Picula: Kosova të jetë në Evropë

Aktuale

Picula: Kosova të jetë në Evropë

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 15:56
Tonino Picula dhe Memli Krasniqi

Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit të Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), Memli Krasniqi tha se në mbledhjet e këtyre dy ditëve është diskutuar për shumë tema të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai në një konferencë për media tha se gjatë dy ditëve të mbledhjes së pestë të MSA-së është diskutuar për krimet e luftës dhe rrugën drejt pajtimit, zhvillimet në ekonomi, për sundim të ligjit dhe çështje të liberalizimit të vizave.

Krasniqi: PE ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për Kosovën

“Falënderimin tonë për mbështetjen e madhe që delegacioni Parlamentit Evropian në këtë Komision ka dhënë në vazhdimësi Kosovës, duke përfshirë edhe në votimin e fundit në PE për ta aprovuar lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës, por edhe për një sërë çështjesh të tjera”, tha Krasniqi. 

Ai shtoi se kanë miratuar një deklaratë finale, bashkë edhe me rekomandimet konkrete, e cila sipas tij, gjatë ditës do të shpërndahet për t’u bërë publike.

Ndërsa, Tonino Picula, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian (PE), tha se Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë e agjendës së BE-së.

Picula: Kosova të jetë në Evropë

“Mendoj se kemi marrë disa lajme të mira rresht. Javën e kaluar, Parlamenti Evropian pati një votim pozitiv në komitetin LIBE. Ai i dha besim të ardhmes së Kosovës pa kërkesa për viza për qytetarët e Kosovës, më shumë se 420 anëtarë të Parlamentit Evropian e votuan atë si zgjidhje e cila do të heqë kërkesat për viza për qytetarët e Kosovës. Sot, ne dëshmojmë edhe një herë se pavarësisht të gjitha dallimeve, ne jemi në gjendje të njohim atë që ka rëndësi dhe ajo që ka rëndësi është që Kosova të jetë në Evropë, ta shtyjmë Kosovën përpara dhe të mbajmë Kosovën sa më lart në agjendën e Bashkimit Evropian në rrethana të vështira, sepse e dini se çfarë po ndodh në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është i mirëpritur nga një pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa nga pjesa tjetër le të themi se vihet në  pikëpyetje”, ka theksuar Picula.

Ndryshe, më 13 dhe 14 mars të vitit të ardhshëm do të mbahet mbledhja e radhë së MSA në Strasburg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat