Ahmeti: Vështirë të arrihet konsensusi për vizat në Këshillin e Ministrave

Aktuale

Ahmeti: Vështirë të arrihet konsensusi për vizat në Këshillin e Ministrave

Më: 14 shtator 2018 Në ora: 11:10
Shpend Ahmeti

Kryetari i Prishtinës, njëherësh kryetar i Partisë Social Demokrate (PSD) ka bërë një postim në Facebook sot përmes së cilit thotë se sipas një analize të tij mbi votimin e djeshëm të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duket se konsensusi në Këshillin e Ministrave të BE-së do të jetë shumë i vështirë për t’u arritur.

“Shumica e deputetëve të Spanjës, Greqisë dhe Qipros të cilat që nuk e njohin Kosovën si shtet, edhe shumica e deputetëve të Francës dhe Holandës kanë votuar kundër. Deputetët e partive të djathta (ekstreme) të cilat udhëheqin me qeveritë e Italisë, Belgjikës, Austrisë dhe Danimarkës kanë votuar kundër”, ka shkruar Ahmeti.

Tutje ai thotë se duke e marrë parasysh kontekstin e zgjedhjeve evropiane të majit 2019 dhe faktin se kemi telashe me 6 nga 10 shtetet më të mëdha të BE-së, tendenca mund të jetë që vendimi të shtyhet deri pas zgjedhjeve evropiane, kur BE do të jetë edhe më e ndarë dhe më e djathtë.

Ai sugjeron që Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Integrimeve Evropiane urgjentisht të kontaktojnë qeveritë aleate dhe qeveritë e shteteve që na kanë njohur e që kanë votuar kundër për të kërkuar votën dhe sqarime.

“Partitë në Kosovë duhet të kontaktojnë urgjentisht partitë simotra në Rrjetet e tyre për të kërkuar mbështetje. Me Socialdemokratët evropianë nuk do të jetë fare problem por ne do t’i kontaktojmë për çdo rast”, është sugjerimi i Ahmetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat