Selmanaj: Komisioni mund ta detyrojë me forcë Thaçin të dëshmojë për dëbimin e shtetasve turq

Aktuale

Selmanaj: Komisioni mund ta detyrojë me forcë Thaçin të dëshmojë për dëbimin e shtetasve turq

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 11:26
Driton Selmanaj

Komisioni Hetimor Parlamentar për zbardhjen e deportimit të gjashtë shtetasve turq që ndodhi në mars të këtij viti, do t’i intervistojë rreth 30 persona. Në mesin e tyre do të jetë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Intervistimi i të gjithë atyre njerëzve që kanë pasur përgjegjësi për deportimin e shtetasve turq, të dyshuar për lidhje me organizatën “FETO” të klerikut turk Fetullah Gylen, do të fillojë gjatë këtij muaji.

Nënkryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për këtë çështje, Driton Selmanaj, ka thënë se procesi i votimit në Kuvendin e Kosovës u zgjat më tepër se që duhej, për shkak të PDK-së në atë kohë dhe tendencave të tyre për të penguar themelimin e këtij komisioni.

“Tash në shtator sipas planit të veprimit fillojmë me intervistimin e dëshmitarëve dhe personave relevantë për tematikën, e që në fakt janë afër 30, duke filluar nga presidenti i vendit, e deri në policin me të thjeshtë që ka marrë pjesë në procesin e arrestimit, dhe më pas do të shkojmë sipas planit dinamik të punës”, ka thënë Selmanaj.

Sipas planit të veprimit të Komisionit, puna është ndarë në tri faza. Në fazën e parë është intervistimi i dëshmitarëve; në fazën e dytë janë mbledhja e fakteve; dhe në fazën e tretë është paraparë shqyrtimi i fakteve dhe nxjerrja e raportit përfundimtar.

“Plani jonë është që në bazë të mandatit tonë, në bazë të afateve kohore që kemi, diku në fund të nëntorit të kemi raportin përfundimtar”, theksoi Selmanaj.

Selmanaj shpreson se nuk do të hasin në probleme për intervistimin e personave si dëshmitarë, sidomos të presidentit Thaçi. Por, ai paralajmëron edhe sjellje me forcë për intervistim nëse refuzon ta bëjë një gjë të tillë.

“Ligji për hetim parlamentar ka përcaktuar edhe format çka nëse nuk vjen dikush. Madje, ka përcaktuar edhe masa që ai të sillet edhe me forcë. Nëse eventualisht nuk ka përgjigje të personave konkretë ndaj kërkesave të komisionit hetimor, atëherë vlejnë edhe rregullat e Kodit Penal të Kosovës. Në fakt janë të ngjashme me Kodin Penal të Kosovës, ku mosgatishmëria për të dëshmuar konsiderohet edhe vepër penale”, ka shtuar nënkryetari i Komisionit, Driton Selmanaj.

Selmanaj pret që personat t’u përgjigjen pozitivisht thirrjeve të Komisionin për intervistim. Në të kundërtën, ai ka thënë se do të marrin masa në përputhje me kompetencat që ua jep ligji për hetim parlamentar.

Ai beson se vonesa në themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar nuk do të ndikojë që dikush të fshehë provat. Por, ai ka shfaqur dyshimet për tentim-pengimi nga kolegët e tij të pozitës që janë në komisionin hetimor.

“Mund të ketë edhe brenda komisionit tonë deputetë nga radhët e pushtetit që mund të pengojnë këtë proces. Ne do të provojmë me çdo kusht me kryetarin dhe anëtarët tjerë që kanë vullnet që ta zgjidhin këtë problem, të marrë epilog kjo tematikë. Është në të mirë të Kosovës, në të mirë të perspektivës sonë që të sqarojmë se çka ka ndodhur me ata njerëz, sepse situata të tilla mund të na përsëriten”, është shprehur Selmanaj për FaktePlus.

Drejtori i përgjithshëm i Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez, dhe dy arsimtarë Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana, ishin arrestuar me 29 mars të këtij viti nga Policia e Kosovës, duke u deportuar po atë ditë për në Turqi.

Kjo kishte ngjallur reagime të shumta në Kosovë, për çka ishte thirrur një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar rreth këtij rasti. Në atë seancë ishte miratuar një rezolutë në të cilën kërkohej edhe themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për zbardhjen e të gjitha prapaskenave të arrestimit dhe deportimit të shpejtë të gjashtë shtetasve turq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat