(E plotësuar) - Vizita e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për në Banjë të Skënderajt është anuluar nga Qeveria e Kosovës.
Por presidenti serb ka insistuar që të vazhdojë rrugën dhe ai është ndaluar nga Policia e Kosovës.
Kështu të paktën raporton gazeta serbe Telegraf.
“Në rrugën Zubin Potok-Banjë, Policia e ndaloi presidentin serb. Ka një debat të vazhdueshëm mes policëve dhe presidentit. Ai u njoftua që bllokadat janë rreth 2 kilometra, dhe nuk ka siguri për ta vazhduar rrugëtimin”, shkruan gazeta serbe.
Vuçiqit i anulohet leja për të hyrë në Drenicë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke parë gjendjen që është krijuar në Drenicë, ku atje janë mbledhur shumë protestues për t’ia pamundësuar kalimin e Vuçiqit për në Banjë, ka marrë vendim që ta tërhjek lejen e dhënë për Vuçiqin.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
“Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhjekur lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, ka shkruar Haradinaj, përcjell “Bota sot”.