Veseli: Qytetarët e Maqedonisë të votojnë në referendum, marrëveshja me Serbinë nuk do të cenojë asnjë shtet

Aktuale

Veseli: Qytetarët e Maqedonisë të votojnë në referendum, marrëveshja me Serbinë nuk do të cenojë asnjë shtet

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 12:54
Kadri Veseli dhe Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku ka realizuar takim me homologun e tij Talat Xhaferi. Pas përfundimit të takimit Veseli dhe Xhaferi në konferencë të përbashkët për shtyp thanë se Kosova dhe Maqedonia kanë bashkëpunim të shkëlqyer në shumë sfera.

Kadri Veseli tha se Kosova respekton integritetin territorial të Maqedonisë dhe shtoi se si do që të jetë vullneti i qytetarëve në referendum për marrëveshjen me Greqinë, Kosova do ta respektojë emrin e Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës gjatë deklaratave të tij ju bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që në referendumin e 30 shtatorit të dalin masovikisht të votojnë dhe “t’i thonë ‘po’ anëtarësimit në NATO dhe BE”.

“Vij në një vend mik, i cili respekton sovranitetin e vendit tonë. Do të jemi në partneritet dhe përkrahjen në rrugën tonë euroatlantike. Kosova e respekton integritetin territorial të Maqedonisë dhe cili do që të jetë vullneti i qytetarëve për emrin në referendum, do ta respektojmë. Ballkani Perëndimor për një kohë të gjatë ka vuajtur nga mungesa e prosperitetit dhe në procesin e integrimeve ka qenë shumë mbrapa. Kjo tregon edhe mosvendosmërinë politike për momentet e vërteta. Kjo është arsyeja pse ne përkrahim marrëveshjen për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Pasi në të njëjtën kohë edhe Kosova është në procesin e dialogut me Serbinë dhe edhe ne si vend ta finalizojmë marrëveshjen”.

“Maqedonia dhe Kosova do të shkonin shumë përpara në procesin eurointegrues, nëse do t’i zgjidhshin mosmarrëveshjet me Greqinë gjegjësisht Serbinë. Thërras qytetarët e Maqedonisë që ditën e diel masovikisht të votojnë në referendum dhe t’i thonë “po” anëtarësimit në NATO dhe BE”, tha mes tjerash Veseli.

Ai përmendi edhe bashkëpunimin infrastrukturor mes dy vendeve, duke shtuar se deri në fund të këtij viti Kosova do ta përfundojë deri në kufi autostradën Prishtinë-Shkup.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, tha se në takim me Veselin kanë diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe se e ka informuar për përgatitjet për referendumin e 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë.

“Kemi diskutuar për bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve, me qëllim që të sigurohet stabiliteti në të dy vendet. Pata mundësinë që në takim ta informoj Kadri Veselin, për përgatitjet për referendumin e 30 shtatorit. Mbështetja e tij ishte e plotë për marrëveshjen me Greqinë”, tha mes tjerash Xhaferi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat