Kurti tregon çka i tha Mogherini për Thaçin, që bëri Vuçiqin të fërkon duart nga entuziazmi

Aktuale

Kurti tregon çka i tha Mogherini për Thaçin, që bëri Vuçiqin të fërkon duart nga entuziazmi

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 26 shtator 2018 Në ora: 09:11
Thaçi, Mogherini, Vuçiqi

Kryetari i Republikanëve të Kosovës, prof. Faton Kurti thotë se marrëveshjet me Serbinë janë të duhura por jo jetike për Kosovën dhe kurrsesi kur ato zhvillohen në disfavor të Kosovës.

Sipas tij, duket se parakushti i çfarëdo negociate nuk është respektuar dhe që është njohja e Kosovës.

Kurti thotë se kjo ka ndikuar gjithë ecurinë e bisedimeve gjë që vetëm ka shtuar oreksin e Serbisë të fitojë më tepër se sa mundet nga këto bisedime.

Image
Faton Kurti

“Siç e dini unë para ca ditësh (menjëherë pas vizitës së Vuçiq në Kosovë) i kam shkruar një letër të gjatë zonjës Mogherini ku kam cekur njohjen e saj të cekët si dhe përvojën e saj të pamjaftueshme politike dhe të Thaçit për të negociuar me një politikan dinak dhe me mentalitet Ballkanik si Vuçiq. Por problemi qëndron se ka qenë pikërisht Thaçi (edhe sipas konfirmimit të Mogherinit që e ka vendosur në tavolinë opsionin e "korrigjimit të kufijve" duke e bërë Vuçiqin "të fërkojë duart nga entuziazmi". Siç dihet tashmë Thaçi vetë nuk është i qartë se ç'drejtim do marrin këto negociata. Ai kinse e din mirë se çfarë do të marrim (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë) por refuzon të thotë se çfarë do japim”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Kryetari i Republikanëve thekson se, negociata të tilla për pazare territoresh të mbajtura të errëta me qëllim nuk mund të kenë rezultate pozitive.

“Duhet patur parasysh se një marrëveshje definitive me Serbinë duke ndryshuar kufirin në disfavor të Shqiptarëve nuk do të mbarojë me aq, por mund të sjellë një luftë të re në Ballkan”, shton ai.

Sipas tij, është e papranueshme që shqiptarët në një marrëveshje me Serbinë të humbin prapë territor.

“Së pari presidenti Thaçi është i palegjitimuar nga Kuvendi dhe Kushtetuta e Kosovës dhe i pa dëshiruar nga qytetarët e Kosovës për ti udhëhequr këto bisedime me Serbinë! Përkundrejt mitit që ka krijuar për vetveten me propagandë, Thaçi edhe në të kaluarën na ka treguar se është një negociator i dobët dhe i paditur duke i sjellur humbje të territorit të Kosovës në favor të Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe tani si po duket edhe me Serbinë”, thekson ai.

Sipas Kurtit, ky president duhet ndalur me çdo kusht.

“Duhet patur parasysh se agjenda e Diplomatëve të huaj është paqja e përhershme në Ballkan dhe një zgjidhje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë - por kjo kurrsesi nuk duhet të ndodhë në disfavorin e Kosovës ku shqiptarët prapë duhet të humbin territor vetëm për të ngopur oreksin e Serbisë. Diplomatët e huaj duhet ta dinë fare mirë se nëse i lejohet Thaçit dhe Vuçiqit ta bëjnë këtë marrëzi të ndërrimit apo ndryshimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, atëherë në Ballkan kurrë nuk do të ketë paqe”, potencon Kurti.

Republikanët e Kosovës e kanë një agjendë shumë të qartë lidhur me bisedimet me Serbinë.

Ata sjellin 7 kushte që janë minimumi që Kosova duhet të kërkojë në tavolinën e bisedimeve dhe po ashtu duhet të jenë objektiv pikë për pikë i çdo politikani apo negociator të Kosovës që do të udhëheqë bisedimet në të ardhmen.

“1.Njohjen e menjëhershme të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

2. Falje publike për gjenocidin e bërë nga ana Serbisë ndaj popullatës civile Shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

3. Kthimin e rreth 1700 të zhdukurve Shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, për të cilët ka fakte se janë varrosur në varre masive në Kosovë dhe në Serbi.

4. Dëmshpërblimin e plotë për dëmet e bëra gjatë luftës të cilat janë vlerësuar nga ekspertët e BE-së prej më shumë se 3 Miliard Euro.

5. Integrimin e menjëhershëm të Mitrovicës veriore në qeverisjen e plotë të Republikës së Kosovës.

6. Ndjekjen penale të të gjithë ushtarëve, policëve, paraushtarakëve dhe civilëve të armatosur serbë të cilët kanë bërë krime lufte ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

7. Kërkojmë të njëjtat të drejta për Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të tjerëve që jetojnë në Serbi, sikurse i kanë edhe Serbët të cilët jetojnë në Republikën e Kosovës”, potencon Faton Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat