Kurti takon ambasadorin Ruairi O'Connell

Aktuale

Kurti takon ambasadorin Ruairi O'Connell

Nga: A.M. Më: 13 shtator 2018 Në ora: 10:19
Pamje nga takimi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, bashkë me deputeten, Fitore Pacolli, dhe koordinatoren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, Nora Fetoshi, kanë vizituar Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar ku u pritën nga Ambasadori Ruairi O'Connell dhe Sekretari i dytë politik Sam Paice.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje, gjatë takimit është diskutuar për situatën politike me fokus të veçantë rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe deklarimet e fundit rreth "korrigjimit të kufijve" dhe "kompromisit të dhimbshëm". “Kurti ka shprehur qëndrimin e Lëvizjes kundër lojërave të dëmshme të Presidentit Thaçi i cili po i mashtron edhe qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit përveçse ata të Kosovës, dhe po e relativizon shtetësinë e sovranitetin, integritetin territorial e institucional të Republikës sonë.

“Për më tepër, Kurti ka theksuar se ky President nuk ka mandat për çfarë po flet e bën. Dhe, ai nuk ka as parime dhe platformë. “Rruga e duhur përpara nuk është shkëmbimi territorial por reciprociteti i të drejtave”, ka thënë Kurti. Gjithashtu, ai ka shtuar se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën e saj.

Ndërsa, ambasadori O’Connell ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur dhe ka qëndrim të qartë rreth pavarësisë e sovranitetit të Kosovës dhe se çdo lëvizje për ndryshim të kufijve është e rrezikshme jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Ai u shpreh kundër logjikës “ndarje ose konflikt”, theksohet në komunikatën e VV-së. Në këtë takim u diskutua edhe për nevojën për luftim të krimit të lartë e korrupsionit të organizuar si parakusht për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat