Opozita: Nuk lobuam kundër liberalizimit të vizave

Aktuale

Opozita: Nuk lobuam kundër liberalizimit të vizave

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 19:36
Foto ilustrim

Partitë opozitare kanë kundërshtuar deklaratat e ministres së Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, sipas të cilës, subjektet opozitare janë përpjekur të dezinformojnë një delegacion të Bashkimit Evropian që po qëndron në Prishtinë, në përpjekje që të sfidojnë procesin e liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesit e opozitës thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk e sfidojnë procesin e liberalizimit të vizave dhe mbështesin fuqishëm agjendën euro-integruese të Kosovës.

Në Kosovë këto ditë kanë qëndruar për vizitë anëtarët e Grupit të Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB), të cilët kanë pasur takime me përfaqësues të partive parlamentare të pozitës dhe opozitës, e që janë informuar për angazhimet e deritashme për liberalizimin e vizave, si dhe për hapat e mëtejmë për këtë proces.

Dardan Sejdiu, deputet nga Partia Socialdemokrate, i cili ka qenë në takim me anëtarët e këtijgrupi, tha për Radion Evropa e Lirë, se partia e tij e ka bërë të qartë se Republika e Kosovës ka kohë që i ka plotësuar kushtet dhe kriteret për lëvizje të lirë për qytetarët e saj.

“Në asnjë moment Partia Socialdemokrate nuk ka shpërfaqur ndonjë qëndrim apo mendim, i cili mund të sfidojë liberalizimin e vizave. Kemi qenë konsistentë në qëndrimin tonë që liberalizimi duhet të ndodhë sa më parë dhe se qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i kenë të njëjtat të drejta në kontinentin evropian, në Bashkimin Evropian”, tha Sejdiu.

Edhe deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thanë se i kanë siguruar përfaqësuesit e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian se e mbështesin fuqishëm agjendën euro-integruese të Kosovës. Në një postim në Facebook, Abdullah Hoti, i cili ka qenë i pranishëm në takim, ka shkruar se ka kërkuar që “sa më parë të përmbyllet kjo çështje edhe në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin lirshëm”.

Në favor të liberalizimit sa më të shpejtë të vizave u shprehën edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ismail Kurteshi nga kjo Lëvizje, tha për Radion Evropa e Lirë, se liberalizimin e vizave nuk po e pengon opozita, por keqqeverisja.

“Lëvizja Vetëvendosje në raport me integrimet evropiane është gjithmonë pro- integrimeve dhe po japim kontributin tonë që vendi të jetë sa më i integruar. Por, pengesë për këtë punë janë ata që po e keq-qeverisin vendin. Vetëvendosje është në favor të liberalizimit pasi qytetarëve të Kosovës po iu bëhet e padrejtë”, u shpreh Kurteshi.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, të mërkurën shkroi në Facebook se “është e turpshme që disa përfaqësues të partive opozitare i kontribuojnë krijimit të imazhit negativ për vendin dhe po dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave në këtë fazë finale”.

Këtë deklaratë e quajti për keqardhje Dardan Sejdiu, pasi tha ai, ministrja Hoxha nuk ka qenë fare në takim.

“Fatkeqësia më e madhe është se një ministre (Dhurata Hoxha), flet thashetheme pasi që nuk ishte fare e pranishme në takime. Është për keqardhje se si një ministre flet gjëra të pavërteta”,shpreh Sejdiu.

Kurse, Avdullah Hoti tha se akuza naive dhe e pabazuar dëmton rëndë besimin në mes të pozitës dhe opozitës në të vetmen çështje, në të cilën, sipas tij, ka përkrahje të parezervë nga opozita.

Ndryshe, Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimit Evropian t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kurse, Parlamenti Evropian nga mesi i këtij muaji ka votuar me shumicë votash rekomandimin e Komitetit për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat