Haradinaj: Shqiptarët i bashkon vota për referendumin

Aktuale

Haradinaj: Shqiptarët i bashkon vota për referendumin

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 17:19
Ramush Haradinaj dhe Menduh Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë sot thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të votojnë referendumin për emrin e këtij vendi fqinj.

Këtë qëndrim Haradinaj e shprehu në një konferencë për media, pas takimit që pati me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me ç’rast tha se vota për referendumin i bashkon shqiptarët kudo që janë.

Haradinaj: Sot shqiptarët i bashkon vota për referendumin

“Nëse ka një temë që na bashkon, kudo që jemi sot shqiptar, si në trojet tona etnike, si shqiptarët në Maqedoni, por edhe në diasporë e kudo që jemi është vota po  për referendumin. Për një Maqedoni në NATO, për shqiptarët në NATO, sidomos ne në Kosovë me të vërtet i thërrasim prej zemre vëllezërit dhe motrat tona që të votojnë pro NATOS, duke e ditur që NATO na ka shpëtuar jetën në vitin ’99, në kohën më të vështirë tonën”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, tha se mbajtja e referendumit në Maqedoni është moment historik për shqiptarët që jetojnë atje. Ai u shpreh se presin rezultate pozitive nga referendumi.

Thaçi: Referendumi një moment historik për shqiptarët e Maqedonisë

“Çështja kryesore që u bisedua sot mes nesh është referendumi i 30 shtatorit që do të  mbahet në Maqedoni, një moment jo për ta tepruar por një moment vërtet historik për shqiptarët e Maqedonisë. Ne jemi duke punuar të gjithë forcat politike shqiptare, besojmë plotësisht për një rezultat jashtëzakonisht pozitiv. Besojmë që të gjithë shqiptarët të ndajnë bindjen me ne se ne i kemi borxh perëndimit, i kemi borxh NATO-së dhe besoj që kjo është ideja madhore e cila na bashkon të gjithë shqiptarëve për shkak se këtu nuk ka dilema, orientimi jonë i përgjithshëm pa marrë parasysh ku jetojmë në cilin shtet është NATO dhe Bashkimi Evropian”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat