Gashi në konferencën ministrore të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë

Aktuale

Gashi në konferencën ministrore të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 16:28
Gashi në konferencën ministrore të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë

Me ftesë të ministrit të Brendshëm të Austrisë, Herbert Kickel, ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi po merr pjesë në konferencën ministrore e partnerëve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Vjenë me temë: “Siguria dhe Migracioni - Promovimi i Partneritetit dhe Pajtimit”.

Ministri Gashi gjatë dy ditëve të kësaj konference, do të diskutojë lidhur me interesin e përbashkët të vendeve të  Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, për t’iu përgjigjur problemeve që lidhen me sigurinë, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e të gjithë vendeve.

 “Siç e dimë të gjithë, në ditët tona, terrorizmi ndërkombëtar dhe ekstremizmi i dhunshëm fetar vazhdojnë të mbeten një nga kërcënimet kryesore të sigurisë, si në Ballkanin Perëndimor edhe në vendet e tjera të botës. Mjedisi ndërkombëtar i sigurisë është bërë më i paparashikueshëm dhe i mbushur me shumë sfida që shkojnë edhe shumë larg përtej Evropës”, tha ministri Gashi. 

Ministri Gashi theksoi se Qeveria e Kosovës e ka gjykuar dukurinë e terrorizmit dhe të ekstremizmit, si një dukuri me synime të trefishtë, si përpjekje për goditur sigurinë e Kosovës, si përpjekje për të krijuar mbështetje afatgjate në Kosovë dhe si përpjekje për të dërguar ushtarë për shtetin islamik duke shpërdoruar besimin fetar të myslimanëve të Kosovës. 

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve të Republikës së Kosovës ka një zvogëlim shumë të dukshëm të kësaj dukurie. 

Në vitet 2017-2018, numri i njerëzve nga Kosova që kanë shkuar në zonat e konfliktit ka qenë zero, një rënie e dukshme krahasuar me vitet 2013-2014. 

Konferenca do të vazhdojë edhe nesër, ku ministri Gashi do të takojë ministra dhe përfaqësues të shteteve të Ballkanit, më të cilët do të bisedojë për të ardhmen e përbashkët të vendeve, sa i përket formave të bashkëpunimit për rritjen e sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe të organizatave ndërkombëtare, siç janë INTERPOL, EUROPOL, FRONTEX, IOM, UNCHR, ICMPD, IACA, MARRI, etj.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat