Sherifi i reagon presidentit Thaçi, ka një kërkesë për partitë opozitare

Aktuale

Sherifi i reagon presidentit Thaçi, ka një kërkesë për partitë opozitare

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 13:21
Bill Sherifi

Shefi i Grupi Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, thotë se çdo kush që ka njohuri minimale për raportet e Serbisë me Kosovën, e di mirë se gjatë katër dekadave të fundit, me dhjetëra herë është shtruar ndarja e Kosovës.

“Çdo kush që ka njohuri minimale për raportet e Serbisë me Kosovën, e di fare mirë se gjatë katër dekadave të fundit, me dhjetëra herë është shtruar ndarja e Kosovës. Pa përjashtim, në të gjitha rastet ky propozim ka ardhur nga pala serbe. Prandaj pretendimi se ai na paska “propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë” është në fakt një “zhurmë irracionale””, ka shkruar Sherifi.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, thotë se kur bëhet fjalë për “vijat etnike”, të gjithë e dinë se realiteti i spastrimit etnik të pjesës veriore të Kosovës është pasojë e gjenocidit serb.

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate këtë shkrim e ka bërë si reagim ndaj editorialit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me titull “Korrigjimi paqësor i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ja postimi i plotë i Sherifit:

Reagim ndaj "EDITORIALIT" të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Pas tërheqjes nga qëndrimi fillestar që në fazën finale të bisedimeve me Serbinë territori i Kosovës të shtrohet në tavolinë të pazarllëqeve për ndarje, Hashim Thaçi i rikthehet kësaj teme. Në shkrimin dërguar medieve më 16 shtator ai nxori në shesh thelbin e platformës që ka përqafuar për këtë fazë të bisedimeve. Në këtë shkrim “Editorial” Hashim Thaçi ndalet edhe te kritikat që i janë bërë lojës së tij të rrezikshme me integritetin territorial të Kosovës. Në lidhje me kritikuesit e tij ai shprehet kështu: “Kam pritur kundër argumente racionale, por deri më sot kam dëgjuar më tepër zhurmë dhe në rastin më të keq edhe urrejtje. Kosova është vend shumë i vogël për të prodhuar kaq urrejtje, e cila e ndan shoqërinë tonë”.

Duke qenë njëri nga kritikuesit e tij kur cenohet sovraniteti dhe integriteti i shtetit të Kosovës, e shoh si të domosdoshme të reagoj. Reagimin tim e bëj jo për shkak të thumbave që lëshoi në drejtim të atyre që nuk pajtohen me te, por argumentet që do t’i përmend më poshtë do t’i mundësojnë lexuesit të shoh se kush sjell “argumente racionale” dhe “kush është ai që përmes zhurmës së vet prodhon urrejtje që ndan shoqërinë tonë”.

T’i shohim “argumentet” një nga një.

1. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaron se ai paska “propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë”!

A mund të quhet “racional” një pohim i tillë i Presidentit të Kosovës?

Çdo kush që ka njohuri minimale për raportet e Serbisë me Kosovën, e di fare mirë se gjatë katër dekadave të fundit, me dhjetëra herë është shtruar ndarja e Kosovës. Pa përjashtim, në të gjitha rastet ky propozim ka ardhur nga pala serbe. Prandaj pretendimi se ai na paska “propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë” është në fakt një “zhurmë irracionale”.

Presidenti i Kosovës përpiqet të “sigurojë skeptikët se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike”dhe akuzon të tjerët se kinse “krijojnë panik dhe mjegull”!
Edhe në këtë rast ai nuk sjell asgjë origjinale, por ka përvetësuar opsionin serb dhe përpiqet të “krijojë mjegull” për të humbur gjurmët serbe në propozimin për ndarje. Në asnjë strategji serbe nuk mund të gjesh propozim që ndarjen do ta mbështeste vetëm në vija etnike. Strategjia serbe ka qenë dhe mbetet e njëjtë: ndarjen e Kosovës ta bëjë mbi të gjitha në “vija të burimeve të pasurisë së saj”.

Asnjë lloj “mjegulle” që përpiqet ta shpërndajë mbi opinionin publik dhe asnjë “zhurmë irracionale” që është duke bërë Presidenti i Kosovës nuk mund ta fshehë rrezikun që i kanoset Liqenit të Ujmanit dhe Minierave në veri të Kosovës nga projektet serbe për ndarjen e Kosovës.

Kur bëhet fjalë për “vijat etnike”, të gjithë e dimë se realiteti i spastrimit etnik të pjesës veriore të Kosovës është pasojë e gjenocidit serb. Të ngresh zërin kundër pretendimeve të Serbisë për të aneksuar pjesën veriore të Kosovës nuk është kurrfarë “paniku irracional”. Përkundrazi, ky rrezik është bërë real pas përqafimit të kësaj ideje serbe nga ana e Presidentit të Kosovës. Për një deputet të Parlamentit të Kosovës dhe për çdo qytetarë të vendit tonë nuk mund të ketë obligim më racional se ngritja e zërit për të alarmuar të gjitha forcat demokratike në botë dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare se nën maskën e “Shkëmbimeve të Territoreve” apo “Korrigjimeve të Kufirit” në mes të Kosovës dhe të Serbisë është duke u përgatitur terreni që të legjitimohet politika e gjenocidit serb në Kosovë.

2. A mund të quhet “racional” pohimi i Hashim Thaçit, nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës, se “realiteti rajonal dhe ndërkombëtar imponon arritjen e marrëveshjes për normalizim për të dy shtetet, si kusht i domosdoshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian”?
Kushdo qoftë që ka ndjekur zhvillimet politike rreth integrimeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian e di shumë mirë faktin se me qindra personalitete politike dhe përfaqësues të institucioneve të BE-së kanë përsëritur vazhdimisht se “anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk është i mundur pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

Nuk mund të ketë qëndrim më “irracional” se sa ky rast kur Presidenti i Kosovës, pa asnjë argument të vetëm, e përmbys realitetin dhe kushtet të cilat i janë imponuar Serbisë ia vesh Kosovës.

Kjo që bën Presidenti i Kosovës nuk është “zhurmë”, term që ai e përdor për të cilësuar qëndrimet e kundërshtarëve të vet. Qëndrimi i tillë është shërbimi më i madh që dikush mund t’i bëjë Serbisë, sepse deri tani asnjë udhëheqës i BE-së nuk ka ngarkuar Kosovën si përgjegjëse për mos normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai që nga kundërshtarët e idesë për ndarjen e Kosovës kërkon “kundër argumente racionale”, le të na sjell një argument të vetëm ku ndonjë përfaqësues politik i BE-së të ketë kushtëzuar rrugëtimin e Kosovës me njohje nga Serbia.

Përveç politikanëve serbë, vetëm Hashim Thaçi ka marrë guximin të thotë publikisht se kinse “njohja nga Serbia është bërë pengesa primare për rrugëtimin tonë euroatlantik”. Deri tani, askush tjetër nuk ka pohuar një gjë të tillë.

Nëse Hashim Thaçi dëshiron “kundërargumente racionale”, mund t’ia rendisë një listë bukur të gjatë të personaliteteve ndërkombëtare, të cilët kanë pohuar të kundërtën e asaj që deklaron Presidenti i Kosovës: “njohja e pavarësisë së Kosovës është bërë pengesa primare për rrugëtimin euroatlantik të Serbisë”. Ky është argument i pakontestueshëm që as “zhurma” e as “mjegulla” e tij nuk mund ta fshehin.

3. Presidenti i Kosovës akuzon kundërshtarët e idesë së ndarjes së Kosovës si “dyshues që përhapin frikë, panik dhe mjegull”!
Është plotësisht e vërtetë se në këtë kontekst dikush përhapë “frikë, panik dhe mjegull”.
Muajt e ardhshëm janë vendimtarë në rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së. Pas shumë vite bisedimesh dhe përdorimit të logjikës “tërhiq e mos e këput”, njohja e pavarësisë së Kosovës do të del si kusht i domosdoshëm për avancimin e mëtejmë të negociatave të këtij shteti me BE-në.

Kjo situatë ka shkaktuar frikë dhe panik në radhët e qeveritarëve serbë dhe mbështetësve të tyre. Kjo është plotësisht e kuptueshme dhe “racionale”, sepse kemi të bëjmë me politikan të shkolluar në frymën e urrejtjes kundër shqiptarëve. Por, nuk mund të ketë qëndrim më “irracional” se sa se rasti kur Presidenti i Kosovës deklaron se gjoja “nuk mund t’i arrijmë qëllimet tona nëse NË MUAJT E ARDHSHËM nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Serbinë”!

Një deklaratë e tillë mund të jetë “racionale” vetëm për një politikan të Serbisë e assesi për Presidentin e Kosovës. Duke u takuar shpesh me Aleksanar Vuçiqin, Hashim Thaçit i janë ngatërruar qëndrimet dhe e shpall si të veten idenë e presidentit serb!

4. Në panik të plotë për shkak se muajt e ardhshëm Serbia do të ballafaqohet me presionin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Hashim Thaç del si shpëtimtar i politikës serbe. Të gjitha përpjekjet e deritanishme për ta bindur Serbinë që të njohë pavarësinë e Kosovës, Hashim Thaçi i shpall si të dështuara. Presidenti i Kosovës nuk ndalet në këtë konstatim por vazhdon me argumentet e “veta”duke thënë se: “BE-ja dhe aleatët tanë të fuqishëm: SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca, Italia e shumë të tjerë nuk kanë mundur ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën deri më sot dhe nuk mund të garantojnë se do ta bëjnë nesër apo në të ardhmen e afërt. SI REZULTAT, PËRGJEGJËISA MBETET TEK NE”!

Të shfajësosh Serbinë për refuzimin që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të bëhen akuza se gjoja për këtë dështim “PËRGJEGJËISA MBETET TEK NE”, është e pafalshme, sidomos kur një pohim i tillë vjen nga personi që ka funksionin e presidentit të Kosovës.

Kosova nuk ka asnjë përgjegjësi për sjelljet “irracionale” të Serbisë. Nëse dikush mund të ngarkohet me përgjegjësi në përpjekjet për të hedhur fajin te Kosova, atëherë ai është Hashim Thaçi dhe politikanët serbë. Në këtë kontekst, Hashim Thaçi nuk përfaqëson interesat e Kosovës por është bërë zëdhënës i propagandës serbe.

5. Me qëllim që të bindë lexuesit se nuk ka rrugë tjetër pos kënaqjes së aspiratave serbe, Hashim Thaçi përshkruan rrjedhat historike të zhvillimeve politike për statusin e Kosovës.
Sipas Presidentit të Kosovës , “procesi i pavarësimit të Kosovës është shoqëruar me shqetësime dhe dilema vendore e ndërkombëtare”!

Me qëllim që të fshihen gjurmët, Hashim Thaçi nuk përmend ata që ishin “shqetësuar” apo që kishin “dilema”. Të gjithë e dinë se përveç bashkëpunëtorëve të Serbisë, askush nga “vendorët” nuk ka qenë i “shqetësuar” për shkak të pavarësisë së Kosovës dhe as që ka shprehur “dilema” për një gjë të tillë. Të gjithë e dinë se përveç Serbisë dhe Rusisë të gjitha shtetet e fuqishme të demokracive në botë jo vetëm që nuk patën dilema për pavarësinë e Kosovës, po ishin të bindur se nuk kishte rrugë tjetër.

Prandaj, Hashim Thaçi duhet të ndërpres që përmes shkrimeve “editoriale” të përgjithësojë “shqetësimet dhe dilemat” serbo-ruse si të ishin “shqetësime dhe dilema ndërkombëtarëve”.

6. Vendet e fuqishme të demokracive perëndimore dhe mike të Kosovës na i kanë bërë me dije shqetësimet e tyre dhe dilemat që mund të krijohen me hapjen e negociatave për ndryshimet e kufirit të Kosovës. Ata janë të vetëdijshëm se “lufta është vazhdim i politikës me mjete tjera”. Të pranohen bisedimet për ndarje territoriale të Kosovës nuk do të thotë asgjë tjetër pos favorizim i rrethanave që do ta përgatisin luftën për territore.

Përpjekjet e Hashim Thaçit për të siguruar miqtë ndërkombëtarë se ndarja e territorit të Kosovës “nuk do të ketë efekt domino për stabilitetin e rajonit dhe të Evropës”, nuk është “argument racional”, por propagandë serbe e thënë nga Presidenti i Kosovës.

7. Absurditeti i Hashim Thaçit arrin kulmin kur ai pohon se “marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” Ky qëndrim i Hashim Thaçit është në kundërshtim të plotë me realitetin historik. Karta e Kombeve të Bashkuara, si burim bazë i të drejtës ndërkombëtare, ia ngarkoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara misionin e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në Kosovë. Në përputhje me këtë mision u arrit marrëveshja për përfundimin e luftës në Kosovë (i njohur si “Plani i Paqes” që u përpilua nga G8 dhe u mbështet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së) dhe vendosjen e forcave të mandatuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në Kosovë (KFOR).

Nënshkrimi i “Planit të paqes” dhe i “Marrëveshjes Ushtarako-Teknike” u miratuan në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999 dhe dha vulën e të drejtës ndërkombëtare këtyre marrëveshjeve.
Përmes vendimeve të veta, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, si institucioni më i rëndësishëm i të drejtës ndërkombëtare, përcaktoi praninë e forcës ndërkombëtare të sigurisë dhe prezencën civile ndërkombëtare deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit politik të Kosovës.

Për më shumë se 5 vjet rresht prezenca civile ndërkombëtare përgatiti institucionet politike të Kosovës që do të mund t’i udhëhiqnin bisedimet për statusin final të saj. Në seancën e 24 tetorit 2005, Këshilli i Sigurimi mbështeti raportin e përpiluar nga i dërguari special Kai Eide dhe u pajtua se përcaktimi i statusit final të Kosovës ishte i domosdoshëm. Në përputhje me këtë vendim, Martti Ahtissari dhe Albert Rohani ishin të ngarkuarit zyrtarë për të udhëhequr bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, duke përcaktuar edhe parimet mbi të cilat duhej të mbështeteshin bisedimet.
Më duket e rëndësishme të përsëris se në “Parimet Orientuese të Grupit të Kontaktit” theksohet se “rregullimi i statusit të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke garantuar që Kosova të mos kthehet në gjendjen e para marsit të vitit 1999. Çdo zgjidhje e njëanshme që rezulton nga përdorimi i forcës nuk do të jetë e pranueshme. Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se nuk do të ketë bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve regjional do të respektohet plotësisht”.

Rezultati i këtyre bisedimeve dihet. Po përmend vetëm epilogun e tyre. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të datës 26 mars 2007, Ban Ki-mooni shtroi për shqyrtim “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, që ishte përgatitur nga Martti Ahtisaari dhe ekipi i tij.

Në konkluzion të këtij raporti, Martti Ahtisaari theksonte se “duke shqyrtuar historinë e re të Kosovës dhe realitetin e tanishëm dhe duke zhvilluar negociata me të dyja palët, kam arritur te përfundimi se opsioni i vetëm i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e saj. Fillimisht kjo pavarësi duhet të jetë e mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare”.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës bëri që Serbia dhe mbështetësit e saj ta shtrojnë çështjen në kuadrin e institucioneve më të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Më 8 tetor 2008 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën përmes të cilës kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendim lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Konkretisht, kësaj gjykate iu kërkua që t’i përgjigjej pyetjes: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”.

Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e vet se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”.
Të gjitha aktet e të drejtës ndërkombëtare lidhur me Kosovën, duke filluar nga “Plani i paqes”, “Marrëveshja Ushtarako-Teknike” dhe Rezoluta 1244, janë vendime që përbëjnë Traktatin ndërkombëtar për paqen në Kosovë. Vendimi i institucionit më të lartë të drejtësisë ndërkombëtare, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e vulosi të drejtën tonë për shtet të pavarur dhe sovran.

Prandaj, hapja eventuale e negociatave të reja, të kamufluara si “Faza Finale e bisedimeve” për të “Korrigjuar Kufijtë” me Serbinë, do të zhbënte procesin e gjatë, të mundimshëm dhe me plot sakrifica të pavarësimit të Kosovës.
Argumentet e lartpërmendura janë argumente racionale që vetëm njerëzit irracional apo të verbuar nga propaganda serbe nuk mund t’i shohin.

E drejta ndërkombëtare është në anën e Kosovës. Propozimet për “korrigjim kufijsh” janë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe në pajtueshmëri me interpretimin serb të drejtësisë.

8. Këmbëngulja e vazhdueshme dhe me agresivitet e Hashim Thaçit për të imponuar idenë e “Korrigjimit të Kufirit” të Kosovës me Serbinë ka krijuar një situatë tejet të pafavorshme për Kosovën. Në planin e brendshëm kjo ide ka krijuar përçarje si asnjëherë më parë, ndërsa në rrafshin ndërkombëtar na ka nxjerrë tejet joserioz para aleatëve të Kosovës.

E vetmja zgjidhje që mund të shmangë rreziqet që na kanosen në këtë periudhë është që çdo institucion i vendit të kryej funksionin në përputhje me kompetencat e veta. Në këtë kontekst, bisedimet janë kompetencë ekskluzive e Qeverisë, ndërsa Presidenti i Kosovës ka vetëm rol ceremonial (në fillim dhe në fund të bisedimeve). Për këtë arsye e shoh të udhës që t’i drejtohem forcave opozitare në Kuvendin e Kosovës me kërkesë që t’i bashkohen ekipit për dialog të propozuar nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që ky ekip të shndërrohet në ekip shtetëror. Ky ekip do të duhej urgjentisht të hartojë platformën për dialog, e cila duhet të miratohet në Kuvend. Vetëm në këtë mënyrë do të mund nxirrnim jashtë tavolinës së bisedimeve temën e ndarjes së Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat