Haradinaj: Përkrahja e SHBA-ve, e domosdoshme për Kosovën

Aktuale

Haradinaj: Përkrahja e SHBA-ve, e domosdoshme për Kosovën

Më: 9 shtator 2018 Në ora: 20:14
Ramush Haradinaj dhe Ron Johnson

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sonte në takim një delegacion nga Kongresi Amerikan, të kryesuar nga senatori Ron Johnson, me të cilët ka biseduar për aktualitetin politik dhe zhvillimor të Kosovës dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve tona.

Haradinaj e ka njoftuar senatorin për prioritetet e Qeverisë, progresin në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përmbushjen e obligimeve në rrugën euroatlantike, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, avancimin e procesit të reformave të gjithanshme të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve.

Kreu i qeverisë ka falënderuar delegacionin amerikan për ndihmën e pakursyer që SHBA ka dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj në të gjitha etapat e shtetndërtimit, dhe konsolidimit të institucioneve në vend dhe tani në procesin e fuqizimit ndërkombëtarë të Kosovës.

“Marrëdhëniet bilaterale miqësore ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së janë treguesi më i mirë se Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht falënderues për kontributin e shtetit mik në zhvillimin e gjithanshëm të shtetit tonë dhe të përkushtuar që ky partneritet të jetë i përjetshëm”, tha Haradinaj.

Në takim u bisedua edhe për procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në INTERPOL dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast Haradinaj ka thënë se përkrahja e SHBA është e domosdoshme në avancimin e këtyre proceseve.

Duke folur rreth zhvillimeve të fundit politike, kryeministri Haradinaj, tha se Kosova është e përkushtuar për ndërtimin e relacioneve të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit për të kontribuar në paqe dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe në arritjen e paqes finale me Serbinë.

Senatori amerikan Ron Johnson, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke vlerësuar progresin e Kosovës dhe gatishmërinë e SHBA për përkrahjen e Kosovës në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj e ka nderuar senatorin Johnson me medaljen e Skënderbeut, në shenjë mirënjohje për kontributit të tij dhënë Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat