O’Connell: Në Kosovë flitet për votuesit e një partie, sikur janë tifozë të klubit të futbollit

Aktuale

O’Connell: Në Kosovë flitet për votuesit e një partie, sikur janë tifozë të klubit të futbollit

Më: 14 shtator 2018 Në ora: 16:26
Ruairi O’Connell, në tryezën e organizuar nga KDI për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë

Që një shtet të jetë demokratik është shumë e rëndësishme që të ketë qytetari aktive, të ketë media të lira, të fuqishme dhe profesionale, si dhe duhet që deputetët dhe politikanët të komunikojnë me qytetarët drejtpërdrejt.

Kështu ka thënë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, në tryezën e organizuar nga KDI për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

O’Connell është shprehur se në Kosovë flitet për votuesit sikurse për tifozët e një klubi të futbollit, prandaj sipas tij është shumë e rëndësishme që qytetarët të mos pranojnë vendime të këqija, sidomos prej partive që i kanë votuar.

O’Connell: Qytetarët të mos pranojnë sende të këqija prej partive për të cilat kanë votuar

“Në Kosovë flitet për votuesit e një partie, sikur janë tifozët e klubit të futbollit. Nëse voton për një parti kjo nuk do të thotë që jeni zotuar për jetë, keni mundësi me ndërrua mendjen, me votua dikë tjetër. Nëse partia mendon që keni dhënë betimin që për tërë jetën ti dhe familja keni me votua për ata do të keqpërdoren votat. Nuk do të reagojnë kundër kritikave të qytetarëve... Mospajtimet janë plotësisht të pranueshme, normale në një demokraci, në fakt është ndonjëherë pak shqetësuese kur pajtohen gjithmonë deputetët për çdo temë. Por, çka është e rëndësishme është që qytetarët të mos pranojnë sende të këqija, sidomos prej partive për të cilat kanë votuar, kjo është me e rëndësishme”, tha O’Conell.

Ambasadori britanik ka thënë se në Kosovë duhet të krijohet kultura e ndëshkimit të deputetëve, e që sipas tij nëse ata nuk punojnë në interes të vendit nuk duhet të marrin edhe një mandat tjetër.

Madje për këtë ai ka marrë edhe një shembull nga Britania, ku ai tha se për një dyshim se janë keqpërdorur shpenzimet publike, 50 përqind e deputetëve kanë humbur mandatin e deputetit në zgjedhjet që janë organizuar pas atij skandali.

O’Connell: Interesi i qytetarëve është për të votuar vetëm për ata që bëjnë sende të mira

“Puna e politikanit është për të bërë atë, pikërisht atë, kurrgjë tjetër, që fiton vota, sepse nëse fiton vota do të fitojnë edhe një mandat. Interesi i qytetarëve është për të votuar vetëm për ata që bëjnë sende të mira në interes të qytetarëve. Pra, do të thotë me sigurua që atë send që fiton vota është identike me atë send që është interes i qytetarëve. Nëse qytetari voton për sendet që janë kundër interesit të vet është faji i tij që deputetët nuk reagojnë. Kjo do të thotë që nëse kërkesa është për të pasur qasje më mirë qytetarëve votoni për deputetët që kanë qenë të hapur qytetarëve”, ka thënë O’Conell.

Ambasadori O’Connell është shprehur se tani më kosovarët duhet të vendosin për Kosovën, sipas tij ka ardhur koha që Kosova të mbajë përgjegjësi.

Ndaj deklaratës së ambasadorit se politikanët shtrojnë vetëm ato çështje që iu sjellin vota, ka reaguar deputetja e LDK-së Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se ajo që e dëmton Kosovën sot është të gjithë deputetët futen në një thes.

Osmani: Ajo çka e dëmton Kosovën është sot të futen të gjithë politikanët në një thes

“Për çështje që iu sjellin vota sepse duan patjetër të marrin edhe një mandat, nuk është e vërtetë. Ajo çka e dëmton Kosovën është sot të futen të gjithë politikanët në një thes. Unë nuk pranoj që të më thotë askush hajn, unë nuk pranoj të më thotë askush nuk ke ngritur çështje në interes të qytetarëve sepse nuk është e vërtetë. Unë nuk pranoj të më thonë njerëzit ju deputetët po rreheni mes vete sepse nuk kam qenë kurrë pjesë e skandaleve. Nuk pranoj të më thotë askush je e korruptuar sepse nuk jam dhe nuk pranoj të më thotë askush pavarësisht a është nga Kosova aspo jashtë Kosovës, se puna ime është për ta fituar edhe një mandat tjetër, sepse nuk është e vërtet. Mundohemi me mish e me shpirt, një pikë të vogël në oqean një punë të vogël ta bëjmë çdo ditë që të punojmë në interesin tuaj. Jo gjithmonë ia qëllojmë, këtë të jeni të sigurt, por qëllimin e kemi të mirë dhe ata depu tet besoj që pavarësisht që e kanë emrin dhe mbiemrin, pavarësisht nga cila parti vijnë që e meritojnë besimin tuaj”, ka thënë Osmani.

Deputetja Osmani ka folur edhe për demokracinë në Kuvend, ku sipas saj një arsye pse demokracia është në udhëkryq është se ka mbi përfaqësim të pakicave të cilët e bllokojnë vendimmarrjen e shumicës. Sipas saj ka sundim të pakicës mbi shumicën.

Osmani ka folur edhe për demokracinë brenda LDK-së, ku sipas saj është sfidë e madhe demokratizimi i brendshëm i partive politike në Kosovë, ku ajo thotë se sikur të ishte situata perfekte do të kishte më pak probleme edhe brenda institucioneve.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se si deputetë duhet të ofrojnë transparencë dhe llogaridhënie, por që sipas tij të dyja këto nuk janë të kënaqshme në Kosovë.

Isufi: Kemi papërgjegjësi të deputetëve në pjesëmarrje

“Ne jemi përfaqësues të popullit të cilët duhet vërtet edhe të ofrojmë transparencën në të gjitha aspektet e funksionimit të Kuvendit, por edhe llogaridhënien po ashtu. Të dyja nuk mund të themi që jemi të kënaqur, për arsye se e keni vërejtur që shumë nga seancat ka ndodhur të mos ketë kuorum, do të thotë kemi papërgjegjësi të deputetëve në pjesëmarrje. Kemi po ashtu mungesa të cilat vërtet e bëjnë Parlamentin jo sa duhet funksional. Po ashtu, segmentet politike të caktuara ndoshta është koha që për hir të demokracisë t’i lejnë interesat e ngushta politike edhe të bazohen në interesat e qytetarëve të Kosovës, në interesat e vendit dhe në atë që është kthim i besimit tek qytetarët, sepse qytetarët na e kanë dhënë besimin për t’ua kthyer me besim”, ka thënë Isufi.

Sa i përket demokracisë brenda partisë pjesë e të cilës është ai ka thënë se nuk do ta vlerësojë, por do t’ia lë opinionit që të vlerësojë se cila është Aleanca.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka deklaruar se nuk mendon që në Kosovë ka demokraci, ndërkohë që ka thënë se nuk mund të ketë demokraci, nuk mund të ketë shtet funksional pa qytetari aktive.

Pacolli: Ka shumë elemente të autokracisë

“Kosova po kalon në një fazë jashtëzakonisht të vështirë sa i përket demokracisë. Ne si shtet fatkeqësisht asnjëherë nuk kemi arritur që të ecim drejt një demokracie funksionale. Sot nëse e lexojmë raportet ndërkombëtare Kosova konsiderohet si regjim hibrid, pra jo demokraci ku sistemi ynë ka disa elemente të demokracisë, siç janë institucionet formale. Mirëpo, ka shumë elemente të autokracisë ku sot i shohim dhe me veprimet e fundit të politikanëve në Kosovë”, është shprehur ajo.

Ndërsa, sa i përket demokracisë brenda VV-së, Pacolli ka thënë se partia në të cilën bënë pjesë është partia më demokratike në vend.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, ka thënë se partia të cilën e përfaqëson tenton të jetë demokratike, por që sipas saj ende ka shumë punë për t’u bërë.

Ajo ka përmendur një fakt që sipas saj e bënë PDK-në demokratike, e që është se në zgjedhjet e fundit kanë kandiduar më së shumti femra.

Izmaku: Nuk është e lehtë me sjellë një subjekti ku je demokraci

“Tash kur shoh që ka gabime edhe ka vend për përmirësime nuk kam çka me e fsheh, sepse ju i dini shumë mirë. Po na bëni pyetje provokuese por duhet me thënë sinqerisht, nuk është e lehtë me sjellë një subjekti ku je demokraci, sepse ka dikush që tenton me qenë pak më fleksibil në raport me ndonjë pozitë më të mirë brenda subjektit politik dhe dikush që tenton me qenë deri në fund vetvetja dhe nuk mundet me marrë një pozicion të mirë politik. Megjithatë vlerësohet prej votuesve dhe prej qytetarëve, prandaj edhe jemi në këto pozicione”, tha Izmaku.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka organizuar këtë tryezë me temën “Rritja e transparencës dhe llogaridhënies ndaj zgjedhësve”, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat