Zyrtari i AKR-së për pjesëmarrjen e Bahtirit në protestë: Është nën presion - Bota Sot
Zyrtari i AKR-së për pjesëmarrjen e Bahtirit në protestë: Është nën presion

Aktuale

Zyrtari i AKR-së për pjesëmarrjen e Bahtirit në protestë: Është nën presion

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 08:33
Kurti- Bahtiri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme qëndroi në Mitrovicë, ku bëri thirrje për mobilizim për protestën e së shtunës.

Përderisa Vetëvendosje dhe Kurti nuk morën mbështetje nga partitë opozitare për këtë protestë, atij po i del në ndihmë dhe në protestë, nënkryetari i njërës nga partitë e koalicionit qeversisës.

Thirrjeve të djeshme të Kurtit për pjesmarrje në protestë iu bashkua edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e që është edhe nënkryetar i AKR-së, parti e cila është në bashkqeverisje me koalicionin PAN.

Mirëpo për sekretarin e përgjithshëm të AKR-së, Vesel Makolli, kjo çështje nuk do të ndikojë në punën e koalicionit për shkak se Bahtiri ka vepruar në emër të tij e jo në emër të partisë.

“Nuk mund të ndikojë në koalicion, sepse ai ka vepru personalisht në emër të tij, e jo në emër të partisë. Ne nuk kemi folur për këtë, ai di shpesh me vepru jashtë qëndrimeve të partisë”, tha Makolli, per kallxo.

Ai ka komentuar edhe vendimin e Bahtirit për t’iu bashkuar protestës së Vetëvendosjes. Sipas Makollit, Agim Bahtiri është nën presion për shkak se është kryetar i Mitrovicës dhe temë aktuale në vend është korrigjimi i kufirit.

“Së pari, Agim Bahtiri është pak specifik edhe si personalitet por edhe për shkak të pozitës që mban, si kryetar i Mitrovicës, e cila është e përgjysmuar edhe vetvetiu ai është nën presion edhe të opinionit sepse ju e dini që puna e korrigjimit të kufirit është bërë punë e madhe. Pra, ai nga frika se po pëson Mitrovica si Mitrovicë, prandaj ai e ka një lloj presioni të tillë”, tha Vesel Makolli.

“Edhe specifika si Agim shpesh jep deklarata kontradiktore, por ne jemi një parti liberale demokratike e cila e respekton lirinë”, tha tutje Makolli.

Sipas tij, ky vendim i nënkryetarit të AKR-së nuk do të ndikojë në koalicionin qeverisës. Në anën tjetër partnerët e AKR-së në Qeveri nuk e kanë komentuar këtë vendim të Bahtirit. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi nuk ka dashur ta komentojë vendimin e zytarit të partnerit të koaliconit.

“Nuk e komentoj deklaratën e tij”, tha shkurtimisht Isufi.

As nga radhët e PDK-së nuk e kanë komentuar këtë.

Media ka provuar të kontaktojë me nënkryetarin e PDK-së dhe ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli por ai nuk është përgjigjur. Në anën tjetër as shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Memli Kransiqi nuk ka komentuar këtë vendim të Bahtirit. Protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje do të mbahet të shtunën më 29 shtator.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...