Vizita e Vuçiq në Kosovë, qytetarët të ndarë rreth lejimit për ardhjen e tij

Aktuale

Vizita e Vuçiq në Kosovë, qytetarët të ndarë rreth lejimit për ardhjen e tij

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 18:47
Aleksandar Vuçiq në Mitrovicë

Qytetarët shprehen të ndarë sa i përket lejimit për ardhjen në vizitë në Kosovë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në kohën e shpalosjes së idesë për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe pas dështimit të takimit trilateral Thaçi-Vuçiq-Mogherini së fundi në Bruksel.

Vuçiq erdhi për vizitën në Kosovë në momentin e fundit, pasi më herët nuk i ishte dhënë leja për qëndrim në Zubin Potok dhe liqenin e Ujmanit, të cilin Serbia e konsideron si pjesë të saj. Por, presioni ndërkombëtar bëri që Prishtina zyrtare të lejojë vizitën e tij me kusht që të mos deklarata provokuese.

Pavarësisht kësaj, Vuçiq gjatë qëndrimit në Kosovë u lavdërua se nuk ka pasur asnjë porosi nga SHBA-ja sa i përket vizitës së tij, duke thënë se ai nuk iu përgjigjet porosive të tilla, derisa me mburrje deklaroi se i kishte thënë shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini se do të jetë për vizitë në Kosovë dhe në Ujman, pikë kjo që ishte “mollë sherri” për mos lejimin e ardhjes së tij.

Ndërkohë, qytetarët janë të ndarë lidhur me lejimin e ardhjes së kreut të shtetit serb në Kosovë, duke pasur parasysh se Serbia vazhdon me retorikën e vjetër, për mos njohje dhe “shtetin e imponuar” të Kosovës.

Disa prej qytetarëve vënë në pah pafuqinë e institucioneve të Kosovës për të ndaluar ardhjen e Vuçiqit për vizitë, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Gani Kçiku thotë se liderët kosovarë nuk mund ta ndalojnë vizitën e zyrtarëve serbë në Kosovë, krejt kjo me fajin e ndërkombëtarëve.

Kçiku: Nuk kanë qare këta ndonjëherë pa i lëshuar

“Nuk kanë qare këta ndonjëherë pa i lëshuar. Këta ndërkombëtarët këtu po luajnë lojnat e tyre. Na me Serbinë kurrë nuk mund të ndreqemi hiç-hiç, sepse ata të vërtetën e kanë rrenën. Ku rrejnë më së shumti, atë e mbajnë për të vërtetë. Të gjithë serbët janë të njëjtë. Ai tha dje për Millosheviqin se është shumë njeri i madh. Kurrgjë nuk u kanë Millosheviqi sa i keq është ky, as Akademia Shkencave të Serbisë. Krejt me direktiva të tyre punojnë”, ka thënë Kçiku.

Një qytetar tjetër thotë se Kosova duhet ndërmarrë masa reciprocitetit ndaj Serbisë, duke realizuar një vizitë të presidentit Hashim Thaçi në Luginën e Preshevës.

Bejtullahu: Presidenti I Kosovës duhet të vizitojë Luginën e Preshevës

“Po nuk kanë qare pa e lanë. Edhe Thaçi duhet me shkuar tash me ia kthye atje në Preshevë e Bujanoc”, ka potencuar Bejtullahi.

Për Lush Ndrecaj vizita e Vuçiq nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, pasi politika serbe tashmë e ka kuptuar se kosovarët janë të pavarur dhe se kanë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë.

Ndrecaj: Është mirë që iu dha leja

“Ndoshta është mirë që i është lejuar me ardhur, sepse unë qysh e pashë atë që ai kishte fol në një prej mbledhjeve me serbët, sidomos me Listën Serbe, ai faktikisht ka ardhur me marrë hallallin për këtu. Ai me njëfarë forme iu tregoi kush janë shqiptarët e kush janë serbët. Shqiptarët kanë primat, kanë miq shumë më të fortë, tregoi që popullata shqiptare është për 17 vite më e re se ajo serbe”, tha Ndrecaj.

Vendimin për të dhënë leje liderit serb e ka kritikuar Salije Salihu e cila thotë se duhet të ndërmerren masa dhe të denoncohet gjuha që presidenti serb e përdori gjatë vizitës në Kosovë.

Salihu: Nuk tolerohet hyjnizimi i një xhelati në Kosovë

“Janë disa interesa qe duhet me u matë prej politikanëve çdoherë edhe me marrë një kundër-reagim për shkak të fjalimit ultranacionalist që ai e ka bërë. Nuk tolerohet hyjnizimi i një xhelati në Kosovë. Këtë çështje duhet me aktualizuar edhe te këta europarlamentatët që po sillen nëpër Prishtinë që vërtet le ta japin një ndëshkim ndaj Aleksandër Vuçiqit, i cili edhe njëherë na cenoi, pothuajse sikur  në vitet kur e kryente krimin”, ka thënë Salihu.

Azem Havziu thotë se derisa Serbia të mos e Kosovën shtet nuk duhet lejuar vizita e asnjë zyrtari serb në Kosovë

Havziu: Mitrovica gjithmonë do të mbetet e Kosovës

“Nuk kanë bërë mirë për shkak se na jemi kanë në luftë me ta, edhe e dyta nuk na pranojnë si shtet. Ata ende kanë hasmëri edhe thonë Kosova është Serbi. Kjo nuk është e vërtetë, por një trillim ose dëshirë që e mendojnë ata. Mitrovica gjithmonë ka me mbet e Kosovës edhe ata nuk kanë çka lypin këtu derisa na s’mundemi të shkojmë atje të lirë”, ka thënë ai.

Ndërsa ish- boksieri i njohur Aziz Salihu retorikën e presidentit serb e krahason me atë të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Salihu: Vuçiqi si Millosheviqi

“Ky po bën sikur Millosheviqi, shkollën e Millosheviqit e ka, qasi mënyre. Nuk po dua me lëvduar as me fol keq, por po e them realitetin. Krejt çka i ka fol Millosheviqi një kohë, tash ky po i fol,” tha ai.

Ndryshe, Vuçiq qëndroi gjatë vikendit për vizitë në Kosovë gjatë së cilës ai vizitoi disa vendbanime serbe, ku mbajti fjalim në liqenin e Ujmanit dhe Mitrovicën e Veriut, derisa vizita në fshatin Banjë iu ndalua pasi kryeministri Ramush Haradinaj revokoi lejen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat