Memli Krasniqi: LDK-ja është e paguximshme, s’mund ta dërgojë vendin në zgjedhje

Aktuale

Memli Krasniqi: LDK-ja është e paguximshme, s’mund ta dërgojë vendin në zgjedhje

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 13:35
Memli Krasniqi

Partitë opozitare, veçanërisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Megjithatë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë së paku deri në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka konsideruar se nuk është koha që vendi të shkojë në zgjedhje. “LDK-ja po flet për mocion qe së paku pesë muaj, por ata as nuk e kanë guximin e as nuk janë të sinqertë në këtë deklarim. Përndryshe, le të urdhërojnë që sot e le ta procedojnë mocionin”, ka thënë ai.

Sipas tij, çdo parti serioze duhet të jetë në çdo kohë e përgatitur për zgjedhje dhe siç ka thënë ai, PDK-ja ka strukturat më të konsoliduara për çfarëdo procesi zgjedhor.

Kurse Valmir Ismaili, nga organizata “Demokraci Plus”, ka thënë se qëndrimi i subjekteve politike nuk është stabil.

“LDK-ja është aktualisht partia më e madhe në vend dhe çfarëdo iniciative që merret nga ana e saj duhet të merret me seriozitet. Sidoqoftë, për të pasur kjo iniciativë sukses nuk mjaftojnë vetëm votat e LDK-së, por duhet të jenë edhe votat e të gjitha partive të tjera opozitare dhe disa deputetë nga partitë që aktualisht janë në pushtet. Aq është e paqartë situata aktuale në Kuvendin e Kosovës sa është vështirë të thuash nëse ky mocion do të ketë sukses ose jo”, ka thënë ai.

Ismaili ka konsideruar se qeveria “Haradinaj” e ka të vështirë të qëndrojë deri në fund të mandatit.

“Nëse do të niseshim nga premisa që Qeveria e kaluar është rrëzuar për shkak të mungesës së numrave dhe guximit për të marrë vendime të mëdha, atëherë Qeveria e tanishme do të duhej të shkonte në shtëpi moti. Kjo Qeveri as nuk i ka numrat në Kuvend e as guximin (rasti i dialogut, ky vetë kryeministri është pajtuar që t’ia lërë presidentit dialogun në dorë) dhe mbahet vetëm duke bërë pazare me subjekte politike, madje edhe me individë dhe krejt kjo në kurriz të popullit”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat