Pacolli kërkon mbështetjen gjermane për liberalizimin e vizave

Aktuale

Pacolli kërkon mbështetjen gjermane për liberalizimin e vizave

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 13:14
Behgjet Pacolli dhe Heiko Maas

Në kuadër të takimeve që ka zhvilluar me homologë të tij nga shtete të ndryshme njohëse dhe jo-njohëse, kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar të enjten një takim zyrtar bilateral në selinë e misionit gjerman në OKB me Ministrin e Jashtëm, Heiko Mass.

Gjatë këtij takimi, numri dy i Qeverisë fillimisht e ka falënderuar dhe i ka shprehur mirënjohjen kryediplomatit gjerman për rolin e shtetit të tij në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.

“E takova për herë të dytë gjatë UNGA-s, ministrin gjerman të punëve të jashtme, Heiko Maas. Në këtë takim zyrtar  që patëm në selinë e misionit gjerman në OKB, i shpreha homologut tim, mirënjohjen për rolin gjerman në ndaljen e genocidit, në ndërtimin e shtetit të Kosovës, në mikpritjen e diasporës së madhe kosovare, plotësisht të integruar në vendin e tij”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.

Më pas, të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe mbi mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë dhe rolin që shteti gjerman do ta ketë në këtë proces.

“E informova ministrin, Heiko Maas, me ecurinë e dialogut me Serbinë dhe ai më rikonfirmoi pozicionin e Kancelares Merkel, që e sheh zgjidhjen përfundimtare në përputhje me vlerat europiane, si zgjidhje stabilizuese për dy vendet dhe rajonin në përgjithësi. I kërkova një konvergjencë më të madhe të Gjermanisë me SHBA-të në lidhje me dialogun, duke patur parasysh se vendi i tij është vend udhëheqës i Bashkimit Europian”, është shprehur Ministri Pacolli.

Në vazhdim, numri dy i Qeverisë kërkoi mbështetjen gjermane për procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Interpol dhe për njohjen e patentave kosovare të udhëtimit.

“Kërkova ndihmë për liberalizimin e vizave, Interpol-in dhe për njohjen e patentave kosovare të udhëtimit. Ministri Maas më garantoi se për këtë çështje do të veprohej shumë shpejt sipas modelit që Gjermania miratoi me Maqedoninë. Gjermania mbetet si gjithmonë mbështetëse e madhe e Kosovës dhe ne nuk mund të mendojmë përparimin tonë pa mbështetjen e këtij shteti mik dhe Kancelares Merkel!”, ka vlerësuar Ministri i Jashtëm Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat