Thaçi: Ahmet Krasniqi i bashkoi të gjithë në luftë, kërkohet zbardhja e vrasjes së kolonelit

Aktuale

Thaçi: Ahmet Krasniqi i bashkoi të gjithë në luftë, kërkohet zbardhja e vrasjes së kolonelit

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 09:54
Homazhet në nderim të ish ministrit të mbrojtjes, heorin e kombit, kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi

(E plotësuar) - Në Akademinë Përkujtimore për 20 vjetorin e rënies dhe rivarrimit i dëshmorëve të kombit, hero i Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se lufta e UÇK-së bëri që gjithë atdhetarët kudo që ishin të bashkohen pa dallime politike për pavarësi.

Ai shtoi se kolonel Ahmet Krasniqi bëri mobilizimin e të gjithëve për luftën që solli lirinë e Kosovës.

Thaçi tha se Krasniqi ashtu sikur i bashkojë të gjithë në luftë, i bëri bashkë edhe sot në Prishtinë të gjithë ata bashkëluftëtarë dhe komandant.

Thaçi: Ahmet Krasniqi ishte koheziv

“Në kuadër të këtyre përkushtimeve, përgjegjësive tona që kemi pasur të gjithë, edhe si qytetarë, edhe si institucione, kolonel Ahmet Krasniqi bëri atë që duhej bërë. Filloj mobilizimin e plotë të të gjithë njerëzve vullnet mirë, të gatshëm për sakrificë me urtësinë e tij, me guximin e tij, me trimërinë e tij, me vizionin e tij afrues dhe koheziv. Gjithashtu kam pasur kënaqësinë që të njohe edhe Qazimin. E nderuara familja Jakupi, me respektin dhe vlerësimin më të lartë të përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore, edhe si bashkëvendës, edhe si bashkëluftëtarë, shprehim epitetin më të lartë, respektin për kontributin dhe sakrificën e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Thaçi. 

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Ahmet Krasniqi sot kthehet në Prishtinë, afër presidentit Rugova dhe afër bashkëluftëtarët e tjerë.

Haradinaj: Ahmet Krasniqi sot kthehet në Prishtinë, është afër presidentit Rugova

“Unë nuk kam pas rast të njohë si bashkëluftëtarë, por veç fakti që është i shtëpisë të Aziz Zhilivodës, flet shumë. Rruga jonë deri në liri, ka qenë shumë e gjatë, shumë e vështirë me plotë paqartësi e me plotë vuajtje. Të gjithë ne që e kemi bërë cilin do hap në rrugën drejt lirisë, vërtet e ndiejmë hapin tjetrit, kush do qoftë ai. Ahmet Krasniqi sot kthehet në Prishtinë, është afër presidentit Rugova, është afër bashkëluftëtarëve tjerë të UÇK-së... është një simbol që me të kthehet dhe Qazim Jakupi, i cili po ashtu iu kushtua lirisë”, theksoi Haradinaj.

Duke folur për kontributin dhe sakrificën e tij, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka kërkuar drejtësi për zbardhjen vrasjes së kolonel Ahemt Krasniqi.

Berisha: Të zbardhet vrasja e kolonel Ahmet Krasniqi

“Edhe përkundër se ende edhe 20 vite pas vrasjes së tij nuk është zbuluar vrasja e tij, e apelojmë te institucionet përgjegjëse që sa më parë të bëjnë punën e tyre dhe ta zbulojnë. Dhe ata njerëzit që e kanë kryer këtë vepër të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Berisha.

Behxhet Krasniqi, vëllai i Ahmet Krasniqit, duke falënderuar të pranishmit, tha se kanë qenë deputetët e Parlamentit të Kosovës, Anton Çuni, Vjosa Osmani, Armend Zemaj dhe Doruntinë Maloku që iniciuan kthimin e Ahmetit në atdhe. E ky kthim, sipas tij, u bë në koordinim me ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha.

Krasniqi: Prezenca juaj po nderon Krasniqin dhe të tjerët

“Prezenca e juaj sot në këtë akademi nuk po e nderon vetëm Ahmet Krasniqin, por po nderon të gjithë ata ushtarë e oficer që ishin rreshtuar në kuadër të forcave te armatosura të Republikës së Kosovës”, theksoi Krasniqi.

Në emër të familjes Jakupi, bija e dëshmorit Qazim Jakupi, Leonora Jakupi ka falënderuar kryeministrin Haradinaj dhe ministrin Rrustem Berisha për kontributin e tyre për rivarrimin e babait të saj në Prishtinë, që sipas saj, ka zgjatur gjatë qe 20 vjet.

Jakupi: I jam falënderues Haradinjat dhe Berishës

“Jam shumë e lumtur që pas 20 viteve që në kemi pritur kaq gjatë, sot ju z. Kryeministër, që nuk e di si të falënderohem për këtë nderë që i ke bërë familjes tonë dhe i ke kthyer dinjitetin, natyrisht edhe lavdin e familjeve tona. Pasi që Rrustem Berisha ka qenë shok i babait tim dhe i bacës Ahmet, natyrisht se ky ka pasur shumë punë më të madhe, mirëpo pa ndihmën e juaj, nuk ishte mundur me u bërë asgjë. Ju qoftë dheu i lehtë i Kosovës për të cilën kanë pritur shumë gjatë me ardhur”, theksoi Jakupi.

Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi janë rivarrosur  sot pasdite në varrezat e dëshmorëve në Velani.

Image

Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi do të rivarrosen në varrezat e dëshmorëve në Velani..

Homazhe për heroin, kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi

Në hollin e Kuvendit të Kosovës kanë nisur homazhet në nderim të ish ministrit të mbrojtjes, heorin e kombit, kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi.

Image

Pos familjarëve, në ceremoni po marrin pjesë edhe krerët e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe disa personalitete tjera kanë bërë homazhe si dhe janë nënshkruar edhe në librin e zisë të vendosur në holl.

Ndërkaq, pas homazheve, për kolonel Krasniqin dhe Jakupin do të mbahet një akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar nga ora 12:30.

Kurse, ceremonia e rivarrimit do të nisë nga ora 14:00 në varrezat e dëshmorëve në kryeqytet.

Image

***

Sot në hollin e Kuvendit të Kosovës do të bëhen homazhe në nderim të ish ministrit të mbrojtjes, heorin e kombit, kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi.

Pas homazheve në hollin e Parlamentit të Kosovës, do të mbahet një Akademi Përkujtimore në Teatrin Kombëtar në Prishtinë dhe pastaj do të bëhet rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve në kryeqytet.

Homazhet në Kuvend do të mbahen nga ora 10:00 deri në 12:00, në 12:30 do të ketë akademi përkujtimore për kolonel Ahmet Krasniqi ndërsa në orën 14:00 do të jetë ceremonia e rivarrimit në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

Kohë më parë Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për kthimin e eshtrave të Ahmet Krasniqit  dhe Qazim Jakupit në vendlindje.

Ndryshe, kolonel Ahmet Krasniqi është vrarë më 21 shtator 1998, në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat