Veteranët japin ultimatum deri më 8 tetor, paralajmërojnë protesta jopaqësore

Aktuale

Veteranët japin ultimatum deri më 8 tetor, paralajmërojnë protesta jopaqësore

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 17:21
Ilustrim

U kërkua të fillojnë hetimet se kush është fajtori që publikoi ilegalisht të dhënat personale të veteranëve. Qindra ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës erdhën sot nga Dukagjini në Prishtinë për të protestuar për listat e publikuara në rastin “Veteranët”. 

Para Pallatit të Drejtësisë ata kërkuan të hidhet poshtë aktakuza për këtë rast dhe që Prokuroria të kërkojë falje. Për këtë thanë se presin deri më 8 tetor, në kundërtën deklaruan që protestat e radhës nuk do të jenë paqësore.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Dukagjin protestoi sot në Prishtinë, ku mes të tjerash kërkoi që hetohet se kush i publikoi emrat dhe të dhënat e tyre personale. 

Derisa në duar mbanin flamurin e UCK-së dhe pankarta përmes së cilave kërkonin drejtësi për shkeljen e të drejtave të tyre, ish-luftëtarët e UCK-së kërkuan që Kuvendi të miratojë ligjin për vlerat e luftës dhe të ndryshojë ligjin për veteranët. 

Gjithashtu, u bënë thirrje atyre që janë të përfshirë në lista që mos t’iu përgjigjen thirrjeve dhe pyetjeve të prokurorisë. Kryetari i veteranëve të Dukagjinit, Avdyl Mushkolaj tha se në hartim të ligjit për veteranët duhet të marrin pjesë ata që e kuptojnë luftën e jo burokratet e zyrave ministrore. 

Për kërkesat e tyre, ai tha që presin deri më 8 tetor. “Të fillojnë hetimet se kush është fajtori që publikoi ilegalisht të dhënat personale të veteranëve, të hidhet poshtë aktakuza e prokurorisë në rastin ‘Veteranët’, çdo gabim që ka ndodh gjatë verifikimit të veteranëve jemi vet ne luftëtarët që do të kontribuojmë në pastrimin e tyre, në bashkëpunim komisionin qeveritar apo çfarëdo organizate që caktohet nga Qeveria dhe në afat kohor deri më 8 tetor 2018 ne presim përgjigjën tuaj publike rreth kërkesave, kërkim faljen e prokurorisë për denigrimin e vlerave të luftës dhe dinjitetit të veteranit. 

Nëse nuk kemi lëvizje nga ana juaj protestat e radhës nuk do të jenë paqësore”, tha ai. Duke theksuar se po ndjehen të fyer të denigruar, ata protestuan të qetë duke iu drejtuar Gjykatës Themelore, Prokurorisë së Shtetit dhe Kryeprokurorit me kërkesat e tyre. Në mesin e protestuesve ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, meqë edhe emri i saj ishte në listat e fundit. Ajo tha se publikimi i atyre listave ishte turp që i ka ndodh shtetit të Kosovës.

Ish-luftëtarët e UÇK-së thanë se publikimi i listave me emrat dhe të dhënat personale, ishte ofendimi më i madh që iu bë atyre nga shteti i Kosovës. Brahim Dina prej Novokazit, i cili mori pjesë në protestë tha se ka qenë pjesë e UÇK-së gjatë luftës dhe u shprehe i habitur përse emri i tij është në listën e veteranëve të rrejshëm të nxjerrë nga Prokuroria speciale. 

Ai shprehet mjaft indinjuar dhe i thyer në shpirt. Edhe Xhavit Ferizaj  tha se emri i tij është në listën e prokurorisë për veteran të rrejshëm dhe ka dal sot të protestojë për të drejtat e veteranëve të luftës së UÇK-së. Ish-ushtar i UÇK-së, Smajl Berisha tha se prokuroria e shtetit duhet ta hedhë poshtë aktakuzën për veteranët e luftës çlirimtare. 

Veterani dhe invalid i luftës, Qamil Zeneli nga Jabllanica e Gjakovës tha se edhe pse nuk ishte në listën e veteranëve të “rrejshëm” ka dal që t’i mbështes veteranët. Në protestën paqësore para Pallatit të Drejtësisë, e cila nuk zgjati as një orë kanë marrë pjesë Xhavit Jashari Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Fadil Shurdhaj nga shoqatat e dala nga lufta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat