Çështja e kufijve “prek” ekonominë, Mustafa paralajmëron problemet tjera

Aktuale

Çështja e kufijve “prek” ekonominë, Mustafa paralajmëron problemet tjera

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 shtator 2018 Në ora: 12:07
Harta e Kosoves

Çështja e ndryshimit apo korrigjimit të kufijve, natyrisht se rritë pasigurinë dhe ndikon negativisht në Kosovë, thotë profesori i ekonomisë Muhamet Mustafa.

Ai thotë se dëmet nga deklaratat për kufijtë tashmë janë të pranishme dhe ato mund të rriten më tutje në fushat tjera nëse vazhdohet më tutje kështu.

Duke folur rreth ndikimit të çështjes së kufijve tek investitorët në Kosovë dhe në ekonominë e vendit në përgjithësi, profesor Mustafa shprehet se imazhi që ndërton vendi jashtë ka shumë rëndësi, prandaj gjendja mund të keqësohet.

“Është thënë shumë herë se problemi që ndërlidhet me investimet e pamjaftueshme nga jashtë qëndron para se gjithash me imazhin që ndërton vendi ynë jashtë, e që ndërlidhet me stabilitetin politik e social, me zbatimin e ligjit, evitimin e korrupsionit dhe konkurrencën reale, funksionimin e mirë të gjyqësorit. Këtu në këtë vend numërojmë ose më mirë të themi në disa aspekte po keqësohet gjendja. Derisa është bërë përparim në politikat ekonomike, më të favorshme e miqësore ndaj investuesve në fushat e tjera qëndrojmë keq”, thotë Mustafa.

Image
Muhamet Mustafa

Lufta partiake që Mustafa e quan “luftë primitive partiake për pushtet”, ka bërë që Kosova të ketë një fotografi të keqe jashtë vendit, prandaj ai kërkon që klasa politike të kthjellet dhe t’i evitojë pengesat deri te koncensusi nacional për çështjet madhore të interesit nacional.

“E kam thënë shumë here se lufta partiake antagonsitike, tejet konfliktuoze politike, që unë e quaj një luftë primitive partiake për pushtet. Në këtë fushë interesat individuale të një logjike bajraktarizmi, apo interesat grupore politike e ekonomike vihen mbi interesat e vendit dhe forcimit të shtetësisë dhe pozicionit të tij ndërkombëtar. Po japim një fotografi të keqe jashtë. Është koha e fundit që kjo klasë politike të kthjellet dhe të evitojë pengesat deri te konsensusi nacional për çështjet madhore të interesit nacional. Këto polarizime, jo vetëm midis opozitës dhe pozitës, por edhe brenda pozitës po e rrezikojnë shumëfish vendin, jo vetëm për investimet e jashtme. Në këtë situatë investimet e jashtme natyrisht se e pësojnë dhe të dhëna për 2018 këtë e dëshmojnë”, pohon Mustafa.

Çështja e ndryshimit të kufijve, sipas Mustafës, ndikon negativisht në vend dhe kjo krijon pasiguri të madhe në shumë drejtime.

Krijimi i shtetit të Kosovës dhe pozita e tij ndërkombëtare, mund të vihet në pikëpyetje për shkak të çështjes së ndryshimit të kufijve, shprehet Mustafa duke kërkuar që liderët politikë të dalin sa më shpejt nga kjo situatë.

“Hapja e çështjes së ndryshimit/ korrigjimit të kufijve natyrisht se rritë pasigurinë dhe ndikon tejet negativisht. Dëmet tanimë janë këtu edhe ato mund të rriten në shumë fusha tjera nëse vazhdohet më tutje kështu. Kjo krijon një pasiguri të madhe në shumë drejtime. Mund të vë në pikëpyetje të arriturat shumë të mëdha në krijimin e shtetit të Kosovës dhe pozitës së tij ndërkombëtare. Andaj klasa politike, liderët institucionalë dhe partiakë duhet në mënyrë urgjente të kthjellen, të dalin prej kësaj situate, sepse frikësohem se do të vijmë në një situatë që nuk mund të lejohet të vazhdojë kështu me mos komunikimin normal të forcave politike dhe liderëve politikë, me kuvendin e paralizuar thuaja, me qëndrime disonante midis funksionarëve kryesorë, me tendencën e personalizimit dhe protagonizmit mbi interesat e vendit”, thekson Mustafa.

Qeveria Haradinaj tashmë i ka bërë një vit qeverisje, ndërkaq gjatë kësaj periudhe, profesori Mustafa thotë se është ruajtur trendi i zbatimit dhe përmirësimit të politikave fiskale për prodhuesit, por për shkak të situatës politike dhe mazhorancës ka vështirësi të funksionojë.

Mungesa e një konsistence në marrjen e vendimeve në bazë të të dhënave, analizave dhe studimeve valide dhe jo në stilin ad- hok, janë disa nga problemet që ballafaqohet qeveria aktuale, sipas Mustafës.

“Tanimë janë thënë shumë gjëra për këtë. Pozitive ka qenë që po ruhet trendi i zbatimit dhe përmirësimit të politikave fiskale për prodhuesit, kujdesi për prodhuesit të ngjashëm si dhe në përkujdesje që të kontrollohet më mirë implementimi. Por kjo është zhvlerësuar për shkak të situatës politike dhe problemeve në funksionimit për shkak të mazhorancës që ka vështirësi të funksionojë si e tillë. Disa të dhëna flasin për keqësimin e bilancit tregtar, zvogëlim të investimeve, njësoj janë të dhënat lidhur me punësimin, pati patëm edhe disa vendime diskutabile lidhur me buxhetin,. Disa probleme derivojnë edhe nga situata politike por edhe nga mungesa e një konsistence në marrje të vendimeve në bazë të të dhënave, analizave dhe studimeve valide dhe jo në stilin ad- hok. Pra është një situate serioze dhe për qeveria ekzistuese e ka vështirë të ballafaqohet me këto probleme”, përfundon Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat