Dhuro Gjak, aplikacioni nga Kosova që fitoi çmimin e parë në EYA Awards

Aktuale

Dhuro Gjak, aplikacioni nga Kosova që fitoi çmimin e parë në EYA Awards

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 13:29
Ilustrim

Mbrëmë u shpall fituesi i European Youth Awards (EYA) dhe në kategorinë për Digital Solutions with Social Impact, projekti Blood Donor (Dhuro Gjak) i krijuar nga studentët e Kolegjit Riinvest, fitoi vendin e parë duke e theksuar edhe njëherë seriozitetin e kolegjit, përkushtimin e studentëve dhe menorimin e profesorëve. EYA është një platformë për komunitetin pan-evropian të krijuesve të rinj të ndryshimeve që përdorin teknologjitë digjitale për të përmirësuar shoqërinë.

Projekti Dhuro Gjak lindi si ide në njërën nga punëtoritë e Unicef Innovation Lab ku edhe aty mori ndihmën e parë qoftë nga ana e mentorimit si dhe nga ajo financiare. Pasi që ishte njëri nga projektet fituese në punëtorinë e Unicef Innovation Lab, projekti ra në sy të Ministrisë së Shëndetësisë ku edhe me datë 21 Qershor u bë lansimi zyrtar i tij, duke e bërë MSh si pjesë e bashkëpunëtorëve të projektit.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha se krijimi i platformës online dhe aplikacionit për dhurimin vullnetar të gjakut do të rris mundësitë e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për të ju dhënë përgjigje kërkesave të vazhdueshme për gjak për personat në nevojë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë, përmes përdorimit të metodave inovative dhe gërshetimit të teknologjisë do t’u jap zgjidhje më praktike shumë problemeve të shtresuara me vite.

“Një aplikacion i cili problemeve të shtresuara për vite me radhë ju jep një zgjidhje moderne. Për mua do të jetë një lehtësim shumë i madh, do të jetë një mundësi të shohim se cilat janë mungesat e rezervat tona. Me këtë besoj që inkurajojmë edhe vajzat e djem të ri të na paraqiten me ide të tjera. Na mbetet të vazhdojmë financimin që të japim zgjidhje të problemeve të mëdha”, tha Ministri.

Aplikacioni gjendet në AppStore dhe PlayStore gati për t’u shkarkuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat