Pozita flet për reformë zgjedhore, Vetëvendosje kërkon zgjedhje të parakohshme - Bota Sot
Pozita flet për reformë zgjedhore, Vetëvendosje kërkon zgjedhje të parakohshme

Aktuale

Pozita flet për reformë zgjedhore, Vetëvendosje kërkon zgjedhje të parakohshme

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 11:01
Tryeza e organizuar nga D4D e përkrahur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, ku po marrin pjesë edhe shoqëria civile dhe përfaqësues të partive politike

(E plotësuar) - Partitë politike në pushtet vlerësojnë se është koha e duhur që të vazhdohet me procesin e reformës zgjedhore, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kundërshton diçka të tillë duke deklaruar se duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi sipas kësaj partie opozitare, reforma nuk mund të bëhet me legjislaturën aktuale.

Këto komente u bënë në një tryezë në Prishtinë të organizuar nga Demokracia për Zhvillim me përkrahje të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë me temën “A është koha e duhur për reformë zgjedhore?”, morën pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, por jo edhe partia tjetër opozitare LDK-ja.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se nuk mund të shkohet tutje me reformë zgjedhore me qeverinë aktuale, e cila sipas saj nuk ka votat e mjaftueshme për të udhëhequr më tutje me vendin, por duhet shkuar në zgjedhje sa më parë.

Haxhiu: S’ ka reformë zgjedhore, të mbajmë zgjedhje të parakohshme

“Ne si Vetëvendosje nuk jemi për reformë zgjedhore në rrethana të tilla, ne e dimë që ka probleme teknike në ligjin për zgjedhje të përgjithshme por që në rrethanat kur kemi një qeveri të pakicës, një Kuvend jo-funksional është komplet e papranueshme për LVV-në që kjo Qeveri, ky Kuvend që nuk e ka legjitimitetin aktualisht të bëjë një reformë zgjedhore, për shkak se e keni parasysh pastaj pas këtyre ndryshimeve ligjore mund të mos ketë asnjë efekt, të mbetët siç ka mbet reforma e vitit 2011, të shkohet në zgjedhje sërish pa reformë zgjedhore. Mua po më duket që vënia në diskutim e kësaj teme për reformën zgjedhore ka të bëjë vetëm për të zgjatë mandatin e qeverisë aktuale. Nuk po flas për shoqërinë civile këtu, shoqëria civile ka qenë koesistente në vazhdimësi dhe i ka adresuar në vazhdimësi problemet e reformës zgjedhore, po flas për subjektet që sot janë në pushtet që e përdorin reformën zgjedhore për mbijetesë”, tha ajo.

Ndërsa Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se opozita çdo herë ka të drejte të kërkojë zgjedhje të reja, por kjo nuk e pengon të shkohet tutje me reformën zgjedhore.

Isufi: Nëse opozita nuk mund të bashkohet për rrëzim të qeverisë, të vazhdohet me reformën zgjedhore

“Kërkesa për zgjedhje, urdhëroni opozitë, bashkohuni, rrëzoni qeverinë dhe shkojmë në zgjedhje, por jo vetëm të flitet për zgjedhje, të duan të mbahen zgjedhjet e nuk janë të gatshëm. Ne nuk mund ta bashkojmë tash opozitën për të ia mundësuar të mbahen zgjedhjet. Të punojnë, të angazhohen, t’i konsolidojnë veprimet e veta dhe ta rrëzojnë qeverinë, e të shkojmë në zgjedhje, kjo është legjitime, por nëse nuk munden, hajde të shkojmë në reformë zgjedhore, e bëjmë reformën, i mbajmë zgjedhjet edhe më të mira në të ardhmen, sepse krejt ato defekte që kemi mundur t’i vërejmë gjatë procesit të kaluar mund t’i evitojmë”, tha ai.

E sipas Arsim Bajramit të Partisë Demokratike të Kosovës, kjo është koha më e përshtatshme për reformë zgjedhore.

Bajrami: Tani është koha për të hyrë në proces të shikimit substancial të kornizës ligjore     

“Partitë politike ta marrin këtë me një seriozitet të madh, të fokusohen dhe plotësojnë standardet e komisionit të Venecias, i cili kërkon që cilido rishikim të ligjit zgjedhor të bëhet para përfundimit të mandatit të rregullt kushtetues. Ne në PDK mendojmë që është koha tani të hyhet në një proces të shikimit substancial të kornizës ligjore dhe kushtetuese, në dy aspekte; aspektet administrative menaxheriale dhe operacionale, të cilat do bëjnë sistemin zgjedhor më efektiv, më profesional dhe të eliminojnë parregullsitë e vërejtura në këto cikle të zgjedhjeve, në parregullsitë që edhe partnerët implementues i kanë vërejtur, dhe segmenti i dytë të jenë përmbajtjesor, cilësor, prekur në esencën e reformës zgjedhore në mënyrë që të adaptojmë një sistem zgjedhor funksional”, tha ai.

Bajrami tha se është koha e duhur, meqë reforma zgjedhore sipas tij nuk mund të bëhet në kohë krizash politike ose në prag të zgjedhjeve.

Ndërkohë që për reformë zgjedhore u pajtua edhe Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate.

Hoti: Është momenti dhe koha e duhur për reformë zgjedhore

“Nisma Socialdemokrate e ka këtë qëndrim, Po, është momenti dhe duhet të ndodh reforma zgjedhore, por duhet të ndodh me një vullnet politik, në të gjitha fazat edhe në përmbajtje edhe në aspektin e anës operacionale, kemi parë që kemi pas vështirësi edhe në listat e votuesve, kemi një numër pa pastruar në listat e votuesve, që është një problem në veti, votimet e pavlefshme, votat me kusht, edhe aty një çështje tjetër, votimi i diasporës, që nuk po i mundësohet të ketë një qasje më të lehtë dhe pa procedura të ngarkuara burrokratike, e deri tek trupat zgjedhore. Duhet të shikohet edhe tek ata që e përcjellin procesin zgjedhor, a duhet të jenë përfaqësues të partive politike apo administratës”, tha Hoti.

Anita Schuluchter Roth nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, tha se është thelbësore që shoqëria civile të ketë një zë të unifikuar lidhur me modifikimet teknike të sistemit të zgjedhjeve.

Roth: Reforma e zgjedhjeve duhet të niset në momentin kur zgjedhjet nuk janë në prag

“Ne besojmë fuqishëm se reforma e zgjedhjeve duhet të niset në momentin kur zgjedhjet nuk janë në prag. Dua të them se ky është rasti tani, por kurrë nuk e dimë. Të shohim, a do të ketë zgjedhje të parakohshme, apo kur do të jenë zgjedhjet e ardhshme, kështu që duhet të flasim për zbrazëtirat dhe reformat e zgjedhjeve menjëherë, gjatë apo pas zgjedhjeve, sepse në mesin e zgjedhjeve, kjo është koha kur mund të punojmë në reforma. Dhe jo vetëm koha është e domosdoshme, por edhe mënyra si i qasemi kësaj çështje, për këtë arsye dua t’i uroj OJQ-të e Kosovës për arritjen e suksesshme të një koordinimi të vërtetë në këtë fushë. Është thelbësore që shoqëria civile të ketë një zë të unifikuar lidhur me modifikimet teknike të sistemit të zgjedhjeve, kjo nuk nënkupton që çdo herë të keni mendimin e njëjtë por megjithatë të punoni së bashku për këtë çështje”, tha ajo.

Të gjithë për reformë zgjedhore, vetëm Vetëvendosje kundër

A është koha e duhur për reformë zgjedhore? Kjo është çështja që po diskutohet sot në Prishtinë një tryezë të organizuar nga D4D e përkrahur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, ku po marrin pjesë edhe shoqëria civile dhe përfaqësues të partive politike.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje diskutimi për reformë zgjedhore në Kosovë bëhet për te zgjat mandatin e qeverisë aktuale.

Albulena Haxhiu tha se VV nuk është për reformë zgjedhore në rrethana te tilla, por duhet të shkohet në zgjedhje.

"Nuk jemi për reformë zgjedhore në rrethana të tilla. në rrethanat aktuale me qeveri te pakicës dhe Kuvend jo funksional, është e papranueshme që ky kuvend kjo qeveri të bëjë reforme zgjedhore. Mund te mos ketë asnjë efekt, të mbetet siç ka mbet reforma e vitit 2011. Vënia në diskutim e kësaj reforme bëhet për me zgjat mandatin e qeverisë aktuale, këtu nuk po flas për shoqërinë civile. Më e mira për te gjithë është të shkohet në zgjedhje. Një legjitimitet i ri i Kuvendit do te mund të adresonte çështjen e reformës zgjedhore", tha deputetja e VV-së.

 Ndërsa Ahmet Isufi tha se opozita çdoherë ka të drejtë të kërkojë zgjedhje të reja, por kjo nuk e pengon të shkohet tutje me reformën zgjedhore.

"Të mos mendojmë shumë për efektet e momentit por për të ardhmen. Opozita ka të drejtë te kërkojë zgjedhje por kjo nuk e pengon të vazhdohet tutje me reformën zgjedhore, të vazhdohet me këtë punë në Kuvend. Jemi për që të ketë reformë zgjedhore", tha ai.

 Arsim Bajrami i PDK-së tha se kjo është një temë e zvarritur dhe e papërfunduar.

 "Vullneti politik është më i rëndësishmi për reformë zgjedhore. Koha aktuale është koha më e përshtatshme për reformë zgjedhore. Partitë politike ta marrin me seriozitetin më të madh këtë çështje", tha ai. Për reformë zgjedhore u pajtua edhe Nisma Socialdemokrate.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...