Ilir Krasniqi: Milaim Zeka është në gjendje me të zhduk për para

Aktuale

Ilir Krasniqi: Milaim Zeka është në gjendje me të zhduk për para

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 19:21
Milaim Zeka

Akuza të rënda ka lëshuar Ilir Krasniqi ndaj ish partnerit të tij të biznesit dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zekës. Biznesi i Krasniqit dhe Zekës që kishte përfunduar me mashtrimin e 927 shtetas të Kosovës me viza pune ka përplasur dy ortakët.

Krasniqi teksa më herët ka akuzuar publikisht Zekën se ka marrë rreth 80% të fitimeve nga mashtrimet me viza pune, ka vazhduar edhe më tej duke thënë se Zeka “për para të zhduk dhe të shantazhon siç dëshiron vetë”.

Krasniqi ka thënë se Zekën dhe gruan e tij i ka konsideruar si prindër dhe se ua ka hapur derën e shtëpisë. Mirëpo thotë se Zeka për para është në gjendje të të zhduk.

“I kam pranuar Edlira Qefalijajn dhe Milaim Zekën në familjen time, lajmërimin ua kam bërë në shtëpinë time në Gjermani të gjitha çfarë mundet një njeri me i ba. Edlirën dhe Milaimin i kam pranuar sikur prindër. Akoma Milaim Zeka është i lajmëruar në shtëpinë time në Gjermani, por Milaim Zeka është një njeri që për interes dhe për para është në gjendje me të zhdukur dhe me të shantazhuar siç dëshiron ai vetë”, ka deklaruar Krasniqi.

Më tej ai ka thënë se Zeka është përgjegjës për mashtrimin e 927 shtetas të Kosovës me viza pune.

“Milaim Zeka është përgjegjës për mashtrimin e kosovarëve me viza. Ai ka qenë përgjegjës i biznesit për Kosovë, ndërkaq unë jam në gjendje të bëj vetëvrasje nëse dikush thotë që unë i kam marrë para për punën e vizave”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij deputeti nga radhët e Nismës ka marrë rreth 80% të fitimeve nga ky biznes.

“Milaim Zeka ka qenë agjent kryesor për çështje administrative në Kosovë. Kanë dalë me dhjetëra mijëra euro që kanë dalë në llogarinë e tij. Nuk mundesh me thanë që Milaim Zeka nuk ka marrë para. Përmes kontos diku i ka marrë 30 mijë euro. Në realitet ai i ka marrë mbi 80 për qind”, është kundërpërgjigjur Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat