Hoxha, takon ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë - Bota Sot
Hoxha, takon ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë

Aktuale

Hoxha, takon ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 12:08
Dhurata Hoxha dhe Karin Hernmack

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim, ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmack, me të cilën diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve dhe informoi për fushatën për liberalizimin e vizave dhe masat për zbatimin e MSA-së.

Hoxha vlerësoi lart përkrahjen e fuqishme nga Suedia, edhe me rastin e votimit të fundit në Parlamentin Evropian, por, theksoi ministrja, ne kemi ende nevojë për përkrahje në përshpejtimin e hapave për procesin integrues.

“Angazhimi ynë për liberalizimin e vizave është i pandalshëm, fushata jonë tashmë ka filluar. Suedia ka vlerësuar dhe po e vlerëson angazhimin tonë për liberalizimin e vizave, të arriturat por edhe sfidat tona në procesin integrues, andaj, presim të kemi përkrahje për lëvizjen e lirë dhe përshpejtimin e procesit integrues”, theksoi Ministrja, duke vënë në pah edhe zbatimin e reformave të duhura për procesin integrues si masat e ndërmarra në kuadër të MSA-së.

Ambasadorja Hernmack shprehu respekt për punën që zhvillohet rreth liberalizimit të vizave dhe procesit integrues, duke përgëzuar angazhimin e Ministres Hoxha dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Ajo ka theksuar se do të mbështes fuqishëm përkushtimin e deritashëm të paraardhësit të saj, për arritjen e aspiratave të qytetarëve të Kosovës drejt familjes evropiane.

Ambasadorja vuri në dukje po ashtu se është e lumtur që do ta ketë rastin e thellimit të marrëdhënieve të deritashme të shkëlqyera ndërmjet dyja vendeve, në veçanti tash, kur Kosova gjendet në prag të liberalizimit të vizave. Suedia, theksoi Hernmack, qëndron dhe do të qëndroj krah qytetarëve të Kosovës, duke ofruar edhe përkrahje për liberalizimin e vizave dhe procesin integrues.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera