Vendimi për Milaim Zekën merret në ora 13:15

Aktuale

Vendimi për Milaim Zekën merret në ora 13:15

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 09:58
Milaim Zeka

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka do të dal sot para gjykatës në ora 13 e 15, ku pritet të vendoset për masën e paraburgimit prej 30 ditëve sipas kërkesës së prokurorit apo lirimin e tij.

Prokurori i rastit, Rexhep Maqedonci ka konfirmuar për Insajderin se vendimi pritet të merret për Zekën sot në mesditë.

Zeka ishte arrestuar gjatë ditës së djeshme për shkak se kishte kërcënuar prokurorin i cili ka ngritur aktakuzë ndaj tij për mashtrim të 927 shtetas të Kosovës me viza pune në Gjermani si dhe për shmangie të tatimit.

Ai kishte thënë se prokurorin Afrim Shefkiun do ta ndjekë me gjyq dhe me kanun privatisht.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tem me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, kishte thënë Zeka.

Prokurori Rexhep Maqedonci, më herët kishte deklaruar se Zeka është arrestuar për shkak se “duhet me ia ndal turrin”.

“Kemi pas frik mos pe merr Kanunin në dorë, me marrë në dorë, na bën kahre. Xhemal Abria ka vdek, tash s’ka kush na merr vesh me të. E për këtë e kemi arrestuar me ja ndal turrin”, është shprehur prokurori.

Në anën tjetër avokati i Zekës e ka konsideruar si të paarsyeshëm arrestimin e klientit të tij.

“Vendimi është komplet i pabazuar në dispozita ligjore dhe gjendjen faktike. Në bazë të nenit për kanosjen ajo duhet të jetë kundër jetës dhe trupit dhe serioze në mënyrë që duhet ta bind të dëmtuarin që do t’i ndodhë një e keqe. Në këtë rast këto nuk kanë ndodhur”, kishte deklaruar Halilaj.

Zeka së bashku me ish partnerin e tij të biznesit janë duke u përballur me drejtësinë për shkak se sipas prokurorisë ata kanë mashtruar 927 shtetas të Kosovës me viza pune në Gjermani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat