Haradinaj kërkon mbështetje nga SHBA për transferimin e FSK-së në Forca të Armatosura

Aktuale

Haradinaj kërkon mbështetje nga SHBA për transferimin e FSK-së në Forca të Armatosura

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 18:33
Ramush Haradinaj dhe James Inhofe

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar në vazhdimësi se janë prijëse të lirisë dhe demokracisë në botë. Këtë më së miri e kanë dëshmuar në rastin e Kosovës, duke mbrojtur popullin në kohë të vështira dhe tani duke ndihmuar në forcimin e demokracisë, shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik. Rol të pazëvendësueshëm për ta mbajtur gjallë temën e Kosovës në agjendën amerikane kishin Senatorët nga ky vend”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, pas takimi që zhvilloi me kryetarin e Komitetit për Shërbime të Armatosura në Senatin Amerikan, Senatorin James Inhofe.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, arsimi, shëndetësia, siguria, ishin temat që u biseduan nga Kryeministri Haradinaj dhe Senatori Inhofe. 

Duke theksuar orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në BE, OKB, NATO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, Kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të jetë pjesë e këtyre institucioneve. 

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Senatorin Inhofe për të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat, në të njëjtën kohë ka kërkuar mbështetjen për procesin e tranzicionit të FSK-së në Forca të Armatosura, si një forcë profesionale e cila do të jetë në shërbim të forcimit të sigurisë dhe të paqes në botë. Kryeministri Haradinaj, ka theksuar se partneriteti me SHBA-të është orientim i Qeverisë së Kosovës dhe në këtë drejtim, të dyja vendet duhet të fuqizojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik. 

Senatori James Inhofe, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrahëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat