Veteranët: Kosova Lindore t’i bashkohet Kosovës, jo të ketë ndarje

Aktuale

Veteranët: Kosova Lindore t’i bashkohet Kosovës, jo të ketë ndarje

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 09:04
Ilustrim

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbështetë idenë që Kosova Lindore të bashkohen me Kosovën, mirëpo është kategorikisht kundër që të copëtohet territori i Kosovës.

Kështu ka thënë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili në një intervistë për kp derisa ka komentuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me shtetin serb, ka deklaruar se nuk pajtohen që territori i Kosovës t’i jepet Serbisë.

Po ashtu, Gucati ka thënë se ka shumë paqartësi se çka po nënkuptohet korrigjimi i kufirit.

Gucati: Ne nuk jemi për me dhënë territor askujt

“Ne jemi për Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, me i marrë këto komuna që kanë qenë të Kosovës gjithmonë. Por, ne nuk jemi për me dhënë territor askujt, se Kosova është e vogël edhe e kanë copëtuar Kosovën. Kështu që, Organizata e Veteranëve të Luftës nuk e mirëpret mirë pa e ditë thelbin e kufirit  dhe korrigjimin. Ne po e dimë se çka është fjala korrigjim, por nuk po e dimë se çka po dëshirojnë të bëjnë, aty janë në pyetje rreth 432 metra nëse nuk gaboj prej Preshevës deri në Istog, burim. Kështu që, neve na intereson shumë çka me korrigjim, cilën pjesë me korrigjua. A jemi për me marrë Kosovën lindore, ka qenë e Kosovës deri në vitin 56 ato pjesë kanë qenë të Kosovës, në vitin 56 shteti jugosllav atëherë dhe i ka marrë në territor të Serbisë. Organizata e Veteranëve të Luftës është për me marrë pjesën tonë që na takon, por për me copëtua Kosovën n uk jemi, për me nda kufij Kosovë nuk jemi”, ka thënë Gucati.

Kryetari i veteranëve të luftës  thotë se do ta mbështesin presidentin e Kosovës, nëse arrin të marrë Luginën e Preshevës, mirëpo të njëjtën mbështetje sipas tij nuk e ka nëse tentohet që një milimetër të lëshohet territori i Kosovës.

Sipas tij, Kosova nuk ka tokë për të falur.

Gucati: Nëse vjen tek copëtimi i Kosovës, nuk do ta ketë mbështetjen tonë kurrë

“Presidenti e ka mbështetjen prej Organizatave të dala nga lufta nëse e merr Preshevën, Medvegjën, Bujanovcin, do ta mbështesim deri në fund. Nëse tentohet një milimetër të lëshohet territori i Kosovës nuk e ka mbështetjen. Nëse presidenti me ato fjalët që i ka dhënë deri tani që unë besoj shumë në punën e tij, nëse presidenti thotë që ne jemi për me i marrë Preshevën, Medvegjen, Bujanovcin do ta ketë gjithmonë mbështetjen tonë. Nëse vjen tek copëtimi i Kosovës, nuk do ta ketë mbështetjen tonë kurrë”,  thotë Gucati.

Megjithatë Gucati shprehet skeptik që Serbia do të pranonte që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitej Kosovës, madje ai nuk beson që Serbia do ta njoh Kosovën.

Ai thotë se çdo marrëveshje me Serbinë mund të bëhet vetëm nëse ka presion mbi Serbinë nga bashkësia ndërkombëtare.

Gucati: Serbia gjithmonë ka qenë e pabesë, nuk pres diçka prej Serbisë

“Serbia gjithmonë ka qenë e pabesë, këta e kemi mësuar historikisht edhe prej pleqve edhe prej librave. Serbia gjithmonë ka qenë e pabesë, nuk pres diçka prej Serbisë mrekullira, veç nëse fuqitë e mëdha kuptohet, i Bashkimit Evropian, i Amerikanëve, nëse bëjnë trysni mbi Serbinë besoj se ndoshta do të vije ndonjë pajtueshmëri apo një paqe që po flitet. Që në atë paqe unë nuk do të besoj kurrë, se Serbia është një ujk i vjetër i viteve prej 1990, 1912, 1913, masakrat që i ka bërë në popullin shqiptar, shpërngulja e shqiptarëve më herët që janë bërë. Në Serbi nuk besojmë më shumë. Por, ndoshta ka ardhur momenti dhe fundi që të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe të vijmë deri tek pajtimi, por unë nuk besoj që Serbia përderisa nuk kërkon falje për krimet që i ka bërë në Kosovë, gjenocidin, dhunën, Serbia ende nuk është në gjendje që të kërkojë falje për ato krime që i ka bërë”, tha Gucati.

Gucati në intervistë ka folur edhe për listat e veteranëve, si dhe për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj që ka qenë duke hetuar listat e veteranëve.

Ai ka sqaruar se sa është numri i veteranëve, ndërkohë që sipas tij faji për fryrjen e listave është tek politika dhe hierarkia ushtarake, që sipas tij e kanë bërë për vota.

Gucati: Fajet për fryrjen e listave e ka politika dhe hierarkia ushtarake

“E di që kanë aplikuar mbi 60 mijë, se edhe këtu me shifra ka pak diferencë, kanë aplikuar mbi 60 mijë, nuk janë 60 mijë veteranë. Janë 48 mijë veteran deri tash të pranuar, 37 mijë e 600 marrin pagë, kështu që nuk janë 60 mijë veteranë.. Fajet për fryrjen e listave e ka politika dhe hierarkia ushtarake. Kjo për mua është edhe sot me më largua nga këtu, sot e 10 vjet e 100 vjet me mi dhënë Zoti ymër fajet i ka politika dhe hierarkia ushtarake. Nuk ka faj kurrkush tjetër, këta i kanë fajet, liderët politik i kanë fajet për fryrjen e listave bashkë me hierarkinë ushtarake. Faj nuk kanë veteranët, nuk kanë faj veteranët e thjeshtë, unë nuk kam faj se nuk kemi qenë pjesë e komisionit. Pjesë e komisionit ka qenë hierarkia ushtarake dhe politika që kanë ndikuar aty, e kanë bërë për vota”, është shprehur ai.

Ndërsa, sa i përket dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj që është marrë me listat e veteranëve, Gucati ka pohuar se i kanë dhënë mbështetje maksimale për të hetuar listat.

Sipas Gucatit, numri i madh i veteranëve që kundërligjshëm kanë fituar statusin, nuk e dëmton fare imazhin e luftëtarit të vërtetë.

Gucati: Kurrë në jetë nuk dëmtohet imazhi i luftëtarit

“Kurrë në jetë nuk dëmtohet imazhi i luftëtarit, unë e dëmtoj imazhin tim nëse unë gaboj, nëse shkoj punëve të këqija. Imazhin e luftëtarit ata të cilët janë fals apo ata të cilët kanë keqpërdorur kurrë në jetë nuk mund të humb imazhin tim ai. Imazhin tim e humb djali im, familja ime dhe unë e humbi nëse punoj keq, përkundrazi ata neve na duhet me qenë shumë të fort, krenar që kemi pas mundësi për të luftuar për këtë vend, me jep gjymtyrët tona. Ata e humbin imazhin e vetës dhe autoritetin e vet në opinion, që momentin kur do t’iu dalin emrat atyre dhe të hetohen kush janë ata, ata do ta humbin edhe imazhin e familjes së tyre. Ata kanë mundur me qenë matrapaz, kanë mund të keqpërdorin buxhetin që janë duke e keqpërdorur, ama punën time dhe punën që është kryer ata kurrë në jetë nuk kanë mundësi ta humbin”, është shprehur ai.

Krejt në fund Kryetari i OVL-së së UCK-së, Hysni Gucati, ka folur edhe për vizitën dy ditore të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiqi në Kosovë.

Sipas tij, institucionet e vendit është dashur që të vendosin kusht që të kërkojë falje për të gjitha krimet e kryera në Kosovë, e pastaj t’ia japin lejen për vizitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat