Organizata e veteranëve: Publikimi i listës me emra të veteranëve është shkelje e ligjit - Bota Sot
Organizata e veteranëve: Publikimi i listës me emra të veteranëve është shkelje e ligjit

Aktuale

Organizata e veteranëve: Publikimi i listës me emra të veteranëve është shkelje e ligjit

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 16:42
Kryesia e Organizatave të Veteranëve të Luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kryesia e Organizatave të Veteranëve të Luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vlerësojnë se është bërë shkelje me publikimin e listës së atyre që mendohet se kanë përfituar kundërligjshëm.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e organizatës së veteranëve kërkojnë që asnjë veteran që ndodhet në atë listë të mos dërgojë padi në Prokurori deri në një njoftim të radhës.

Kryetari i OVL të  UÇK-së, Hysni Gucati  tha se me publikimin e listës Prokuroria me këtë veprim duke shpallur përfitues të kundërligjshëm 20 mijë e 238 veteranë, i ka shpallur të dyshuar pa uu dhënë mundësia në mbrojtje dhe sfidimin e provave që shkojnë në dëm të tyre në fazën e hetimit penal.

Gucati: Këtë punë është dashur ta bëjë duke i thirrur veteranët e dyshuar

“Këtë punë që është dashur ta bëjë duke i thirrur veteranët e dyshuar si përfitues të kundërligjshëm që t’i japin argumentet e tyre si përfitues të pensioneve para shpalljes së listës, po e bën tani pas dërgimit të akuzës dhe kësaj liste në gjykatë, si dhe pa i sqaruar veteranët se si do të shkojë kjo procedurë për paraqitjen e provave para prokurorisë. Cilat ishin arsyet që u futën në këtë listë dhe çfarë prova duhet të ofrojnë, për të vërtetuar pretendimet e tyre”, tha Gucati.

Ai me këtë rast tha se nëse statusi u është njohur, individualisht çdo veterani veç e veç, në procedurën e verifikimit nga Komisioni Qeveritar, sipas tij, edhe shpallja e veteranit si ‘përfitues i kundërligjshëm”, duhet të bëhet individualisht, përmes një aktvendimi i cili duhet t’i përmbajë edhe arsyet përse është shpallur i tillë dhe t’i jepet mundësia çdo njërit prej tyre të kontestojë një aktvendim të tillë.

Gucati: Kërkojmë nga Qeveria të filloj rivlerësimin e gjithë procesit

“Prandaj, OVL e UÇK-së kërkon nga Qeveria e Kosovës, që të fillojë rivlerësimin e gjithë këtij procesi me anë të një Komisioni i cili do të punojë në bazë të kritereve të sakta të përcaktuara me ligjin e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kjo gjë do të ishte më pak e kushtueshme dhe Prokuroria do të lirohet në punën e saj”, ka thënë Gucati.

Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave anëtarë të Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të luftës.

Në këtë aktakuzë janë publikuar më shumë se 20 mijë emra të veteranëve që dyshohet se kundërligjshëm kanë përfituar nga buxheti i shtetit duke u bërë veteran pa qenë fare në luftë. Në këto lista krahas emrave të veteranëve të rrejshëm janë publikuar edhe emrat e shumë personave të cilët kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera