PE voton nesër për vizat, Mazreku tregon fazën kritike të Kosovës

Aktuale

PE voton nesër për vizat, Mazreku tregon fazën kritike të Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 shtator 2018 Në ora: 13:08
Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian do të votojë nesër rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, votimin e nesërm nuk e parasheh problem për viza.

Çështja kritike për Kosovën, sipas Mazrekut, është në fazën e fundit aty ku do të votojnë ministrat për këtë çështje.

“E kam thënë  edhe më herët se në procesin e procedimit të vizave për Kosovën, unë nuk shoh problem në Parlamentin Evropian, as në komisione respektive që kanë ndodhur në komision paraprake, as në sesionin e nesërm që do të zhvillohet për liberalizimin e vizave. Por, çështja kritike për Kosovën vjen në fazën e fundit pastaj, ajo se çka do të diskutohet në Këshillin e ministrave evropianë, ku pastaj ministrat duhet të votojnë për këtë çështje”, thotë Mazreku për “Bota sot”.

Image
Avni Mazreku

Kosovën nuk e kanë njohur pesë vende anëtare të BE-së (Spanja, Greqia, Rumaniva, Qipro dhe Sllovakia), ndërsa Mazreku këto vende i sheh problem për votimin e vizave.

Madje, sipas Mazrekut, edhe vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën janë skeptike për liberalizimin e vizave.

“Domethënë, çështjen e votimit nuk e shoh në nivel të parlamentit evropian, por e shoh në nivel të stazhit evropian në Këshillin e Bashkimit Evropian është problem për shkak se disa shtete nuk e kanë njohur Kosovën dhe anëtarët e Bashkimit Evropian janë skeptike edhe ato që e kanë njohur për procesin e liberalizimit të vizave”, pohon Mazreku.

Raportuesja për vizat e Parlamentit, Tanja Fajon, do t’i udhëheq bisedimet në emër të Parlamentit Evropian, ndërkaq votimi ishte paraparë për muajt e ardhshëm, por sipas njoftimit të komitetit LIBE, “disa grupe parlamentare në Parlament kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”.

Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat