KDI: 77.6 për qind e qytetarëve kundër shkëmbimit të territorit me Serbinë

Aktuale

KDI: 77.6 për qind e qytetarëve kundër shkëmbimit të territorit me Serbinë

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 11:48
Jeta Krasniqi

(E plotësuar) - 77.6 për qind e qytetarëve të Kosovës janë kundër shkëmbimit të territorit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu flasin të dhënat e një sondazhi të publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Tutje, sipas  këtij sondazhi, 75 për qind  janë të pakënaqur me kahjen e presidentit Hashim Thaçi rreth dialogut, si dhe 65 për qind e qytetarëve janë të pa kënaqur me rolin e partive opozitare në procesin e negociatave.

Kurse 16.8 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të kënaqur me kahjen e Presidentit Thaçi në këtë çështje.

Të dhënat i bëri publike përmes një konference për media, Jeta Krasniqi nga KDI, e cila ka thënë se në vazhdimësi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi prej disa muajsh ka shpërfaqur një tezë të re si një  zgjidhje potenciale të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi: Për kahjen e presidentit Thaçi rreth dialogut, 75 për qind  janë të pakënaqur

“Në përgjithësi qytetarët janë të pa kënaqur me kahen që presidenti Thaçi është duke i dhënë dialogut Kosovë – Serbi. Nëse shohim shifrat diku 75 për qind e qytetarëve janë të pakënaqur me formën se si është duke ecur dialogu dhe tani kahen që presidenti Thaçi është duke i dhënë, ndërsa janë 20 për qind e qytetarëve të cilët janë shprehur se janë të kënaqur me këtë proces. Janë vetëm 3 për qind shumë të kënaqur, 16.8 për qind kënaqur, 35.5 të pakënaqur dhe 39.6 për qind shumë të pa kënaqur me kahen që presidenti Thaçi është duke i dhënë dialogut”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa në baza etnike, 76 për qind e qytetarëve nga komuniteti shqiptar janë të pa kënaqur me idenë e presidentit Thaçi për dialogun Kosovë-Serbi, kurse prej komunitetit serb kjo shifër është 63 për qind.

Sipas Krasniqit 77.6 për qind e qytetarëve të cilët janë kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshje potenciale në mes dy palëve, ndërsa vetëm 11.3 për qind e qytetarëve do të pranonin që të ketë shkëmbim.

Krasniqi: 77.6 për qind janë kundër shkëmbimit të territorit

“Pyetjen  dytë të cilën ne e kemi bërë qytetarëve, është se nëse do të pranonin qytetarët shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Kemi dëgjuar tashmë jo rrallë herë diskutime për shkëmbim territori, ndarje, korrigjim kufijsh gjithashtu kemi parë edhe kërkesën e Presidentit Thaçi që ka folur për korrigjimin e kufijve dhe integrimin e Luginës së Preshevës në territorin e Kosovës. Në këtë bazë shohim që  janë 77.6 për qind e qytetarëve të cilët janë kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshje potenciale në mes dy palëve, ndërsa vetëm 11.3 për qind e qytetarëve do të pranonin që të ketë shkëmbim të territoreve”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se në përgjithësi të gjitha komunitetet në Kosovë, janë kundër shkëmbimit të territorit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Nëse ndërmjet presidentit të Kosovës, dhe atij të Serbisë do të arrihet një marrëveshje për shkëmbim të territorit, 51 për qind e qytetarëve janë shprehur se do të protestonin, kurse 24 për qind e qytetarëve janë shprehur se do të kërkonin referendum, 8.9për qind deklaruan se do të pajtoheshin me këtë marrëveshje.

Krasniqi: 65 për qind janë të pa kënaqur me rolin e partive opozitare për dialogun

 “Ne kemi pyetur qytetarët sa janë të kënaqur me procesin dhe si partitë opozitare janë duke luajtur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe ajo çfarë ne shohim që janë diku 65 për qind e qytetarëve janë të pa kënaqur me rolin që partitë opozitare janë duke luajtur në procesin e dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë Krasniqi.

Në anketë janë përfshirë një mijë e 66 respodentë  nga gjithë territori i Kosovës, përfshirë edhe veriun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat