjera. Dhe në të gjitha këto gjyqe ai është dalë i pafajshëm. Kjo është e ditur botërisht.

Po cila është e vërteta?

E vërteta është se jo vetëm Serbia, në bisedimet e Brukselit, më me endje do ta pranonin një person që lehtë mund të shantazhohet për vepra të ndryshme kriminale, sesa ta pranonin një njeri që ka triumfuar mbi disa akuza të shpifura të cilat janë hedhur poshtë nga pesë gjykata. Pra, Beogradi dhe përkrahësit e tij parapëlqejnë që në tryezën e bisedimeve, përballë delegacionit serb të ndodhnin njerëz që lehtë shantazhohen dhe nën shantazh detyrohen të marrin vendime të dëmshme për vendin.

Kjo me bënë që të them se: Vuçiqi po gënjen, ai nuk po e thotë të vërtetën pse Lista serbe nuk e votoi Fatmir Limajn për kryesues të Delegacionit të Kosovës në Bisedimet e Brukselit.

Fatmir Limaj nuk mund të shantazhohet, prandaj është i pa dëshirueshëm për Vuçiqin!/BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat