Dhurimi i gjakut, shembull i humanizmit që duhet ndjekur nga të gjithë

Aktuale

Dhurimi i gjakut, shembull i humanizmit që duhet ndjekur nga të gjithë

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 13:29
Ramush Haradinaj dhe Bukurije Zhubi

Dhuruesit vullnetarë të gjakut në Republikën e Kosovës mbulojnë pjesën më të madhe të nevojave që paraqiten në QKTGJ.

Kështu u tha në takimin e sotëm që kryeministri Ramush Haradinaj pati me drejtoren e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi.

Haradinaj, tha se që nga marrja e mandatit, Qeveria i ka dhënë prioritet sektorit të shëndetësisë dhe përmirësimit të gjendjes, duke theksuar se tashmë ka më shumë përkushtim dhe rezultate  në shëndetësi.

Duke i quajtur mjekët heronj tanë, kryeministri Haradinaj tha se qeveria që drejton është e përkushtuar në vazhdimësi për përmirësimin e infrastrukturës, pajisjeve shëndetësore dhe ngritjen e cilësisë në sistemin shëndetësor.

“Gjatë këtij mandati qeverisës është rritur buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, është zvogëluar në masë të madhe lista e pritjes dhe është duke u investuar në ndërtimin e spitaleve rajonale, në mënyrë që pacientët të gjejnë trajtimin e duhur në institucionet shëndetësore të vendit”, tha ai.

Me këtë rast, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), Bukurije Zhubi, i ka ndarë kryeministrit Haradinaj mirënjohje për kontributin si dhurues i rregullt i gjakut. 

Kryeministri Haradinaj, ka falënderuar personelin e Qendrës për mirënjohjen, duke thënë se dhurimi i gjakut është shembull i mirë i humanizmit që duhet ndjekur nga të gjithë dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit si dhe ofrimin e mbështetjes për këtë qendër të rëndësishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat