Shala: Procedimi i Projektligjit nga Qeveria për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, nuk u bë pa pajtimin e partnerëve ndërkombëtarë

Aktuale

Shala: Procedimi i Projektligjit nga Qeveria për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, nuk u bë pa pajtimin e partnerëve ndërkombëtarë

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 16:53
Haxhi Shala

Procedimi i Projektligjit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri nga Qeverisë në Kuvendin e Kosovës do të shkojë deri në fund.

Kështu ka theksuar kryetari i Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala.

Ai ka thënë se deri më tani ata si komision nuk e kanë pranuar këtë projektligj.

“Por kur të vijë, ne do ta procedojmë për ma tutje në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar Shala.

Ai tha se beson se do të kalojë në Kuvendin e Kosovës transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, sepse sipas tij, kjo gjë është në interes të vendit.

“Unë mendoj se Qeveria dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MSFK) nuk ka ndërmarrë diçka e duke mos e pasur pajtimin e partnerëve ndërkombëtarë”, ka theksuar Shala.

Ndryshe, ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Ishte ministri i FSK-së, Rrustem Berisha që e kishte bërë këtë propozim në mbledhjen e ekzekutivit kosovar.

Me këto projektligje, FSK-ja pritet të marrë detyra të reja dhe Ministria e FSK-së të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes.

Berisha kishte deklaruar se kur të krijohen kushtet do të shkohet edhe me ndryshime kushtetuese për ndryshimin e emrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në këtë pikë janë të domosdoshme dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës dhe dy të tretat e votave nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet pakicë në Kuvend.

Presidenti i shtetit kishte theksuar fillimisht se nuk është momenti i duhur që të bëhet ky procedim, madje ai pati thënë atë ditë se ky nuk është vendim i duhur, sepse jemi në prag të votimit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave.

Mirëpo, brenda të së njëjtës ditë, Thaçi ka deklaruar qëndrimin e tij pro transformimin e  FSK-së në ushtri.

“Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim”, kishte shkruar ndër të tjerash Thaçi në Facebook.

Në anën tjetër Ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka publikuar një deklaratë në lidhje me projektligjet e aprovuara nga Qeveria, për transformimin e FSK-së në ushtri.

Në deklaratën e saj, ambasada e SHBA-së thotë të mos jetë këshilluar në lidhje me këto projektligje dhe se duhet të i analizojë ato për ta ditur qëllimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat