Deklaratat e Demalisë për të cilat u arrestua sot

Aktuale

Deklaratat e Demalisë për të cilat u arrestua sot

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 16:22
Shkumbin Demaliaj

Dy deputetë të kuvendit të Kosovës u arrestuan pas deklaratave kërcënuese ndaj prokuororëve. Deputeti Shkumbin Demaliaj u arrestua sot për kërcënimet ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj, kurse ndaj Milaim Zekës që u arrestua dje pas kërcënimeve ndaj prokurorit Afrim Shefkiu, u caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Deputeti i AAK-së dhe ish anëtari i Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Listave të Veteranëve të UÇK-së, Shkumbin Demaliaj, është njëri nga të akuzuarit nga Prokuroria për fryrje të listave të veteranëve.

Ai është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, për shkak të deklaratave kërcënuese ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj.

Në një intervistë në televizionin Publik të Kosovës, Demalija ka thënë se do të merret privatisht me ish-prokurorin Blakaj.

“Ofendimi i familjes sime është bërë nga një kriminel që është zgjedhur nga Prokuroria Speciale. Ai është një dezertor, hajn, idiot, rrugaç. Ai nëse babën tim e ka akuzua, babën e vet e ka kudër. Ai është biri kudrës, biri babës vet”, ka thënë Demaliaj.

Demaliaj ka thënë se ka dashur të dërgojë një person të Blakaj për të kërkuar sqarim pse e ka vendosur babain e tij në listën e veteranëve të rrejshëm, pasi sipas tij vëllezërit i ka ende gjallë dhe ata mund të dëshmojnë vet.

“Nëse shteti nuk bën kërkesë që ai (Blakaj) të kthehet në atdhe për t’u gjykuar për shantazhin që i ka bërë opinionit, prokurorisë, nga unë do të ndiqet dikur privatisht, nëse shteti nuk merr masa për ta ndjekur”, tha ai.

Blakaj nuk i kishte rënë pishman për deklaratat që kishte bërë në RTK. Tha se qëndron prapa secilës fjalë që e ka thënë edhe në T7.

“Une kurr nuk i bi pishman për cka flas, kurr. Kur une e them une i qëndroj asaj pas. Unë e dij cka kam thënë, kam thanë nëse shteti nuk ndërmerr hapa atëherë na nuk kemi shtet duhet edhe me u mbrojte edhe me sulmu”.

“Krejt jemi familjar nuk kemi kërcënu, unë në medium i kam thënë edhe e dinë edhe ata”, tha ai.

Demailaj është deputeti i dytë që u arrestua brenda dy ditësh nga policia e Kosovës pas kërcënimeve ndaj prokurorëve.

Milaim Zeka, dhe Shkumbin Demailaj kërcënuan prokuroret me kanun, dhe kërkojnë t’i zgjidhin hesapet me ta edhe privatisht.

Për kërcënim ndaj prokurorit Afrim Shefkiu u arrestua edhe Milaim Zeka ndaj të cilit sot gjykata caktoi masën e parabugimit prej 30 ditësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat