Haradinaj takoi përfaqësuesit e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan

Aktuale

Haradinaj takoi përfaqësuesit e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 20:19
Haradinaj me Kongresistët Amerikanë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në SHBA, sot në Uashington ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga Kryesuesi Ed Royce dhe anëtarët e Komitetit Eliot Engel, Thomas Suozzi, Dan Donovan, Michael McCaul dhe Joe Willson.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Kosovës dhe SHBA-së, kryeministri Haradinaj shprehu dëshirën që këto raporte të thellohen dhe zgjerohen në vazhdimësi. 

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e saj shtetërore kanë dhënë shumë për Kosovën në të gjitha periudhat vendimtare për historinë e vendit tonë. Shpreh mirënjohjen e thellë për gjithë ndihmën e pashoq të tyre. Populli ynë është përjetë falënderues për angazhimin tuaj për ta çliruar Kosovën dhe për ta ndërtuar atë”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj pasi njoftoi përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan për të gjitha të arriturat në vend, kërkoi nga ata që të vazhdojnë ndihmën dhe mbështetjen për Kosovën, në konsolidimin e jashtëm dhe në sjelljen e investimeve të huaja direkte në vend.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, u zotuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë në linjë me Kosovën për t’i çuar përpara të gjitha proceset e rëndësishme për vendin që kontribuojnë në të mirën e rajonit dhe më gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat