Hoti: Opozita e ndali takimin Thaçi – Vuçiq, po e pergatisim edhe mocionin për rrëzimin e qeverisë - Bota Sot
Hoti: Opozita e ndali takimin Thaçi – Vuçiq, po e pergatisim edhe mocionin për rrëzimin e qeverisë

Aktuale

Hoti: Opozita e ndali takimin Thaçi – Vuçiq, po e pergatisim edhe mocionin për rrëzimin e qeverisë

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 13:13
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një konferencë për mediatha se opozita është duke e bërë gati mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Ai ka theksuar se keqqeverisjes dhe arrogancës po u vjen fundi.

“Me kërkesë të partive opozitare do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare që janë të rëndësishme për qytetarët. Për këtë seancë i kemi mbledhur 53 nënshkrime. E kemi ftuar për shkak se Kuvendi pothuajse është paralizuar”, është shprehur Hoti.

Ai ka thënë se për të dalë nga gjendja e tanishme duhet të bëhen zgjedhje të reja parlamentare, pasi sipas Hotit ka kaluar koha e arrogancës ku koalicioni PAN mund të bëjë ndryshim në vend.

“Nuk ka mbetur rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të reja. Ka kaluar koha kur arroganca e koalicionit PAN mund të prodhojë ndonjë ndryshim në këtë vend, ndryshimin e bëjnë qytetarët dhe deputetët e opozitës përfaqësojnë mbi 60 për qind të qytetarëve”, ka theksuar Hoti.

Hoti, po ashtu, ka thënë se takimin e Presidentit Thaçi me homologun e tij serb e kanë ndalur opozita, e cila bashkë me qytetarët e ka pamundësuar këtë takim, e duke iu referuar kësaj, Hoti thotë se opozita ka fuqi ta rrëzojë edhe Qeverinë.

“Ne jemi partia më e madhe në vend, dhe si e tillë bashkë me opozitën dhe mbështetjen e qytetarëve e kemi stopuar takimin e datës 7 shtator, besojmë që kemi fuqi të bëjmë që institucionet t’i ndalojnë këto vepra. Këtij lloji të qeverisjes është duke i ardhur fundi. Jemi duke punuar në mocionin për qeverinë dhe seancat e ardhshme besoj që do të jenë për rrëzimin e qeverisë”, është shprehur Hoti.

Ai, po ashtu, ka thënë se nëse është nevoja për protestë, LDK-ja është e gatshme ta organizojë një të tillë dhe të ftojë të gjithë qytetarët për pjesëmarrje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...