KNSShP inkurajon KEK-un të vazhdojë me ngritjen e masave të sigurisë

Aktuale

KNSShP inkurajon KEK-un të vazhdojë me ngritjen e masave të sigurisë

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 16:27
Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës

Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës, ku ka mirëpritur raportin me rezultatet e minimalizuara të aksidenteve, por ka inkurajuar menaxhmentin që të vazhdojë edhe më tutje në ngritjen e masave konkrete të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Këshilli u njoftua nga menaxhmenti i KEK-ut, përkatësisht ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues,  Nijazi Thaçi me bashkëpunëtorë për gjendjen dhe kushtet e punës në gjigantin energjetik të Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit për Siguri dhe Shëndet në Punë, zëvendësministri Çerkin Dukolli, u informua me rregulloret dhe masat mbrojtëse që aplikon KEK-u në vendet e punës.

“Si rezultat i veprimeve adekuate, numri i të lënduarve është reduktuar minimalisht. Brenda këtij nëntëmujori u raportua se ka pasur shumë pak lëndime dhe vetëm një rast me fatalitet”, thuhet në një njoftim të dërguar nga Ministria e Punës dhe Mirqenies Sociale.

Zëvendësministri Dukolli ka mirëpritur raportin me rezultatet e minimalizuara të aksidenteve, duke inkurajuar menaxhmentin që të vazhdojë edhe më tutje në ngritjen e masave konkrete të sigurisë  dhe shëndetit në punë.

Ai ka shtuar se pavarësisht interesave dhe përfitimeve që ka Kosova nga korporata energjetike, jetët e njerëzve janë më të shtrenjta dhe më të vlefshme.

Dukolli u informua se sistemi i sigurisë është i harmonizuar me Ligjin për siguri dhe shëndet në punë, dhe  këtë sistem KEK e aplikon në dy nivele, në nivel korporate dhe në nivel të divizioneve, njësive Kosova A dhe B, dhe minierave.

“Në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë, KEK-u ka një komitet për siguri i cili takohet njëherë në muaj. Në kuadër të masave parandaluese punëtorët vazhdimisht dërgohen në vizita sistematike për të konstatuar gjendjen e tyre fizike, psikike dhe emocionale.  Po kështu sot, Këshilli ka vizituar edhe minierën jug-perëndim të Sibofcit,  punën e ekskavatorëve atje dhe njësinë e prodhimit të energjisë, Kosova A. Zëvendësministri Dukolli përgëzoi punëtorët dhe menaxhmentin për punën e mire që po bëjnë, përkundër kushteve dhe makinerisë së vjetruar. Ai u shpreh i kënaqur me të dhënat për gjendjen e sigurisë dhe shëndetit në punë.  Ajo që vlen të potencohet është se në minierë që nga viti 2008 në sektorin e minierave e deri më sot nuk ka pasur asnjë humbje të jetës së punëtorëve e as lëndime, falë angazhimit të menaxhmentit , kushteve të punës dhe syçeltësisë së punëtorëve. Në këta takim, Këshilli diskutoi me menaxhmentin, për të shkëmbyer ide e propozime për zgjidhjen e statusit të Institutit të Mjekësisë së Punës në Obiliq. Ata u dakorduan që të punohet në këtë drejtim dhe të dilet më një rekomandim për Qeverinë, se ç’të bëhet më tutje me fatin e institutit”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të bashkëpunimit me shoqërinë civile KNSSHP, sot kishte ftuar në cilësinë e vëzhguesit edhe OJQ-të që trajtojnë  çështjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, Iniciativa  Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Qendra për Avokim të Politikave. (QPA).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat